Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar selive diplomatike në vend dhe institucioneve ndërkombëtare për shkeljen e konsensusit në realizimin e reformës territoriale nga ana e PS. Në letrën që mban datën 27 Korrik 2026, Bardhi sqaron se qasja e PS bie në kundërshtim me standardet ndërkombëtare në këtë fushë, me kërkesat e institucioneve evropiane, me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe me detyrimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ashtu si në vitin 2014, ekziston rreziku që rishikimi i kufijve administrativë të përdoret për të realizuar një rikonfigurim territorial me ndikim elektoral, duke ndikuar rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme për kryetarët e bashkive, këshillat bashkiakë dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe zgjedhjet parlamentare. Ndryshimi i kufijve të bashkive dhe qarqeve pa marrëveshje politike, pa konsensus dhe pa një proces gjithëpërfshirës e transparent krijon në mënyrë të pashmangshme pasoja elektorale dhe avantazhe për shumicën në pushtet. Për këtë arsye, një reformë e tillë nuk mund të konsiderohet e qëndrueshme dhe as e pranueshme nga të gjitha palët politike.” – shkruan Bardhi.
Në letrën e dërguar të hënën Bardhi kërkon që parnerët të ndërhyrjnë në këtë proces. “Në mbrojtje të këtyre parimeve dhe në vijim të mbështetjes së vazhdueshme që institucionet Tuaja i kanë dhënë forcimit të demokracisë në Shqipëri, do ta vlerësonim çdo ndërhyrje apo apel publik drejtuar autoriteteve shqiptare dhe shumicës parlamentare për të rishqyrtuar këtë vendim, për të rivendosur mandatin e Komisionit të Posaçëm deri në tetor 2026 dhe për të garantuar përfundimin e Reformës Territoriale përmes një procesi plotësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe të bazuar në konsensus. Cdo produkt i Komisionit, përpara se të miratohet nga seanca plenare e Kuvendit, duhet të jetë i certifikuar nga Komisioni i Venecias ose Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, si dy organizmat më të specifilizuara në këtë fushë.” – thuhet në letrën e kreut të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.
Grupi Parlamentar i PD ka hartuar edhe një Raport të detajuar mbi sjelljen e mazhorancës në këtë proces, duke argumentuar se po shkelen parimet europiane për një reformë administrativo-territoriale.

Për të lexuar dokumentin e plotë kliko këtu
Komente










Në të vërtetë reforma territoriale duhet bërë me konsensus të gjerë por kur ke një opozitë shpellarësh që për çdo gjë voton kundra ka dy rrugë e para të qëndroi ajo që është dhe e dyta me referendum....
Përgjigju