Në një prononcim publik, pas daljes në skenë të vetë kryeministrit Berisha në mbrojtje të procesit të caktimit të operatorit të lotarisë kommëbëtare për 10 vjetët e ardhshëm, opozita, nëpërmjet deputetit Erjon Braçe, ka akuzuar dje kreun e qeverisë dhe shefin e Financave Ridvan Bode se kanë pesë ditë që gënjejnë shqiptarët. Braçe ka deklaruar se licensa per lotari kombëtare përfshin brenda saj lejen për organizimin e shtatë lojrave kombëtare, unike, monopol, ndërkohë që kompanisë që merr licensën i lejohet publiciteti gjithformësh, për të siguruar një shumicë dërmuese lojtarësh, favor ekskluziv vetëm për këtë kompani. Sipas tij, çmimi i shitjes së kësaj të drejte, që i përket popullit shqiptar, u përjashtua, si kriter bazë konkurimi, nga qeveria Berisha, jo nga konsulenti i huaj. Kjo duket nga fakti se ministria e Financave është autorizuar të marrë një konsulent të huaj në janar 2012, në të njejtin Vendim të Këshillit të Ministrave, ku janë përcaktuar kriteret e konkurimit. Pra, konsulenti nuk ka mundur të caktojë kritere, se u zgjodh dy muaj më pas, në mars, kur kriteret ishin vendosur, ndryshe nga sa tha publikisht ministri Bode. Nga ana tjetër, tatimi i vetëm që qeveria ka përcaktuar për t’u paguar nga kompania do të jetë vetëm ai 10% mbi vëllimin tërësor të xhiros, as TVSH e as tatim në burim për çdo çmim të shpërndarë. Pas gjithë këtyre fakteve, deklaroi Braçe, shtrohet pyetja: Kujt po ja fal Berisha 100 milionë euro?
Kriteret
Duhet theksuar se VKM për shpalljen e garës për lotarinë është marrë në mënyrë të fshehtë nga qeveria në janar të këtij viti dhe më pas është publikuar në Fletorën Zyrtare. Kushtet që ka vendosur qeveria janë tepër favorizuese për atë që do ta marrë dhe aspak në favor të arkës së shtetit. Pagesa e licensës vetëm me 500 milionë lekë është shumë e vogël, duke qenë se fjala është këtu për një lotari kombëtare në regjim monopoli. Me një kalkulim të shpejtë, duke pasur parasysh sa janë rritur këto lojëra si xhiro vitet e fundit nëpër botë, 5 milionë dollarë janë fare pak. Kompania fituese mund t’i shlyente brenda një viti të vetëm këto që i kërkon shteti shqiptar. Nga ana tjetër, kriteri KK5 (Net Asset Value) i kërkuar, me shifrën 50 milionë euro asete është qesharak për kompani të tilla gjigande, pasuritë e të cilave llogariten në miliarda euro. Nga ana tjetër, aplikuesi ose anëtari kryesues i bashkimit duhet të kenë të paktën 300 të punësuar, që është gjithashtu një shifër e papërfillshme. Në rast se qeveria do të dëshironte të ftonte në garë firma tepër serioze, ajo duhej të kishte vendosur kritere shumë më të larta se këto, që ka vendosur për pjesëmarrësit në tenderin e garës për licensën e lotarisë. Me vendosjen e kritereve të tilla, nuk është çudi që janë afruar vetëm dy subjekte, ndërkohë që kanë lindur dyshime për seriozitetin e garës.
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)