Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Kur një aeroplan udhëtarësh me 67 njerëz në bord u rrëzua në tokë në bregdetin e Kazakistanit mëngjesin e 25 dhjetorit, mediat dhe autoritetet ruse vepruan shpejt për t’i theksuar shkaktarët e mundshëm: mjegulla e trashë, përplasja me zogj dhe shpërthimi i një boce oksigjeni në kabinë.

Megjithatë, provat gjithnjë e më të mëdha sugjerojnë se aeroplani i Azerbaijan Airlines, i cili po frutonte nga Bakuja drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit rus të Çeçenisë, mund të jetë goditur nga një raketë e një kundërajrori që po mbrohej ndaj gjoja një sulmi ukrainas me dronë në Çeçeni, para se ta kalonte Detin Kaspik dhe të rrëzohej afër Aktaut në Kazakistan, duke i lënë të vdekur 38 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.

Provat, shumica e të cilave nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Azerbjaxhan, Kazakistan apo Rusi, përfshijnë pamje nga brendësia e aeroplanit para rrëzimit të tij, fotografi që shfaqin vrima në bishtin e aeroplanit pas rrëzimit, komentet e një të mbijetuari, dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dronë në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.

Nëse konfirmohet se raketa tokë-ajër është shkaktari i rrëzimit, atëherë kjo do të ishte hera e dytë që një raketë ruse e rrëzon një aeroplan udhëtarësh që nga fillimi i luftës së Moskës në Ukrainë me pushtimin e Gadishullit të Krimesë dhe konfliktin në Donbas një dekadë më parë.

Një raketë ruse që ishte sjellë në territorin e kontrolluar nga forcat e mbështetura na Moska në Donjeck e rrëzoi aeroplanin MH17 të Malaysia Airlines më 17 korrik 2014, duke i vrarë të gjithë 298 udhëtarët dhe ekuipazhin.

Pas rrëzimit, Rusia lëshoi një breshëri pretendimesh të rrejshme dhe teorish të çuditshme për shkaktarin.

“I ekspozuar ndaj pengesave të GPS”

Avioni u nis nga Bakuja para agimit me 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë ekuipazhi. Fluturimi i shkurtër në veriperëndim drejt Groznit duket se kaloi pa incidente për gjysmë ore, por pastaj avioni “u përball me pengesa të mëdha në [sinjalet e Sistemit Global të Pozicionimit] GPS”, sipas Flightradar24, një faqe që gjurmon trafikun ajror në mbarë botën.

Kjo faqe tha se nga ai çast deri rreth 20 minuta para përplasjes në tokë, Flightradar24 herë pas here nuk arriti të marrë dhëna nga avioni dhe në raste të tjera mori të dhëna, por hollësitë mbi vendndodhjen e tij ishin të pasakta ose mungonin.

"Avioni u ekspozua ndaj bllokimit dhe mashtrimit të GPS pranë Groznit", tha Flightradar24.

Ndërkohë që këto masa vetë nuk ka gjasa ta kenë shkaktuar rrëzimin, ato janë shenjë se në tokë janë bërë përpjekje për t’u mbrojtur kundër ndonjë sulmi me dronë.

Një kanal opozitar çeçen në Telegram dhe Baza, një media ruse e lidhur me shërbimet e sigurisë, raportuan për një sulm me dronë në Grozni rreth kohës kur avioni ishte në atë zonë.

Baza gjithashtu raportoi se aeroporti i Groznit ndaloi pranimin e avionëve për shkak të sulmit të supozuar.

Hulumtuesit e burimeve të hapura konfirmuan sulmin me dron në Çeçeni përmes gjeolokacionit.

Një llogari në Instagram e udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurimit Çeçen, Khamzat Kadyrov – i cili është nip i udhëheqësit rajonal autokratik Ramzan Kadyrov – bëri një postim ku tha se një sulm me dronë u zmbraps suksesshëm.

Postimi përmbante edhe një video e asaj që, sipas llogarisë, ishte një dron duke u goditur dhe duke shpërthyer në zjarr. Ky postim u fshi më vonë.

Media shtetërore Grozny-Infrom, duke iu referuar postimit të njëjtë në Instagram, raportoi se Khamzat Kadyrov shkroi se “të gjithë [dronët] u rrëzuan”.

“Diçka shpërtheu”
Sipas një transkripte të shkëmbimeve përmes radios mes ekuipazhit të avionit me emergjencën në Grozni, e cila u publikua më 25 dhjetor nga kanali në Telegram VChK-OGPU, i cili është shpallur “agjent i huaj” nga Rusia, ekuipazhi raportoi se e kishte humbur kontrollin mbi avionin për shkak të një “sulmi zogjsh”.

Raportimi i VChK-OGPU dhe vërtetësia e transkriptes nuk ka qenë e mundur të verifikoheshin. Edhe vetë kanali hedh dyshime mbi mundësinë e përplasjes së zogjve me avionin, pasi tha më 26 dhjetor se dëmet e dukshme në bishtin e avionit pas rrëzimit të tij “tregojnë se një raketë e lëshuar nga një sistem mbrojtës ajror me gjasë shpërtheu pranë avionit”.

Një udhëtar i mbijetuar tha për kanalin shtetëror rus, RT, se avioni i bëri tri përpjekje për t’u ulur në Grozni dhe se në tentimin e tretë “diçka shpërtheu…. Nuk do të thosha se ishte brenda aeroplanit” dhe se një copëz i fluturoi mes këmbëve dhe ia shpoi jelekun e shpëtimit.

Pilotët e larguan avionin nga Grozni, ndërsa transkripti tregoi se ata e pyetën kullën e kontrollit për motin në Mineralnie Vodi dhe Makaçkala, dy qytete relativisht afër.

Por, avioni përfundimisht shkoi drejt lindjes dhe kaloi mbi Kaspik, para se të rrëzohej pranë Aktaut në orën 11:28 të mëngjesit, sipas kohës lokale, rreth një orë pas raportimeve të para se një sulm me dron në Grozni ishte zmbrapsur.

Një video e avionit duke rënë dhe më pas duke u përplasur në tokë tregon se ai ishte i paprekur dhe nuk ishte përfshirë nga zjarri derisa u rrëzua. Fotografitë pas rrëzimit të tij dhe pamjet e pjesës së bishtit të aeroplanit tregojnë vrima të shumta, grisje dhe gërvishtje që vëzhguesit thonë se duken si dëmtime nga copëzat e predhës.

Skajet e vrimave janë të kërrusura nga brenda, gjë që lë të kuptohet se shpërthimi ka ndodhur jashtë avionit, jo brenda kabinës.

Analisti ushtarak Yan Matveyev tha për Current Time se shpërthimi i një rakete ruse Pantsir S-1 në një distancë nga trupi i avionit mund t’i ketë shkaktuar këto dëme.

Përveç kësaj, pamjet nga brenda aeroplanit para rrëzimit tregojnë dëme të konsiderueshme.

Sipas The Wall Street Journal, firma e sigurisë së aviacionit me seli në Britaninë e Madhe, Osprey Flight Solutions, tha në një alarm për linjat ajrore se avioni "ka mundësi të jetë rrëzuar nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore ushtarake".

"Videoja e avionit të rrëzuar dhe rrethanave rreth mjedisit të sigurisë së hapësirës ajrore në Rusinë jugperëndimore tregojnë se ka mundësi që avioni të jetë goditur nga ndonjë formë zjarri kundërajror", citoi Journal shefin e inteligjencës nga Osprey, Matt Borie.

Avioni "u rrëzua nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore", shkroi Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës Kundër Dezinformimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, në një postim në X më 25 dhjetor.

Ai nuk dha prova përtej pamjeve, raportimeve në media dhe informacioneve nga burimet e hapur ekzistuese.

Ukraina ka kryer sulme të shumta me dronë ndaj objektivave ushtarake në Rusi që kur presidenti rus Vladimir Putin nisi e pushtimin e plotë në shkurt të vitit 2022. Sulmet me dronë në Çeçeni dhe pjesë të tjera të Kaukazit të Veriut janë shtuar muajt e fundit.

Autoritetet në Kazakistan, Rusi dhe Azerbajxhan kanë thënë se nuk do ta komentojnë shkakun e rrëzimit të avionit derisa të përfundojë hetimi dhe zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u bëri thirrje të tjerëve që të mos transmetojnë "hipoteza".

Në Çeçeni, Ramzan Kadyrov nuk ka thënë më shumë se shprehja e ngushëllimeve./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tekniku: 27/12/2024 09:26

    Aeroplani u perpoq te “ATEROJE” . Ca shkolle E ke mesuar kte fjale, ne c’faqe te fjalorit ship eshte?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave