Ndërkaq debati i nxehtë në politikën shqiptare mbi këtë cështje i ka kaluar kufinjtë e Shqipërisë, duke u kthyer në një temë të rëndësishme dhe në trevat e tjera shqiptare. Mediat maqedonase shkruajnë madje se kanë zbuluar emrin e pasardhësit të presidentit Bamir Topi. Sipas ‘Zhurnal.mk’ presidenti i ri i vendit do të jetë Pandeli Majko. Sipas kësaj agjensie lajmesh ai ka marrë mbështetjen e të gjithë partive politike, edhe pse është deputet i partisë socialiste.
Pandeli Majko, ka ushtruar detyrën e kryeministrit të Shqipërisë në vitet e luftës së Kosovës ku luajti rol kyç në suksesin e ndihmës ndaj Kosovës. Ai gjithashtu njihet edhe si një vlerësues dhe njohës i madh i politikës në rajon dhe në botë dhe konsiderohet si zgjidhja më e mirë për Shqipërinë- shkruan ‘zhurnal.mk’.
Gjithsesi emri që do të propozojë PS si kandidat për kreun e shtetit pritet të zbardhet në takimin Berisha-Rama, takim i konfirmuar nga të dy kampet politike. Takimi do të zhvillohet ditën e djelë në orën 20 30 në kryesinë e Kuvendit.
RAMA "SMS" DEPUTETEVE: SILLNI EMRIN E KANDIDATIT
Deputetët socialistë kanë marrë pa përjashtim ditën e djeshme nga një "SMS" (ne foto) në emër të kryetarit socialist Edi Rama. Jo në mënyrë direkte nga kryetari socialist Edi Rama, por mesazhi përmes celularit, i njejtë për të gjithë deputetët, ka mbërritur në celularët e ligjvënësve socialistë i dërguar nga kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit, që janë përfaqësues të PS.
"Të nderuar kolegë, me porosi të kryetarit do t'iu lutesha që deri nesër në mesditë (sot) të mendoni një ose disa kandidatura për president. Mund të kontaktoni me mua apo direkt me kryetarin për emrin konfidencial.Flm". Ka qënë mesazhi i dërguar për secilin deputet, të ndarë sipas komisioneve në Kuvend. Mesazhi ka ardhur pas një takimi të shkurtër ditën e djeshme të kreut të PS Rama me drejtuesit e komisioneve parlamentare, përfaqësues socialistë.
Mesazhi ka qënë i qartë, deri sot në mesditë secili deputet socialist duhet të kishte menduar një emër që mendonte se mund të jetë në garë për postin e presidentit të ri dhe që mund të fitojë mbështetjen e palës tjetër, asaj të mazhorancës për të qënë një president konsensual që do zgjidhte njëherësh dhe krizën politike në Shqipëri, që tashmë po troket në prag.
Pjesa më e madhe e deputetëve të pyetur dje nga ana e gazetës "Shqiptarja.com" kane konfirmuar se u ka ardhur një mesazh i tillë dhe se ishin duke menduar për emrin e një kandidati që do ti dërgonin Ramës deri sot në mesditë. Ndërkohë që ata kane pohuar jashtë deklarimit me emër se janë vendosur në një pozitë shumë të sikletshme, pasi është një praktikë që s'ka ndodhur më parë e se e kanë të vështirë t'i vënë gishtin një kandidati që të plotësojë të gjitha kriteret por që dhe të mendohet se është i pranueshëm nga pala tjetër.
Gazeta shkruan se një pjesë e tyre mund të propozojnë kandidatë politikë, dhe në këtë listë pritet të mos jetë surprizë emri i Fatos Nanos ish-liderit socialist që ka vetëshpallur kandidaturën për postin e Presidentit të ri të Republikës dhe që ka realizuar një sërë takimesh me kreun socialist Rama, kreun e qeverisë Berisha dhe të gjithë krerët e partive parlamentare në vend. Por mund të jetë dhe emri i ish-kryeministrit Pandeli Majko si një ndër figurat më potente në PS, një ish-kryeministër i suksesshëm, i cili sipas vlerësimit të disa deputetëve mund të jetë një president i gjithë shqiptarëve, për shkak të rolit që ka luajtur kur ishte kryeministër në luftën e Kosovës e ku shqiptarët e atjeshëm e shohin atë si njeriun më me kontribute për pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë që kryetari socialist Rama ka mbledhur gjatë tërë këtyre ditëve të fundit disa herë grupin parlamentar, kryesinë e kësaj partie, duke kërkuar nga secili deputet emra potencialë për të qënë kandidatë për postin e kryetarit të ri të shtetit. Deputetët kanë kundërshtuar, madje Malaj ka deklaruar se kjo është tallje e se është më e udhës të bëhet një listë dhe të diskutojnë për të, pasi kryesia e PS ka mandatuar kryetarin për negoiciatat me pozitën për Presidentin.
MEDIA: NESER TAKIMI ME BERISHEN
Takimi mes kryetarit socialist Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha pritet të zhvillohet nesër. Burimet konfirmojnë se një takim i tillë i përgatitur me shumë kujdes nga ana e kreut të LSI Ilir Meta. Mësohet se takimi do të zhvillohet ashtu siç e kanë kërkuar të dyja palët në mënyrë institucionale në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku mendohet se do të debatohet dhe do të vijojë pëprjekja për arritjen e konsensusit të madh për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në takim pritet të marrin pjesë dhe krerët e grupeve parlamnetare respektive, Atrit Patozi për PD dhe Gramoz Ruçi për PS-në, si dhe dy deputetët e mandatuar për secilën parti, Spaho dhe Tahiri. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të jetë në këtë takim me statusin e negociatorit kreu i LSI, por bëhet e ditur se gjasat janë që ai të qëndrojë jashtë kësaj tavoline.
(jd/sg/shqiptarja.com)