ELBASAN – Ka ndërruar jetë 24 vjeçarja,e cila më 8 prill të këtij viti, u përplas nga një makinë nën drejtimin e një shoferi që sipas policisë rezultoi i dehur, në aksin Prrenjas- Qafë Thanë.

E reja u përplas së bashku me 3 persona të tjerë,të cilët po qëndronin në këmbë para një servisi dhe po prisnin që makina e tyre të riparohej.

Report Tv mëson se e reja ndërroi jetë pas 5 ditësh në koma.

Blutë njoftojnë se Jetmir Daci, shoferi i cili humbi kontrollin e makinës dhe përplasi 4 persona, duke shkaktuar së fundmi dhe vdekjen e 24-vjeçares, është arrestuar ditën e sotme.

Përmes një komunikate zyrtare blutë njoftojnë se 44-vjeçari nga Dibra akuzohet për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur më datë 08.04.2024, në aksin rrugor "Prrenjas-Qafë Thanë”, ku si pasojë mbetën të dëmtuar 4-shtetas, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë ndaluar me iniciativë shtetasin J. D., 44 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor",-njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.