Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, zhvilluan një protestë duke ngritur shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm, problem që sipas tyre vazhdon prej dekadash, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit.
Gjatë protestës, banorët pretenduan se investimi i realizuar për ujësjellësin nuk ka dhënë rezultat, ndërsa akuzuan institucionet vendore për mungesë kontrolli mbi punimet dhe cilësi të dobët të projektit. Sipas tyre, megjithëse janë shpenzuar qindra milionë lekë për këtë investim, fshati vijon të mbetet pa furnizim të rregullt me ujë.
“Këto rrugë kanë nga 10 tuba të shtrira që në kohën e Enver Hoxhës dhe ujë s’kemi pirë ne., Kështu na gënjejnë si këtë radhë. Ata vunë tuba pa hapur pusin, pompa u dogj” tha një prej tyre.
Protestuesit deklaruan se janë të gatshëm të financojnë vetë hapjen e puseve për të siguruar ujin, duke kërkuar që në këtë rast të mos paguajnë tarifën e furnizimit me ujë. Ata thanë se banorët detyrohen të mbushin ujë në një çezmë të vetme të fshatit, ku sipas tyre krijohen radhë që në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar edhe konflikte mes banorëve.
“Në çdo vend të Zvezdës të shposh ka ujë. Kjo protestë po bëhet për 20 milionë lekë që s’do të investojë Bashkia. Groposi 480 milionë lekë në dhe, u tall me lekët e fshatarëve dhe tani thonë s’ka ujë. Ne do t’i hapim puset me lekët tona dhe nuk duam që të vijnë të na masin sahatin e ujit” tha një qytetar.
Në fjalën e tyre, protestuesit shprehën pakënaqësi edhe për mungesën e investimeve të tjera në infrastrukturë, duke përmendur rrugët, kanalizimet dhe furnizimin me energji elektrike. Ata pretenduan se premtimet e dhëna ndër vite nga drejtuesit vendorë nuk janë mbajtur.
“Kjo lagje, kemi një cezme të rrjedhshme dhe në 3:30 të mëngjes gratë janë atje dhe rrihen dhe pastaj dalim ne burrat. Jemi zënë dhe rrahur , s’kemi muhabet me njëri tjetrin, përse? Për ujë. Kemi 35 vjet që paguajmë taksa. Unë paguaja 2700 Lek vajti 5500 Lek. Ku shkojnë këto taksat tona?” tha një prej tyre.
Gjatë protestës pati edhe deklarata me tone të forta politike ndaj drejtuesve të Bashkisë Maliq dhe qeverisë, ndërsa disa prej protestuesve paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje, javën e ardhshme do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar akset kryesore rrugore në zonë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm, duke theksuar se ky është shqetësimi më i madh për rreth 2,200 banorët e fshatit.
Komente










