Një grup protestuesish mes të cilëve edhe pedagogë janë mbledhur këtë të enjte përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, në vijim të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në pankartat që mbajnë në duar shkruhet: “Studentët nuk janë vetëm”, “Jemi me studentët” dhe “Mos prekni studentët”. 

Një ditë më parë pedagogët  bojkotimin e mësimdhënies në universitetet publike, deri në një njoftim të dytë.

Pas grumbullimit të sotëm ata artikuluan sërish kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e nje qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira, dhe u nisën drejt Kuvendit ku janë mbledhur protestues të tjerë. 

Lajm në përditësim

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Protestuesit grumbullohen pranë Kuvendit, thirrje kundër qeverisë!

Një grup i madh protestuesish janë mbledhur në rrugën “George W. Bush”, pranë Kuvendit. Herë pas here dëgjohen thirrjet “Poshtë diktatura”, ndërsa atmosfera për momentin mbetet e qetë.

Ora 11:31
Degradon debati i protestueses me policin, e godet me shuplakë në fytyrë (VIDEO)

 

Një protestuese me shami dhe maskë kirurgjikale në fytyrë, është përplasur me një prej policëve përballë Xhamisë së Namazgjasë. Ajo e shtyn disa herë dhe më pas e godet me shuplakë.

Ora 11:30
Protestuesit kërkojnë të shkojnë te Kuvendi, policia vendos kordon në rrugën pranë Xhamisë së Namazgjasë (VIDEO)

 

Policia ka krijuar nje kordon ne rrugen qe te çon drejt Kuvendit pranë Xhamisë së Namazgjasë nderkohe qe disa protestues, mes tyre edhe pedagogët që u mblodhën tek Politekniku kërkojnë të kalojnë që siç thonë ata të shkojnë në mbështetje të studentëve që janë mbledhur tek Kuvendi .

Ora 11:08
Protesta tek Politekniku, përfaqësuesja e grupit të pedagogëve: Rama të largohet, qytetarët të vendosin me votë (VIDEO)

 

Dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare që të përgatisë zgjedhje të lira kërkon një grup pedagogësh që po protestojnë këtë të enjte në Tiranë. Një përfaqësuese e tyre deklaroi se grupi mbështet kërkesat e studentëve dhe kuzoi qeverinë për kostot e arsimit dhe gjendjen e shëndetësisë, ndërsa kërkoi një zgjidhje politike dhe institucionale për situatën në vend.

“Ne jemi sot në këtë shesh në mbështetje të kauzës tuaj, duke e bërë atë auditorin më të madh të leksioneve mbi demokracinë për të mbrojtur të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe vendosur për qeverisjen e vendit. Ne si përfaqësues të 1700 pedagogëve që kanë firmosur deklaratën e Forumit të Dialogut Politik, jemi në mbështetje të kërkesave tuaja për një arsim cilësor, për të drejtën tuaj për të ardhmen e kombit, dorëheqjen e Edi Ramës i cili ju ka faturuar kostot më të larta arsimore në rajon, shëndetësi inekzistente dhe ju ka dhënë modelin më të keq të mundshëm si arsimohet punësohet dhe jetojnë të rinjtë në Shqipëri. Ndaj ne jemi këtu për të mbështetur kërkesat tuaja që kërkojnë një zgjidhje politike dhe institucionale për krizën që po kalon vendi. E përsërisim: dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare me mandat të qartë dhe garanci institucionale për të përgatitur zgjedhje të lira e të besueshme. Pas kësaj janë qytetarët ata që duhet të vendosin se kush do ta qeverisë Shqipërinë. Qeveria përpiqet ta delegjitimojë këtë protestë duke e paraqitur si protestë huliganësh. Jo! Kjo është një protestë qytetarësh që kërkojnë të kthejnë besimin te vota dhe mundësia reale për të ndryshuar qeverisjen përmes zgjedhjeve. Qeveria mbrohet duke iu referuar 84 mandateve por ky numër nuk i jep përgjigje dyshimeve serioze për mënyrën se si janë fituar ato.  Kur ngrihen akuza për deformim të garës, përdorim të burimeve shtetërore dhe parasë publike, ndërhyrjen e krimit në zgjedhje këto akuza nuk mund të hidhen poshtë duke numëruar mandate. Ndaj ne kërkojmë sot një sistem zgjedhor të garantuar me konkurencë të ndershme, votë të lirë, baraz dhe institucione të paanshme që qytetarët të ushtrojnë sovranitetin dhe zgjedhin përmes votës kush do t’i qeverisë” tha përfaqësuesja e grupit të pedagogëve .