Sekretari i ri i përgjithshëm Taulant Balla, i cili për herë të parë drejtori një asamble të Partisë Socialiste, pas dorëheqjes së Gramoz Rucit, tha se do të kryhet një testim paraprak për të zgjedhurit aktualë socialistë.
“Në Agjendën Vjetore Politike ne kemi përcaktuar fillimin në pranverë të anketimeve për vlerësimin e përformancës së përfaqësuesve tanë në krye të bashkive, por edhe në këshillat bashkiakë.
Për askënd nuk do të ketë mbështetje dhe “kreditim’ të mbështetjes politike të Partisë Socialiste në rast se aleati ynë i vetëm “qytetarët”, nuk do të japin dakordësinë për kandidaturat.
Të jemi të gjithë të qartë se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2019, ne kemi vetëm një koalicionin, Aleancën me Qytetarët, përballë kemi një aleancë politikanësh që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë.
Ne do të jemi me njerëzit e zakonshëm, përballë do të kemi ata që e duan politikën si armë për të ruajtur privilegjet e tyre, jo për të luftuar për njerëzit, të cilëve u kanë marrë votën.
Opozitën e duan çadër për t’u mbrojtur nga drejtësia, duke hedhur pa pushim, baltë në veshët e shqiptarëve dhe tym në sytë e tyre”deklaroi Balla
Asambleja e PS-së mbështeti me votë propozimet e Taulant Ballës për t’i dhënë një shans të dytë sekretariatit aktual, si dhe për të shtuar dy sekretarë të rinj: Teuta Vodo, për marrëdhëniet ndërkombëtare, aktualisht dhe zv. ministre e drejtësisë, dhe Bledi Cuci sekretar për çështjet zgjedhore. Asambleja rikonfirmoi në kryesinë e PS-së, Gramoz Ruci.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO









