Sallata e palestrave, hollet apo korridoret e shkollave dhe universiteteve do të jenë ambientet në të cilat maturantët do të zhvillojnë provimet e maturës. Kjo procedurë ashtu si edhe vitet e tjera kërkon të minimizojë mundësinë për kopjim. Në një intervistë për Report TV, specialistja e sektorit parauniversitar në ministrinë e arsimit, Shqiponja Lamçe shpjegon ndër të tjera se nuk do të ketë shtesa personeli për mbikëqyrjen e procesit të provimeve.
Në fakt vlen të theksoj që nuk është risi. Vit pas viti, atje ku ka qenë e mundur, provimet janë zhvilluar në palestra apo korridore. Mund të përmend këtu rastin e Elbasanit, para dy vitesh gjithë maturantë e kanë zhvilluar provimin në sallat e universitetit, Gjirokastër po ashtu dhe në qytete të tjera të mëdha. Doja të theksoja gjithashtu që provimet në salla të mëdha aplikohen në gjithë botën.
Shqiponja Lamçe, specialistja e sektorit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit
Nga ana tjetër, të gjithë ata maturantë të vitit 2017, të cilët kanë qenë mbetës në provimet e detyruara apo me zgjedhje do të zhvillojnë provimin së bashku me maturën e këtij viti.
Në qoftë se ata kanë mbetur në të dy provimet do të futen në të njëjtën ditë me të tjerët dhe në të njëjtin orar. Por, në qoftë se maturantët, nga dy provime me zgjedhje ka mbetur vetëm në njërin, atëherë nuk do të futet me orarin kur është një provim me zgjedhje, por do të futet në orarin e dytë kur i takon lëndës së tij.
Shqiponja Lamçe, specialistja e sektorit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit
Gjithsej në të gjithë Shqipërinë janë rreth 40 mijë maturantë, që do testohen në 4 provime të detyruara të maturës shtetërore. Gjuhë e huaj 4 qershor, Gjuhë shqipe dhe letërsi 8 qershor, Matematikë 13 qershor dhe Provimet me zgjedhje në 20 qershor