TIRANË - Agjencia Kombëtare e Provimeve bëri të ditur se rreth 50 për qind e të diplomuarve në infermieri kanë treguar nivelin më të ulët të formimit arsimor, krahasuar me degët e mjekësisë dhe stomatologjisë në provimin e shtetit. Pyetjet e këtij provimi, të bazuara në programet orientuese, sipas AKP-së ishin të nivelit mesatar. Provimet e shtetit rinisën me të diplomuarit në infermieri dhe këtë muaj do të vijohet me specialitetin e mësuesisë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës konfirmon se me këtë provim, që do të organizohet më 17- 24 dhjetor, do të testohen rreth 200 të diplomuar për mësuesi në vitin 2009, të cilët kanë kryer një vit praktikë profesionale. Ky provim ëshë konceptuar për 19 profile të kësaj dege dhe mësuesit e rinj do të testohen edhe per drejtshkrimin.

Vitin e ardhshëm, gjatë muajit janar 2013, në provimin e shtetit do të përfshihen edhe tre profile të tjera të fakultetit të infermierisë si : nënspecialiteti imazheri, logopedi dhe teknik laboratori.
Sipas rregullores, provimi i shtetit nuk mund të jepet më shumë se pesë herë. Pas provimit, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë, nëse ka kontestime për rezultatin. Për këtë, paraqet ankesën me shkrim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve.

(atsh/ad.ti shqiptarja.com)