TIRANE - Partia Socialiste ka reaguar ditën e sotme në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Berisha se taksa e sheshtë rrënon qindra vende pune dhe largon investitorët. Në një konferencë për shtyp, sekretari për programin në PS, Ilir Beqja u shpreh se Berisha tentoi sërish të sulmonte taksimin e ndershëm, që është propozimi ynë në programin për një Rilindje Shqiptare”.

“Kryeministri Berisha tha se falë taksës së sheshtë kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kjo është gënjeshtër. Sot, si rezultat i taksës së sheshtë mësuesit dhe shtresa e mesme paguajnë taksa më të rënda se tetë vjet më parë, ndërkohë që paratë që mbeten nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Taksimi i ndershëm që ne propozojmë do të ulë taksat për 95% të familjeve shqiptare dhe do të bëjë të mundur që paga neto të jetë më e madhe se sa është sot. Sot, edhe si rezultat i taksës së sheshtë, borxhi publik vijon të rritet. Kur Saliu thotë se borxhi i rrezikshëm është niveli 95 % i GDP gënjen. Shqipëria ka raportin me të keq të borxhit publik me të ardhurat tatimore, pra të aftësisë për të gjeneruar të ardhura që të mund të shlyhet borxhi. Gënjen sepse do të fshehë dështimin në mbledhjen e të ardhurave në vitin 2012”, tha Beqja.

Më tej Beqja deklaron se berisha gënjen kur thotë se taksimi i sheshtë shton vendet e punës sepse në Shqipëri janë humbur 51 mijë vende pune.

“Berisha tha se taksimi i sheshtë shton vendet e punës. Gënjen. Vetëm gjatë katër viteve të fundit, si rezultat edhe i taksës së sheshtë, në Shqipëri janë humbur plot 51 mijë vende pune. Dhe kjo është një shifër e prezantuar nga vetë INSTAT-i i Kryeministrit. Berisha tha sot se taksa e sheshtë afron investitorët e huaj. Gënjeshtër. Nga Shqipëria po largohen investitorë seriozë. Para 1 viti Praktiker, para dy muajsh. Berisha tha se taksa e sheshtë lufton evazionin dhe korrupsionin. Sërish gënjen. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Bashkimi i Investitorëve Gjermane, Bashkimi i Dhomave Shqiptare të Tregtisë, por mbi të gjitha edhe raporti i Transparency International, denoncojnë korrupsionin në rritje, represionin dhe zhvatjen e administratës tatimore ndaj biznesit. Fakti është se sot Shqipëria gjendet më keq se kurrë e zhytur në korrupsion. Duket se Sali Berisha, në kohën kur Regan dhe Thatcer, si qeveritë më të djathta në Amerikë e Angli, zbatonin taksën progresive, ishte tejet i zënë me punët e tij si sekretar i Partisë së Punës, ndaj vijon të llomotisë për taksën e sheshtë”, përfundoi Beqja.

BERISHA: TAKSA E PS LARGON INVESTITORET
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha sulmoi kreun e PS-së, Ramën në lidhje me taksën progresive që kjo parti propozon. Berisha deklaron se kjo taksë rrënon qindra vende pune dhe largon investitorët nga vendi.

“Meqenëse jemi te taksat, më duhet t’i them këtij spekulatori që thotë se borxhin duhet ta masim si përqindje të GDP-së, që edhe roja e Partisë Socialiste qeshi kur e dëgjoi, se spekulimi nuk shërben. Në sistemin aktual të taksave, çdo njeri që merr më shumë, paguan më shumë. Ky është sistemi i taksave që ne kemi vendosur. Ai që merr 400 paguan 40. Ai që merr 2000 paguan 200. Natyrisht, po të jetë për të paguar më shumë, ky është sistemi i ndershëm që paguan më shumë. Po të jetë për të futur urrejtje se ti je i pasur dhe unë të shkatërroj, lexoni Koçon, taksën e Kolekës, e cila çdo javë atakohet në mënyrën më serioze nga grupet akademike të botës. Sipas studimeve, ajo është faktuar absolutisht si një taksë që rrënon qindra e mijëra vende pune, si një taksë që largon investitorët nga vendi, si një taksë që nxit në mënyrën më të fuqishme evazionin fiskal. Do të ngre agjencinë speciale, policinë speciale, thotë zotëria”, u shpreh Berisha.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)