FIER- Ndonëse opozita ka deklaruar gjatë gjithë kësaj kohe se Inceneratori i Fierit është fantazmë dhe me fondet për ndërtimin e tij është abuzuar, sot anëtarët e Komisionit Hetimor për këtë qëllim janë njohur nga afër me të gjitha ambientet e inceneratorit. Ata janë informuar se ndërtimi është në përfundim, është na fazën e kolaudimit dhe përfundon brenda 40 ditëve.

“Komisioni Hetimor ka për qëllim të kuptojë veprimtarinë që kanë zhvilluar institucionet e këtij vendi si rezultat i emergjencave që janë krijuar. Emergjencat në Elbasan apo tiranë kanë detyruar qeverinë të gjejnë një zgjidhje të ndryshme. Ne duam të dimë a kanë vepruar drejt, sipas drejtësisë institucionet. Sipas PD është shkelur ligjim ne erdhëm sot po shohim fierin, ja ku është vepra, vepra është e re. Cdo vepër e tillë projektohet dhe ndërtohet specifikisht për këto qëllim. Është në kolaudim e sipër dhe do të fillojë punë shpejt. Sot erdhëm për të prekur me dorë objektin, për të kuptuar se çfarë do bëjë objekti. Mund të ketë pasur vonesat e veta për shkak të pandemisë”, tha Pëllumbi.

“Na u tha që procesi i kualidimit përfundon brenda 35-40 ditëve”, thotë Felaj.

Drejtori i kantierit, Enid Dine tha se në Incenerator grumbullohen rreth 130 mijë tonë mbetje çdo ditë ndërsa theksoi se ende nuk ka nisur puna për përpunimin e tyre.

“Vijnë rreth 130 tonë mbetje urbane nga bashkia Lushnje, Fier dhe Patos. Pritet që në ditët në vijim të vijmë edhe nga Mallakstra", tha drejtori i kantierit.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë inspektuar të gjitha ambientet e brendshme të Inceneratorit, ndërsa deklaruan se nuk është funksional ndërkohë që pagesat për të vijojnë. Nënkryetarja e Komisionit Dhurata Çupi tha përpunimi i mbetjeve duhet të kishte nisur që në vitin 2019.

"Shteti funksionon me letra, ne e kemi ngrit komisionin hetimor bazuar në tre elementë, procedurat që janë ndjekur, abuzimi me buxhetin e shtetit dhe si është menaxhuar prona shtetërorë këtu dhe praktikat e shpronësimit. Shikohet qartë, këtu nuk përpunohet, kontrata është lidhur në 2016 në dhjetor dhe duhet të fillonte funksionimin në 2019", deklaroi Çupi.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, deputetët socialistë u shprehën se sot u vërtetua që inceneratori i Fierit nuk është një vepër fantazmë. Zv.kryetarja e Komisionit Ermonela Felaj theksoi se ky objekt po vijon të ndërtohet sipas kushteve të kontratës, pasi ajo nuk ka përfunduar ende.

“Këtu është një objekt që ekziston ndërkohë që është thënë që nuk ekziston. Është një objekt që vazhdon të realizohet sipas kushteve të kontratës sepse nuk ka përfunduar. Nga të dhënat që ne kemi administruar, situata në qarkun e fierit deri në vitin 2015 ishte problem se ishte fusha e mbetjeve që tashmë është rehabilituar plotësisht. Në kërkuam të shikonim vendin ku u ndërtuar impianti, konkluzione të tjera do keni raste të na ndiqni në Komisione. Nuk erdhëm për të bërë komente që mund të identifikohet si qëndrim i palëve, erdhëm për të parë këtë vend”, tha Felaj.

Për të inspektuar Inceneratorin e Fierit nga radhët e demokratëve ishin të pranishëm Dhurata Çupi dhe Lefter Gështenja, ndërsa nga radhët e socialistëve ishin Ermonela Felaj, Antoneta Dhima, Arben Pëllumbi e Eduard Shalsi.

Pas shumë përplasjeve mes opozitës dhe maxhorancës të cilët nuk binin dakord për afatin e punimeve të Komisionit Hetimor për Inceneratorët, më 8 shkurt u miratua plani i hetimit dhe do të zgjasë deri më 25 shkurt.

Pas inspektimit në inceneratorit të Fierit, Komisioni Hetimor nesër do të vizitojë Inceneratorin e Elbasanit dhe më 11 shkurt atë të Tiranës. Ndërkohë nga datat 21 shkurt deri më 23 shkurt do të thirren dëshmitarët për të dëshmuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Deputetja e PD inspekton Inceneratorin e Fierit: 28 mln euro nga buxheti i shtetit, objekti nuk është funksional

Deputetët e Partisë Demokratike inspektuan Inceneratorin e Fierit si pjesë e punës së Komisionit Hetimor për të mbledhur provat. Sipas Dhurata Çupit Inceneratori i Fierit nuk është funksional, por ndërkohë janë harxhuar 28 mln euro nga buxheti i shtetit.

"Shteti funksionon me letra, ne e kemi ngrit komisionin hetimor bazuar në tre elementë, procedurat që janë ndjekur, abuzimi me buxhetin e shtetit dhe si është menaxhuar prona shtetërorë këtu dhe praktikat e shpronësimit. Shikohet qartë, këtu nuk përpunohet, kontrata është lidhur në 2016 në dhjetor dhe duhet të fillonte funksionimin në 2019", deklaroi Çupi.

Ora 15:58
Do inspektojnë në terren, përfaqësuesit e Komisionit Hetimor mbërrijnë në Inceneratorin e Fierit

1644332361_Screenshot2.jpg

Përfaqësuesit e Komisionit Hetimor për Inceneratorët kanë nisur punën nga terreni dhe kanë mbërritur në Inceneratorin e Fierit për të inspektuar. Nga opozita për të inspektuar është caktuar nënkryetarja e komisionit Dhurata Çupi dhe anëtari Lefter Gështja.