Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, dënoi aktet e dhunës gjatë protestës së zhvilluar sot para godinës së Kuvendit.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Bido akuzoi aktivistët e Lëvizjes Bashkë për vendosjen e një koshi plehrash jashtë ambienteve të Kuvendit, ku ishin shkruar emrat e kryeministrit Edi Rama dhe vetë deputetit socialist Ardit Bido.

Bido tha se deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, nuk ka moral politik për të folur për hallet e qytetarëve, pasi sipas tij, ai babai i tij ka ndërtuar brenda oborrit të një shkolle, me leje të dhënë nga e ëma e tij, kur punonte në Këshillin e Rrethit.

“Teksa ne po diskutojmë për rezoluta, kemi qenë sot dëshmitarë të një tentative për të delegjitimuar institucionet. Jashtë u vendos një kosh plehrash dhe aktivistët e Lëvizjes Bashkë vendosën që të vendosnin 2 emra, Rama dhe Bido te koshi i plehrave. Dhe kjo është përgjigja që Red Muçi, i cili si një brejtës, që duke na folur për brejtësat sot ka ikur nga salla, i jep akuzave që janë të mirëqena. I fola përballë, qëndroi gëk mëk, nuk u përgjigj. Nuk fola me detaje, sepse doja të flisja për dyfytyrësinë. Fola për shkollën Koto Hoxhi dhe thashë që ai është një ndërtim me leje.

Nuk e thashë që leja është dhënë nga Këshilli i Rrethit ku punonte mamaja e Redi Muçit për babain e Redi Muçit, që ndërtonte në oborr të shkollës. Fola për dyfytyrësinë dhe për mungesën e moralit politik që një politikan që tenton të shkaktojë dhunë siç marksizmi i tij na mëson, ka 2-fytyrësinë e plotë dhe flet për arsimin në çastin që është zaptuar oborri i një shkolle, me leje të dhënë nga Këshilli i Rrethit ku punonte mamaja e vetë për babain e vetë. Ndaj i bëj thirrje si inxhinier që të shkojë e të aplikojë për shembjen e asaj godine. I garantoj që edhe unë do të loboj politikisht te instancat përgjegjëse, që ajo leje të miratohet sa më shpejtë brenda procedurave ligjore”, tha mes të tjerash Bido.

Po ashtu, Bido tha se nëse Muçi do të flasë në Kuvend për moral politik, duhet të ‘falë 3.3% të aksioneve që ka te Arameras’.

Bido tha gjithashtu se gjuha e aktivistëve të Lëvizjes Bashkë, por edhe e një pjese të protestuesve, është gjuhë e dhunës, e urrejtjes dhe denigrimeve.

Protestat që po zhvillohen gjatë kësaj periudhe në Tiranë, Bido i krahasoi me një periudhë të errët të Kombit shqiptar, kohën e luftës së klasave.

“I thashë për Aramerasin, ku ka 3.3 %, që t’i fali ato aksione nëse do të vijë dhe të flasë për moral politik këtu, por morali i tyre politik është vetëm gjuha e urrejtjes, gjuha e dhunës dhe këto denigrimet që bëjnë. Por e vetmja gjë që ata dijnë është që të fyejnë sepse nuk kanë argument. Dyfytyrësia e pafytyrshme e një klase që pretendon se është e re politike, por që në fakt na kujton ditët më të errëta të Kombit tonë, në kohën kur Kombi jonë gjendej në kohën e luftës së klasave. Nuk kanë punuar as edhe një ditë dhe vijnë këtu e bëjnë moral, duke na folur për popullin. Rastis që njoh shumë deputetë nga të dy anët e sallës këtu. Këta njerëz nuk kanë kontribuar me asnjë përveç gjuhës së dhunës dhe urrejtjes. Unë refuzoj të marr këshilla morale nga njerëzit që nuk kanë moralin më të vogël. Nga njerëz që mburren se kanë pasur lekë, sepse kanë qenë bijë oligarkësh”, shtoi Bido.


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për protestën, PD: Të ndalet dhuna ndaj protestuesve! PS: Linja terroriste e Iranit sulmoi policinë, Goxhaj të hetohet! Seanca ndërpritet për shkak të aksidentit tragjik