Rama u ka kërkuar deputetëve që të votojnë të gjithë këtë kandidaturë, pavarësisht rezervave që mund të kenë deputetë të caktuar me emrin e kryetarit të ri të gjykatës. Ndërkohë që me 126 vota pro të deputetëve të opozitës dhe mazhorancës Bashkim Dedja do të vijojë të qëndrojë në krye të Gjykatës Kushtetuese, për një tjetër mandat.
Procesi i votimit nominal të dekretit të Presidentit Nishani u kryesua nga një komision i përbërë nga deputeti i PS-së, Armando Subashi, ai i PD-së, Arben Ristani dhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Sipas rendit alfabetik komisioni ka thirrur me radhë deputetët, të cilët kanë deklaruar votën e tyre, për emërimin e Dedjas në krye të Kushtetueses. Në votim morën pjesë 126 deputetë dhe të gjithë votuan pro. 14 deputetë nuk ishin të pranishëm në seancë.
Shkrimi u publikua sot(01.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)