Provokimi me listat e pahapura

Provokimi me listat e pahapura

Kryeministri Edi Rama

Edi Rama rihapi debatin mbi hapjen e pjesshme të listave, duke përdorur si arsyetim kuotat gjinore. Hapja e pjesshme e listave nënkupton që rreth 30 për qind e listës të jetë jokonkurruese, por e caktuar nga partia.

Pjesa tjetër që është e hapur, i përket 20 për qind të listës fituese. Pra më shumë se gjysma e fituesve i bie të përcaktohen sërisht nga partia.

Kjo natyrisht që nuk është më një formulë e listave të hapura, por keqpërdorim i fjalës listë e hapur.

Por Edi Rama nuk e bëri të sigurtë këtë. E tha vetëm si opsion, nëse nuk gjente dot “zgjidhje” për kuotat gjinore, për të cilat në fakt zgjidhja është e qartë. Pasi e hap plotësisht listën, dhe shikon kush ka marrë më shumë, 30 për qind e listës fituese, bëhet me gratë që kanë marrë më tepër dhe 70 për qind e listës fituese bëhet me burrat që kanë marrë më tepër.

Por me sa duket Edi Rama nuk e ka hallin tek gratë e shumicës, por tek provokimi i Lulzim Bashës. Ai kërkon të testojë nëse atij i intereson të ruajë pozitat në përcaktimin e grupit të ri parlamentar, pasi listat plotësisht të hapura, e fusin atë në telashe, për të siguruar vende për pesë aleatët që i ka si gjobë, në listat e PD, dhe për drejtuesit kryesorë të PD.

Dhe nuk është se nuk i ka funksionuar provokimi. Në rrethana normale, Lulzim Basha dhe PD duhet të kishin reaguar ashpër ndaj fjalimit të Ramës. Por ka reaguar vetëm Monika si “patriote” që do mbrojë detin, dhe askush tjetër për listat.

Në kushtet kur koalicionet detyrohen të garojnë me një listë të përbashkët dhe ajo praktikisht është në masën më të madhe e mbyllur për listën fituese, mos hapja e listave plotësisht zhduk gjithë aktorët e rinj politikë nga gara dhe lë partitë e vjetra, ku LSI pritet të dalë koalicion më vete, PD më vete dhe Edi Rama më vete.

Me këtë formulë Edi Rama dëmton vetëm opozitën e re që do të provojë të hyjë në zgjedhje, e cila duket se do të jetë me së paku tre parti deri tani. Nëse atyre u imponon mbylljen e listave deri në 30 për qind, praktikisht i ke kthyer tek sistemi i listave të mbyllura dhe i ke lënë jashtë Parlamentit.

Por deri atëhere gjërat mund të ndryshojnë. Më shumë se sa direktivë, Edi Rama sot e tha këtë si provokim ndaj Lulzim Bashës dhe Ilir Metës, për të testuar sa rehat ndihen ata me lista të pahapura plotësisht.

Duke qenë se socialistët do të hyjnë të vetëm në zgjedhje përballë dy koalicioneve opozitare, LSI e PD, mbyllja e derës për opozitën e re dhe pakësimi i shanseve për të, krijon idenë sikur Rama kërkon ta ndajë pushtetin me dy të parët, ose ta marrrë të gjithin vetëm.

Vetë kjo ide mund të prodhojë aq zemërim dhe politikë, sa t’ua prishë qetësinë të treve. Nuk ka gjë më të pamatur, se sa para zgjedhjeve, të dukesh se i trembesh alternativave të reja.

Edhe pse Rama duket se e ka taktikë për të provokuar debate me Bashën, kjo është e vetmja gjë që të tregon të vjetëruar në politikë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kuq: 08/09/2020 14:05

    Je gjigand, kristal, i paperlyer, i sakte, i drejte, veç aman o kaçurrels nje opinion mbi 500en e nuses dhe 900 e kollovarit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur