TIRANE- Edhe pse ka më shumë se një muaj që koalicioni i majtë ka nisur të qeverisë, pjesa më e madhe e drejtorive të cilat varen nga ekzekutivi kanë në krye ende drejtuesit e PD.

Janë emëruar vetëm një numër fare i vogël drejtorësh ndërsa për administratën e tyre ende as që bëhet fjalë për ndryshime.
Gjatë dy ditëve të fundit krerët e dy partive në qeveri kanë zhvilluar bisedimet e fundit për mënyrën se si do të ndajnë drejtoritë në Durrës.
 
DREJTORITE
Në Durrës ende nuk është kryer emërimi i Drejtorit të Drejtorisë Arsimore. Këtë drejtori që numërojnë më shumë se 2000 mijë arsimtarë e ka marrë PS por propozimet kanë mbetur të bllokuara në ministri.

Tjetër Drejtori pa emër të ri në krye të saj është ajo e ujësjellës kanalizimeve. Edhe këtu numri i punonjësve i kalon të shtatëqindët. Edhe këtë drejtori do ta drejtojë një përfaqësues nga PS. Tre ditë më parë u zgjodh bordi i ri i ujësjellësit i cili do të zgjedhë drejtuesin e ri.

Gjithashtu në Durrës mungon ende emri i Regjistruesit të pasurive të patundëshme apo siç njihet ndryshe drejtuesi i Hipotekës. Në këmbim të këtij posti LSI mori drejtorinë e Patentave, drejtues i së cilës u emërua Daut Naço që më parë mbante postin e shefit të qarkullimit rrugor.

Po ashtu edhe Spitali Rajonal nuk ka në krye të tij drejtorin e ri. Nuk dihet se cili do ta drejtojë atë. Ndoshta atë mund ta marrë ndonjë prej aleatëve të vegjël.

Edhe sigurimet shoqërore drejtohen ende nga PD. Këtë institucion do ta drejtojë LSI.

Po LSI ka marrë edhe degën e ALUIZNI-t në Durrës por propozimi ende ka mbetur në sirtarin e Artan Lames.

LSI do të drejtojë edhe njësinë e Sigurisë Portuale por emri ende mungon.

Drejtorinë e Burgut në Durrës e ka marrë gjithashtu LSI por ende nuk dihet se cili është drejtuesi i ri.

Po kështu pezull kanë mbetur edhe një numër drejtorishë të tjera sikurse janë kapiteneria e portit, regjistri detar etjera drejtori.

TE EMERUARIT
Deri më tani kanë marrë detyrën drejtori i Autoritetit Portual Ddetar që është Selim Belortaja i LSI, drejtori i hekurudhës Genc Alizoti po i LSI si dhe drejtori i doganës Edison Ekonomi që i përket PS. Sipas dy selive të partive,respektivisht PS dhe LSI, gjatë 3 ditëve të mbetura të kësaj jave do të bëhen të ditur emrat e drejtuesve të rinj.
 
Shkrimi u publikua sot (17.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)