Gjithçka është gati për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë që zhvillohet nesër për maturantët në të gjithë vendin. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se janë përmbyllur të gjitha përgatitjet, ndërsa ka nisur edhe shpërndarja e materialeve të provimit në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe Policinë e Shtetit.

Pas mbledhjes me 52 zyrat vendore të arsimit, drejtoritë rajonale dhe Komitetin e Organizimit të Maturës Shtetërore, Kumbaro tha se procesi i hartimit të tezës ka përfunduar dhe se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për zhvillimin e provimit.

Ministrja falënderoi grupin e hartimit të tezës, i cili ka punuar prej ditësh në kushte izolimi për përgatitjen e testit dhe kërkoi që edhe provimi i së martës të zhvillohet me të njëjtat standarde si ai i javës së kaluar, duke theksuar se respektimi i rregullores mbetet i panegociueshëm.

“Penalitetet do të jenë të rrepta”, paralajmëroi Kumbaro, duke kujtuar se dy maturantë u përjashtuan nga sezoni i provimeve pasi u kapën me telefon celular gjatë provimit të parë.

“Duhet që askush të mos e bëjë këtë eksperiment sepse pasojat do të jenë të rënda. Do të ketë pasoja jo vetëm për nxënësit, por edhe për administratorët”, u shpreh ministrja, ndërsa u uroi suksese të gjithë maturantëve.

Në përfundim, Kumbaro shprehu besimin se të gjithë maturantët janë të përgatitur për këtë etapë të rëndësishme dhe u uroi atyre suksese.