Celibashi sërish thirrje Kuvendit: Ndryshoni kodin zgjedhor për kthimin e votës së diasporës! PD pro, ‘joshet’ me numëruesit në KQZ

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon ndihmën e Parlamentit për të lehtësuar kushtet për votën e diasporës. Ilirjan Celibashi u rikujtoi sërish partive se duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor në mënyrë që KQZ të paguajë postën e votës së diasporës edhe në ikje, edhe në kthim.

“Nuk e di ca janë duke diskutuar, por di që ka nevojë për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Është çështje e tyre nëse do i akomodojnë kërkesat tona, ato që ne mendojmë se duhen ndryshuar janë të karakterit teknik, sjellin një soliditet të administrimit dhe përgatitjet teknike të procesit. Psh, kostoja e pagesës për shërbimin postar, çështja e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore edhe pse për këtë nuk është se kemi gjykim final.

Shpresojmë që të kemi një kuptueshmëri të njëjtë nëse do duhet të bëjmë ndryshime, ka edhe të tjera që lidhen me administrimin e votimit nga jashtë, numërimin e fletëve të votimit. Mund të shikohet mundësia e ndërhyrjes në Kod për t’iu përgjigjur më mirë interesit të ligjshëm të çdo kahu politik për këtë proces sepse është e rëndësishme që ky proces të gëzojë besimin e të gjitha palëve”, tha Celibashi.

Gjithashtu një afrim me 10 ditë i afateve për regjistrimin e kandidatëve, do të ndihmonte KQZ-në për të prodhuar më shpejt fletën e votimit e për të fituar kohë për ta dërguar në diasporë.

Kalimi i këtyre ndryshimeve kërkon edhe votat e opozitës, që siç ka raportuar më herët Report TV, mund të joshet duke i plotësuar edhe asaj një kërkesë: që edhe votat me postë të emigrantëve të numërohen nga partitë dhe jo nga KQZ.

PS dhe PD janë në bisedime për të arritur një marrëveshje, që në çdo rast do të ndihmonte KQZ-në për votën e diasporës. Kuvendi i rikthen punimet në 20 janar, kur pritet dhe shqyrtimi i kësaj çështjeje.

Nëse këtu pritet konsensus, ai ka dështuar për votimin elektronik, i cili, pas kundërshtive të PD-së, nuk do të bëhet në qarkun Tiranë, por do të testohet në rreth 400 qendra votimi të shpërndara.

“PD nuk e ka mbështetur zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë. Vlerësoj që do duhet ta konsiderojmë këtë shqetësim të tyre, pavarësisht se sa i përligjur është. Nga ana tjetër KQZ ka detyrim ligjor që ta implemetojë të paktën si pilot votimin elektronik”, vijoi Celibashi.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?