Një ditë pas seancës në Gjykatën e Posaçme, Ilir Meta ka publikuar në rrjetet e tij sociale kërkesën që thotë se i ka paraqitur zyrtarisht GJKKO-së për çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA.
Kreu i Partisë së Lirisë bën të ditur se i ka kërkuar gjykatës t'i drejtohet drejtpërdrejt Departamentit të Drejtësisë në SHBA, me qëllim marrjen e dokumenteve, të dhënave bankare dhe çdo prove që, sipas tij, do të zbardhte përfundimisht këtë episod.
“Dje në seancën e gjykimit në themel në GJKKO paraqita, përveç kërkesave të tjera, kërkesën e posaçme që GJKKO t’i dërgojë drejtpërdrejt letërporosi Departamentit të Drejtësisë në SHBA për të shteruar përfundimisht edhe historinë e lobimit LSI-GSIS, sipas marrëveshjes së 3 shkurtit 2016 të depozituar pranë autoriteteve përkatëse në SHBA dhe Shqipëri. Të gjitha këto pyetje të hartuara vetëm në bazë të ligjit dhe të përmbajtjes shumë precize të vetë kontratës, të cilat duhet të kishin marrë përgjigje prej kohësh nga hetimi 4-vjeçar i Prokurorisë, dëshmojnë vullnetin tim të palëkundur në zbardhjen totale të kësaj çështjeje. Po kështu, kam shprehur vullnetin tim të plotë që edhe prokurorët dhe padiskutim edhe vetë gjykata, të shtojnë pyetjet e tyre specifike për zbardhjen totale të kësaj çështjeje”, shprehet Meta.
Në postimin e tij ai përsërit se jo vetëm që nuk ka shkelur asnjë ligj dhe por ai dhe e vërteta janë një binom i pandarë
“Dua t’ju siguroj paraprakisht se Ilir Meta dhe e vërteta janë një binom i pandarë përpara qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Fatin e ‘Mother Jones’ për gjoja lobimin 1 milion dollarë për foton e pabërë me Presidentin Trump, do ta kenë të gjitha shpifjet monstruoze kundër Ilir Metës. Nuk ka as censurë dhe as bunker që fsheh të vërtetën. Ilir Meta kurrë nuk ka shkelur asnjë ligj shqiptar, amerikan apo ndërkombëtar”, shkruan ai.
Në dokumentin e publikuar, Meta kërkon që GJKKO t'i drejtohet Departamentit të Drejtësisë së SHBA për të marrë të gjithë dokumentacionin që lidhet me kërkesat shqiptare për ndihmë juridike, vendimet e gjykatave amerikane për konfidencialitetin e materialeve, si dhe çdo të dhënë bankare apo financiare që lidhet me kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS.
Ai kërkon gjithashtu që autoritetet amerikane të vënë në dispozicion kontratën origjinale në anglisht, çdo ndryshim të saj, aktet e përfaqësimit, faturat, autorizimet për pagesat mbi 1 mijë dollarë, produktet e punës së GSIS, çdo nënkontratë të lidhur në kuadër të marrëveshjes, si dhe dokumentacionin mbi mënyrën e përfundimit të kontratës. Sipas Metës, duhet të sqarohet edhe nëse GSIS ka pasur autorizim nga LSI për të ndarë informacion konfidencial apo për të lidhur marrëveshje të tjera në emër të partisë.
Një pjesë e kërkesës fokusohet edhe te pagesat që, sipas dosjes së SPAK, lidhen me Adrian Shatkun. Meta kërkon që, nëse GSIS pretendon se pagesat janë kryer prej tij në emër të LSI-së, të paraqiten kontratat, autorizimet, faturat bankare dhe dokumentacioni që provon se kush e ka autorizuar një veprim të tillë.
Në fund të kërkesës, Meta thotë se letërporosia duhet të dërgohet me procedurë urgjente, pasi, sipas tij, provat që ndodhen në SHBA lidhen drejtpërdrejt me lirinë e tij personale dhe me mbrojtjen në procesin gjyqësor.
“Kjo letërporosi për ndihmë juridike është e ngutshme dhe urgjente, sepse lidhet me lirinë time personale. Jam i paraburgosur prej 20 muajsh dhe padrejtësisht nuk jam njohur me aktet dhe provat që administrohen në SHBA. Këto prova kanë lidhje me faktet objekt akuze dhe provojnë pafajësinë time”, shkruan Meta, duke kërkuar që përgjigjja e Departamentit të Drejtësisë të SHBA të administrohet si provë në gjykim.
Ilir Meta ndodhet në burg prej datës 21 tetor 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut.
Ai po mbahet në paraburgim në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor lidhur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Çështja e tij vazhdon të jetë në shqyrtim nga Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO).
Postimi i plotë i Ilir Metës
Të dashur qytetarë,
Dje në seancën e gjykimit në themel në GJKKO paraqita përveç kërkesave të tjera, kërkesën e posaçme që GJKKO t’i dërgojë drejtpërdrejt letërporosi Departamentit të Drejtësisë në SHBA për të shteruar përfundimisht edhe historinë e lobimit LSI-GSIS, sipas marrëveshjes së 3 shkurtit 2016 të depozituar pranë autoriteteve përkatëse në SHBA dhe Shqipëri (bashkëlidhur).
Të gjitha këto pyetje të hartuara vetëm në bazë të ligjit dhe të përmbajtjes shumë preçize të vetë kontratës, të cilat duhet të kishin marrë përgjigje prej kohësh nga hetimi 4-vjeçar i Prokurorisë, dëshmojnë vullnetin tim të palëkundur në zbardhjen totale të kësaj çështjeje, e cila është iniciuar nga Edi Rama dhe Charles McGonigal gjithashtu.
Po kështu, kam shprehur vullnetin tim të plotë që edhe prokurorët dhe padiskutim edhe vetë gjykata, të shtojnë pyetjet e tyre specifike për zbardhjen totale të kësaj çështjeje.
Dua t’ju siguroj paraprakisht se Ilir Meta dhe e vërteta janë një binom i pandarë përpara qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë!
Fatin e “Mother Jones” për gjoja lobimin 1 milion dollarë për foton e pabërë me Presidentin Trump, do të kenë të gjitha shpifjet monstruoze kundër Ilir Metës!
Nuk ka as censurë dhe as bunker që fsheh të vërtetën. Ilir Meta kurrë nuk ka shkelur asnjë ligj shqiptar, amerikan apo ndërkombëtar.
Po të kishte bërë shkelje të tilla, edhe nën kërcënimet e McGonigalëve, sot për shembull Znj. Marsida Xhaferllari nuk do të ishte anëtare e Gjykatës Kushtetuese por do të ishte ajo që u betua te noterja te Lana.
Kërkesa për prova
E nderuar Gjykatë!
Sipas kërkesës/orientimit tuaj në seancën e datës 18/6/2026, ju parashtroj kërkesat e mia vijuese:
3). Në lidhje me korrespondencën e autoriteteve shqiptare të Drejtesisë, me Departamentin e Drejtësisë të SHBA (për ndihmë juridike lidhur me marrjen e informacioneve /akteve/të dhënave nga GSIS); Meqenëse më datë 23 qershor 2026 është plotësuar afati 2-vjeçar i kufizimit (të caktuar nga një gjykatë e SHBA) dhe referuar e-mail, datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA:
3.1). Kërkoj nga Gjykata të merret nga Ministria jonë e Drejtësisë, kërkesa “për ndihmë juridike”, që Prokuroria ka depozituar në këtë Ministri për këtë kërkesë të posaçme.
3.2). Kërkoj të merren në Ministrinë tonë të Drejtësisë kërkesat nr. 122/2022 dhe 3285/Prot./AH, që Ministria jonë e Drejtësisë i ka dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
3.3). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave dhe akteve bankare të çdo lloji, që kanë lidhje me ekzekutimin e çdo lloj marrëveshje që Partia “Lëvizja Socialiste për Integrim e Shqipërisë” (shkurtimisht pasqyrohet, në vijim partia “LSI”) ka krijuar, ndryshuar/modifikuar, me personin juridik privat “Global Security and Innovative Strategies, LLC” (shkurtimisht pasqyrohet në vijim “GSIS”).
3.4). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave/informacionit, përgjigjen e Grupit McKeon.
3.5). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA sa vijon:
i). Paraqitjen e vendimit gjyqësor datë 23/6/2024 të Gjykatës përkatëse të SHBA, që ka vendosur “…ekzekutimi i kërkesës të palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme për publikun për dy vjet…” (shih e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA).
ii). Paraqitjen e kërkesës të çdo lloj pale të interesuar “për konfidencialitet”, drejtuar po asaj gjykate në SHBA (e cila disponoi me vendimin e saj datë 23/6/2024).
iii). Parantezë Sipas e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA dhe sipas këtij vendimi gjyqësor parashikohej, që ekzekutimi i kërkesës të palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme vetëm për publikun; Por më dt. 15/7/2024 e vijim (që ka ardhur ky e-mail, në Ministrinë tonë të Drejtësisë), unë nuk isha “palë publike”, por isha person i dyshuar/person nën hetim/palë e interesuar. Prokurori nuk ka pretenduar se aktet e GSIS dhe të Grupit McKeon janë akte sekrete, si dhe nuk ka pretenduar ekzistencen e ndalimeve përkatëse, sipas nenit 511 të Kodit të Procedurës Penale.
Provohet deri tani se, Prokurori dhe Ministria jonë e Drejtësisë, nuk i kanë dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA sqarime shtesë, në lidhje me pozitën time procedurale penale më datë 15/7/2024 e vijim; nuk i kanë kërkuar sqarime Departamentit të Drejtësisë të SHBA nëse shprehja (në e-mail datë 15/7/2024) “të tjerëve”, a e përfshinte edhe pozitën time procedurale penale (si person nën hetim), për t’u kufizuar unë, me njohjen e akteve përkatëse? (Shih nenin 511 të Kodit të Procedurës Penale); Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cënuar lirinë time personale.
Pra në mungesë të këtij informacioni/faktesh/të dhënash/
provash nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA pretendoj se mungonte një bazë e plotë faktike, prej datës 15/7/2024 (që erdhi ky e-mail) e vijim për aplikimin ndaj meje, të masës të sigurimit personal (sipas nenit 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale).
Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cënuar të drejtën time të mbrojtjes efektive gjatë hetimit penal të kësaj çështjeje, ka cënuar parimin e kondradiktoritetit (lidhur me njohjen time, me të gjitha provat/materialet e çështjes, gjatë hetimit penal), sipas nenit 31/a,b të Kushtetutës dhe nenit 34/a, gërma “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Këto dispozita nuk pengojnë njohjen time me provat, por lejojnë njohjen time me materialet e çështjes hetimore.
Për rrjedhojë pretendoj se, prej datës 23/6/2026 nuk ka më pengesa per ekzekutimin, nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA të kërkesës të palës shqiptare për marrjen e ndihmës juridike lidhur me aktet/informacionin/provat përkatëse.
iv). Paraqitja e çdo vendimi tjetër gjyqësor nga gjykatat në SHBA që ka disponuar eventualisht, për ekzekutimin e letërporosisë, prej datës 15/7/2024 dhe në vijim.
v). Paraqitja nga GSIS e marrëveshjes (varianti anglisht) datë 03/02/2016 të lidhur prej GSIS (përfaqësuar nga Dennis Burke), me partinë LSI (përfaqësuar nga Petrit Vasili), përfshirë dhe modifikimet/ndryshimet e saj eventuale, me shkrim.
Nëse marrëveshja fillestare ka patur ndryshime/modifikime na njoftoni se kur janë kryer secili ndryshim/modifikim?
Cili përfaqësues i partisë LSI i ka miratuar ndryshimet/ modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre i ka miratuar ky përfaqësues i partisë LSI, ndryshimet/modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre e ka njoftuar GSIS, ky përfaqësues i partisë LSI për miratimin e ndryshimeve/modifikimeve eventuale?
Bashkëlidhur ju paraqes kopjen e kësaj marrëveshjeje, poseduar nga partia LSI dhe regjistruar (në organet kompetente) në SHBA dhe Shqipëri.
vi). Paraqitja nga GSIS e çdo lloj akti përfaqësimi të partisë LSI për krijimin, ndryshimin/modifikimin apo shuarjes të marrëveshjes së tyre.
vii). Paraqitja nga GSIS e çdo lloj akti financiar, që ka lidhje me ekzekutimin monetar të marrëveshjes, lidhur midis tyre dhe partia LSI.
viii). Paraqitja nga GSIS të të gjitha miratimeve/ autorizimeve paraprake nga partia LSI, për çdo lloj shpenzimi të paguar nga kjo parti në dobi të GSIS, mbi 1000 USD.
Paraqitjen e emrit të personit përgjegjës/ përfaqësuesit, që ka miratuar çdo shpenzim financiar nga partia LSI, për t’u paguar në dobi të GSIS, pas çdo fature financiare të dërguar nga GSIS për partinë LSI, sipas marrëveshjes në fuqi.
ix). Paraqitja nga GSIS të informacionit, për çdo produkt të punës/veprimtarisë së tyre, në zbatim të marrëveshjes të lidhur me partinë LSI?
Nëse po, kujt ja ka dorëzuar këtë produkt (në partinë LSI), kur ja ka dorëzuar dhe në çfarë forme/mënyre ja ka dorëzuar?
A ka caktuar GSIS ndonjë nënkontraktor për zbatimin e marrëveshjes së tyre me partinë LSI? Nëse po, cili është nënkontraktori dhe cili përfaqësues i partisë LSI e ka dhënë pëlqimin?
Nëse GSIS e ka marrë paraprakisht pëlqimin/miratimin e partisë LSI për caktimin e këtij nënkontraktori? Nëse po, të paraqiten prej GSIS, të gjitha aktet e miratimit/pëlqimit/ autorizimit të partisë LSI për caktimin e tij.
Paraqitja nga GSIS të informacionit se çfarë veprimesh apo produkti ka kryer nënkontraktori eventual për zbatimin e marrëveshjes të lidhur midis GSIS dhe partia e LSI?
x). T’i kërkohet GSIS informacion se, kur i ka mbaruar efektet marrëveshja e tyre me partinë LSI? Ose kur e ka ndërprerë GSIS ekzekutimin e marrëveshjes së tyre fillestare dhe/ose të modifikuar/ndryshuar me partinë LSI?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e modifikimit/ndryshimit të marrëveshjes së tyre fillestare eventualisht?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e ndërprerjes/shuarjes përfundimisht të kontratës midis tyre dhe cila është dita e ndërprerjes së kontratës, nëse nuk ka patur asnjë ndryshim/modifikim nga marrëveshja fillestare e datës 03/2/2016.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim, që GSIS t’i japë akses një pale të tretë në informacionin konfidencial të marrëveshjes të lidhur midis GSIS dhe partisë LSI (përfshirë edhe informacionet për modifikimet/ndryshimet e saj)? Nëse po, ju lutem të na dërgoni këto pëlqime/ miratime/autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/ miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të nënshkruajë (në emër të partisë LSI) ndonjë marrëveshje/ kontratë tjetër angazhimi apo veprimtarie tjetër? Nëse po, na dërgoni këto pëlqime/miratime/ autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të kthejë dhe/ose të asgjësojë të gjithë informacionin konfidencial, të përfituar gjatë zbatimit të marrëveshjes (dhe modifikimet/ndryshimet e saj) lidhur midis tyre? Nëse po, cili përfaqësues e ka dhënë (dhe na dërgoni këto pëlqime/ miratime/autorizime)?
Nëse GSIS ka kryer asgjësime të të gjithë informacionit konfidencial, na njoftoni kur është asgjësuar prej tyre dhe çfarë informacioni është asgjësuar?
xi). T’i kërkohet GSIS informacion se, çfarë vlerash monetare janë paguar në dobi të GSIS, nga partia LSI?
Sa ka qenë vlera totale monetare e faturave bankare, që ka ekzekutuar/paguar partia LSI në dobi të GSIS, sipas marrëveshjes së tyre fillestare dhe sipas ndryshimeve/ modifikimeve të saj eventuale?
Për çfarë shërbimesh/produkti të kryer eventualisht prej GSIS, janë paguar nga partia LSI, secili shpenzim?
Cilit person (në partinë LSI) i janë dërguar/njoftuar nga GSIS secili shërbim dhe faturë e tyre, para se të kryhej pagesa nga partia LSI?
Cilët janë përfaqësuesit e partisë LSI që kanë autorizuar /miratuar pagimin e çdo lloj shpenzimi në dobi të GSIS?
A ka përdorur partia LSI ndonjë fond monetar të paligjshëm ose ndonjë pagesë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (në kundërshtim me ligjet e zbatueshme të SHBA), gjatë zbatimit të marrëveshjes të saj në fuqi, me GSIS?
Nëse po, cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/miratuar këtë pagesë? Nëse është konstatuar nga GSIS kjo parregullsi eventuale financiare, a është raportuar/denoncuar pranë autoriteteve të SHBA?
xii). Nëse pagesat e shërbimeve/produkteve (në dobi të GSIS) janë kryer (në emër të partisë LSI) nga shtetasi Adrian Shatku kërkoj të paraqitet kontrata në bazë të të cilës ai i ka kryer këto pagesa? Na njoftoni se cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/lejuar shtetasin Adrian Shatku të kryejë këto pagesa? (Njëkohësisht na dërgoni këto autorizime dhe faturat e pagesave bankare, të kryera eventualisht prej shtetasit Adrian Shatku, përfshirë edhe shërbimet e GSIS të kryera për interes të partisë LSI dhe të paguara nga Adrian Shatku).
3.6). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA është e ngutshme dhe urgjente, sepse lidhet me lirinë time personale (pra, jam i paraburgosur prej 20 muajsh) dhe padrejtësisht (duke cënuar të drejtat e mia të sipërcituara, gjatë hetimit penal dhe deri në këtë fazë proçedurale gjyqësore), nuk jam njohur me akte/fakte, që administrohen/ndodhen në SHBA.
Kjo letërporosi ka lidhje me faktet e rrethanat objekt akuze dhe provojnë pafajësinë time.
i). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA t’i dërgohet/niset direkt nga Gjykata që në këtë fazë dhe drejtpërdrejt Departamentit të Drejtësisë të SHBA, sipas nenit 509/4 të Kodit të Procedurës Penale dhe sipas ligjit nr. 10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” (shih nenet e tij 5/3, 6/2).
ii). Për këtë shkak kërkoj që Gjykata të caktojë përkthyes të licensuar dhe të regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë, për t’u paraqitur për betim, në një seancë të ndërmjetme dhe për të përkthyer në gjuhën e zbatuar në SHBA, kërkesat, pyetjet e mia, kërkesat dhe pyetjet eventuale të prokurorit dhe kërkesat e pyetjet eventuale të Gjykatës. Teksti i plotë i kërkesës t’i dërgohet Departamentit të Drejtësisë të SHBA duke patur parasysh/referencë përmbajtjen e e-mail datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
iii). Kërkoj që një kopje e kësaj letërporosie (që do t’i dërgohet nga Gjykata, Departamentit të Drejtësisë të SHBA) të më vihet edhe mua në dijeni.
iv). Pasi të paraqitet përgjigjja përkatëse prej Departamentit të Drejtësisë të SHBA kërkoj të administrohet si provë sipas radhës përkatëse procedurale
Komente







