SPAK në seancën paraprake më 28 tetor paraqiti prova të reja ndaj dosjes së Ilir Metës, lidhur me një letërporosi të ardhur nga SHBA me pagesa për çështjen e lobimit të LSI-së.

Provat e ardhura nga Amerika, për juristin Romeo Kara e mbyllin dosjen për pjesën e lobimit në SHBA. I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ai tha se lobimi në SHBA është bërë më para të padeklaruara.

‘Kjo provë e mbyll pjesën e dytë të akuzës që ka. Dhe del që lobimi është bërë më para të padeklaruara dhe korrupsioni që janë marrë nga një person që ka pasur përfitime direkte më para nga meta dhe gruaja e metës dhe influenca e metës. Provohet e gjithë lidhja. Pjesa e lobimit për mua është e mbyllur.

Këto punët e lobingjeve duhet që të ndalohen në Shqipëri, boll na erdhën me foto këta. Kontaktet janë bërë dhe këto ndryshime tregon se këta kanë ndikuar. Unë nuk shoh rrugë tjetër që këta persona të rrinë në paraburgim po bëjnë edhe libra. Kjo provo e mbyllë pjesën e lobimit dhe kur të deklarohet edhe mbyllja e hetimeve do të kemi edhe pjesën tjetër’, tha ai.

Edhe pse Meta pretendon se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij dhe se midis kompanisë GSIS dhe LSI-së ka patur një kontratë të detajuar, avokati Idajet Beqiri, tha se lobimi është bërë për të dhe Meta është bashkëpuntorë.

‘I thuhet mbrojtjes në seancë paraprake çfarë prova ke, dhe ata thonë kemi këto prova, fillon gjykata që ti analizojë kur po mbaron procesi nga fundi ngrihet prokurori dhe thotë kam një provë të re. Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë i ka dërguar një shkresë për organeve të drejtësisë në SHBA për ta pyetur për lobimin kush e ka firmosur kontratën dhe ata thonë lobimi është bërë që të takohet Meta me Trump kur u bë president dhe kjo provë më ka ardhur sot thotë prokurori dhe pastaj i kërkon gjykatës që ta marrë në konsideratë. Gjykata thotë justifikohet fakti që erdhi sot sepse erdhi nga Amerika dhe e merrë. Kur lobimi bëhet për atë dhe është ai drejtues i asaj force, është bashkëpuntor, pse duhet që të shkonte atje. Meta ai thotë e firmoi dikush tjetër. Ai duhet që të deklaronte ku i gjeti këto të ardhura’, tha ai.

Avokati Përparim Çaça, tha se SPAK vazhdon hetimet për Ilir Metën dhe se do depozitohen prova të reja.

‘Jemi në fillim të shqyrtimit gjyqësor dhe prokuroria thotë se ka pasur një provë të tillë më parë sepse është letërporosi që ka ardhur nga SHBA. Gjykata mund ta pranojë ose jo këtë provë. Pastaj fillohet dhe shkohet në seancë paraprake. Në rastin konkret është ngritur prokurori dhe ka thënë kemi një provë që është e rëndësishme sepse s’kanë pasur mundësi që ta paraqesin më para. Por gjykata akoma s’ka marrë një vendim. SPAK vazhdon hetimet për Ilir Metën’, tha ai.

Gazetari Kujtim Topuzi, tha se kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta e pret një gjyq i gjatë.

‘Ka qenë një letërporosi e ardhur nga SHBA, Meta dhe Kryemadhi e kanë cilësuar të paligjshme. Bëhet fjalë me sa është kuptuar, për një pagesë që është bërë për çështjen e lobimit në SHBA. Ka edhe pagesa të tjera të bëra nga Adrian Shatku, por ai s’është nën akuzë sot, sepse çdo vepër penale që mund të rëndojë ndaj tij është e parashkruar dhe ai s’është marrë as i pandehur. Po Ilir Metën e pret një gjyq i gjatë’, tha ai.