TIRANE, 28 Dhjetor/ATSH/-Partia Socialiste deklaroi sot se çmimi mesatar i energjisë ulet, nuk rritet, duke reaguar ndaj qëndrimit të selisë blu lidhur me çmimin e energjisë.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha se çmimi i energjisë ka qenë 7.7 lekë vetëm për fashën 300KW, e cila u vendos medemek për të mbrojtur të varfrit.
"E çfarë ndodhi? U futën pas fashës edhe vjedhësit e energjisë dhe fasha mbrojtëse e të varfërve u kthye në mburojën e hajdutërisë. Duke e hequr fashën, çmimi bëhet i njëjtë për të gjithë konsumatorët.  Dhe ata që në fakt duhen mbrojtur, tashmë qeveria i mbron me pagese të drejtpërdrejtë në pagën e pensionit, të invalidit apo të familjes në ndihmë ekonomike.Të tjerët do të paguajnë çmimin mesatar, i cili në janar bëhet 9.5 lekë për të gjithë konsumatorët familjarë nga 9.9 deri 10.3 që varion sot", saktësoi deputeti Bushati.
Ai nënvizoi se heqja e fashës dhe vendosja e çmimit mesatar fiks i jep fund vjedhjes masive dhe vendos një sistem të drejtë ku askush nuk mund të shmanget në kurriz të më të varfërve siç ka ndodhur deri sot.
"Kush nuk është pensionist kryefamiljar, invalid apo anëtar i një familjeje me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajë më shumë, por vetëm aq sa i takon në bazë të konsumit që bën.Të tjerat janë spekulime të turpshme ose thjesht hesape të gabuara, për interesa të ulëta politike, për faj të 'hesapxhinjve"  të mësuar keq duke e shpenzuar energjinë si mall pa zot", përfundoi deklaratën deputeti Bushati./a.g/