Të gjithë maturantët, të cilët për provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2016, kanë zgjedhur gjuhën e huaj Anglisht, këtë vit do t’i nënshtrohen provimit TOEFL Junior Standard Test, në nivelin B2 CEFR. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet Education Testing Service Global BV dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, testi i provimit me zgjedhje të gjuhës së huaj Anglisht, “TOEFL Junior Standard Test”, hartohet dhe vlerësohet nga ETS Global. Provimi i gjuhës së huaj Anglisht “TOEFL Junior Standard Test”, do të zhvillohet me datë 24 qershor 2016 dhe zgjat 1 orë 55 minuta. Provimi me zgjedhje i gjuhës angleze do të fillojë në orën 13.30 dhe do të përfundojë në orën 15.25.