Kandidatja e opozitës për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Grida Duma, reagoi sot pas akuzave të Partisë Socialiste, sipas së cilës, emri i Dumës është në listën e kandidatëve të inkriminuar të PD-së. Duma e quajti sajesë këtë akuzë dhe sipas saj, kjo gjë buron nga paniku i humbjes së afërme.
"Kryeministri nxori një 'sharës me pagesë' dhe publikoi një listë me akademikë që garojnë nën siglën e Partisë Demokratike. Nga një mazhorancë që e ka ngritur krimin në Akademi mund ta presësh këtë. Lista, ku bënte pjesë edhe emri im, është një sajesë e trashë që buron nga paniku i humbjes së afërme", theksoi Duma.
Kandidatja e PD-së, tha së kjo listë, ku bën pjesë edhe emri i saj, është një kamerdare e shpuar turpi që hidhet për të shpëtuar kreun aktual të Bashkisë së Durrësit nga fundosja.
"E shoh si kamerdare të shpuar turpi, që i hidhet që nga Tirana të Turpëruarit të Vogël këtu në Durrës. Nuk e shpëton dot nga fundosja. Kam kuptuar një gjë këto ditë me qytetarët e Durrësit e rrethinave: Durrsakët i kanë pritur me padurim këto zgjedhje për të larguar Vangjush Dakon. Akuzat që lexohen në Tiranë janë tregues se atje e kuptojnë se ç'i pret në Durrës. Për këtë alarmohen dhe shpifin. Të hidhen përpjetë sa të duan: I pret një disfatë e thellë dhe e sigurt", përfundoi Duma.
Dje në mbledhjen e komisionit për dekriminalizimin, deputeti socialist Taulant Balla publikoi një listë me 7 emra, kandidatë të PD-së për zgjedhjet lokale që sipas PS-së janë të inkriminuar. Mes këtyre emrave figuronte edhe ai i Grida Dumës. /atsh/