Një grusht protestuesish po vijojnë protestën në bulevardin Dëshmorët e Kombit, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Një pjesë e tyre të maskuar, kanë përmbysur sërish 6 stolat prej guri të vendosur nga kryeministri Edi Rama për dialog, duke i përdorur ata për bllokimin e rrugës, si dhe kanë kryer akte dhune duke hedhur  gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë, që gjendeshin para godinës së Kryeministrisë.

Protestuesit kanë hedhur edhe një numër të vogël fishekzjarrësh, ndërkohë që bëjnë thirrje të vazhdueshme për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Edhe mëngjesin e sotëm, stolat prej guri që kryeministri Rama vendosi për dialog me protestuesit, u përmbysën nga një grup personash, që dukshëm ishin më të paktë në numër krahasuar me 9 ditët e para të tubimeve.

Protesta e sotme kundër qeverisë u zhvillua me një pjesëmarrje dukshëm më të ulët se në nëntë ditët e mëparshme. Pamjet me dron, të regjistruara në orën 14:20, tregojnë vetëm një grusht protestuesish në bulevardin kryesor të Tiranës, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijoi normalisht edhe gjatë marshimit.

Përpara se protesta të zhvendosej te Kryeministria, para Kuvendit pati edhe incidente. Disa protestues shkulën gardhin metalik të vendosur nga policia, ndërsa pranë Xhamisë së Namazgjasë një protestuese u përplas me një efektiv, të cilin e shtyu disa herë dhe më pas e goditi me shuplakë në fytyrë.

Për të mbajtur nën kontroll situatën, policia kishte vendosur dy kordone sigurie në rrugët që të çojnë drejt Kuvendit, një pranë Xhamisë së Namazgjasë dhe tjetrin mes ish-selisë së Partisë Demokratike dhe qendrës tregtare, në drejtim të Kalasë së Tiranës. Në terren ishin angazhuar edhe forcat “Shqiponja” dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Protestës iu bashkuan edhe disa dhjetëra pedagogë dhe protestues të lidhur me opozitën, të cilët ishin mbledhur fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës. Kordoni i policisë pranë Namazgjasë i pengoi të kalonin drejt Kuvendit, ndaj ata ndoqën një rrugë tjetër, përmes bulevardit dhe Bashkisë së Tiranës, për t'u bashkuar me protestuesit e tjerë.

Thirrjet “Poshtë diktatura” u dëgjuan herë pas here gjatë tubimit, ndërsa një pankartë kundër ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog mbante mbishkrimin “Ai nuk pranon dialogun, ai bën vetëm monolog”.

Kërkesa për dorëheqjen e Ramës u përsërit edhe nga një përfaqësuese e grupit të pedagogëve gjatë tubimit para Politeknikut. Ata kërkuan gjithashtu krijimin e një qeverie kujdestare që të përgatisë zgjedhje të lira.

Në protestë ishte i pranishëm edhe ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili kundërshtoi dialogun me kryeministrin dhe i bëri thirrje Presidentit të Republikës të shpërndajë Parlamentin.

Pas përfundimit të seancës plenare, policia hoqi perimetrin e sigurisë rreth Kuvendit. Protestuesit qëndruan edhe për pak kohë aty, përpara se protesta të zhvendosej drejt Kryeministrisë.

Lajm në përditësim

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:58
Protestuesit rikthehen para Kryeministrisë, të rinjtë me maska zhvendosin stolat e gurtë dhe krijojnë bllokadë përballë autobotit të ujit

Është ora 19:00 dhe me dhjetëra protestues janë rikthyer në bulevardin përballë Kryeministrisë për të vazhduar protestën kundër qeverisë.

Një grup syresh, të veshur me të zeza, me maska, shtyjnë stolat e gurtë të dialogut duke krijuar një bllokadë kundër autobotit të ujit të parkuar aty pranë, si për të sinjalizuar që po përgatiten për sulm

Ora 14:39
Pamje me dron/ Protesta kundër qeverisë, pjesëmarrësit të paktë në numër

 

Pamjet me dron të orës 14:20 tregojnë përmasat reale të protestës së sotme kundër qeverisë. Në Bulevard janë mbledhur një grusht me njerëz, një pjesëmarrje ndjeshëm më e ulët në krahasim me 9 ditët e tjera.

Ora 14:28
Një moment ndryshe nga protestat në Tiranë! Policët ndalojnë një qytetar në nevojë dhe i ofrojnë ndihmë (VIDEO)

 

Një gjest njerëzor nga efektivët e policisë gjatë protestave në Tiranë. Mes angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, disa policë janë ndalur për të ndihmuar një qytetar në nevojë, duke i dhënë bukë, para dhe cigare.

Momenti është fiksuar në video dhe tregon një tjetër anë të punës së efektivëve, të cilët, përveç detyrës për të garantuar sigurinë gjatë protestave, kanë gjetur kohë edhe për të ndihmuar një person në nevojë.

Ora 13:37
Protestuesit mbërrijnë para Kryeministrisë, përmbysin stolat e vendosur për dialog! Thirrje për dorëheqjen e Ramës (VIDEO)

 

Me të mbërritur përballë Kryeministrisë, grupi i protestuesve refuzuan sërish kërkesën për dialog të kryeministrit Rama, duke hequr stolat prej guri që u vendosën sot para kryeministrisë me thirrjen për dialog me protestuesit.

Stolat e vendosur në trotuar u përmbysën dhe u shtynë në rrugë ndërkohë që protestuesit përsëritën thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit. 

 

Ora 13:26
Protestuesit largohen nga Kuvendi dhe marshojnë drejt Kryeministrisë! Pjesëmarrje e ulët, qarkullimi në bulevard vijon normalisht (VIDEO)

 

Grupi i protestuesve që u mblodhën para Kuvendit është zhvendosur në bulevardin kryesor të kryeqytetit ku po marshojnë drejt kryeministrisë. 

Pjesëmarrja është e ulët, ndërkohë që për momentin qarkullimi i automjeteve në bulevard vazhdon normalisht 

 

Ora 13:00
Protesta para Kuvendit, situata e qetë në orën 13:00! Policia në gatishmëri, pak protestues në rrugë (VIDEO)

 

Një orë pas mesditës, gjendja në rrugën përballë Kuvendit është e qetë. Aty janë mbledhur një grusht protestuesish, gazetarë, kameramanë dhe forca rendi, ndërkohë që ka edhe kalimtarë të shumtë. Forcat e rendit janë pozicionuar përballë Kuvendit për të penguar afrimin e protestuesve.  

Ora 12:44
Përfundon seanca plenare, policia heq perimetrin e sigurisë pranë Kuvendit! Protestuesit vijojnë marshimin drejt rrugës kryesore (VIDEO)

 

Protestuesit po vijojnë marshimin e tyre drejt rrugës kryesore pranë godinës së Kuvendit. Perimetri i sigurisë është hequr nga ana e efektivëve pas përfundimit të seancës plenare ndërkohë që pritet të shihet drejtimi që do të marrin protestuesit pas shpërndarjes së deputetëve.

Ora 11:38
Protestuesit i përgjigjen me pankartë ftesës së Ramës për dialog: Ai bën vetëm monolog (VIDEO)

 

Përmes një pankarte, protestuesit thonë se pavarësisht ftesës për dialog, kryeministri Rama pranon vetëm monolog.

“Edi Rama kërkon dialog? Dialog është vetëm një fjalë për të tjerët. Në realitet, Edi Rama nuk pranon dialogun, ai bën vetëm monolog!”, thuhet në pankartë.

Ora 11:37
Protestuesit grumbullohen pranë Kuvendit, thirrje kundër qeverisë! (VIDEO)

 

Një grup protestuesish janë mbledhur në rrugën “George W. Bush”, pranë Kuvendit. Herë pas here dëgjohen thirrjet “Poshtë diktatura”, ndërsa atmosfera për momentin mbetet e qetë.

Ora 11:31
Degradon debati i protestueses me policin, e godet me shuplakë në fytyrë (VIDEO)

 

Një protestuese me shami dhe maskë kirurgjikale në fytyrë, është përplasur me një prej policëve përballë Xhamisë së Namazgjasë. Ajo e shtyn disa herë dhe më pas e godet me shuplakë.