Kryeministri Edi Rama prej ditësh u bën thirrje protestuesve që të ulen në dialog, por ftesat e tij janë refuzuar vazhdimisht. Nga karriget e rehatshme te ato të zakonshmet, më pas stolat e gurit dhe së fundmi një sofër guri, kryeministri ka ndryshuar disa herë mënyrën se si i ka ftuar protestuesit për të biseduar.
Por sot, në sofrën e dialogut nuk janë ulur protestuesit, por disa turistë të huaj që po vizitojnë Shqipërinë.
Rama ka ndarë këtë moment, duke e shoqëruar me një mesazh ironik për ngjarjet e mbrëmshme në kryeqytet.
“Mirëseerdhët në Tironë dhe na falni për fishekzjarret mrom”, shkruan Rama.
Mesazhi i kryeministrit është një thumbim për sulmet me fishekzjarre që protestuesit, shumë syresh të lidhur me PD-në, kryen ndaj policisë gjatë protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme.






Komente
Komento