Kështu përfaqsues të grupit të punës për zgjedhjet në Partinë Socialiste pranojnë se nuk do të ketë asnjë kufizim për asnjë prej kandidatëve të së majtës për të kandiduar në zgjedhjet lokale, pavarësisht numrit të mandateve që secili ka në bashkitë e vendit. Sipas tyre, përcaktimi i kandidaturave do të bëhet në muajt e ardhshëm, por askush nuk duhet ta ndjej veten i përjashtuar pasi për këtë çështje do të vendosin strukturat e partisë për çdo qark.
Takimet e para të zhvilluara në secilin rreth të përfaqsuesve të këtij grupi pune që përbëhet nga deputetët Blendi Klosi, Blerina Gjylameti dhe Musa Ulqini, shërbyen për të marrë jo vetëm shqetësimet dhe sygjerimet por edhe emra konkretë që strukturat kërkojnë t’i përcillen kryesisë së Partisë Socialiste. Megjithatë nëse puna e kryer deri më tani e kryetarëve aktualë do të jetë e kënaqshme dhe ajo të marrë bekimin e bazës, kryesia e PS-së do të mbështes sygjerimet. E njëjta klimë përcillet edhe nga forca tjetër në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim. Përfaqsues të kësaj force politike shprehen se për askënd nuk do të ketë kufizime për aq kohë sa Kodi zgjedhor nuk e ndalon dhe performance do të jetë brenda pritshmërive.
Opozita
Edhe drejtuesit demokrat theksojnë se nuk do të ketë asnjë kufizim për asnjë nga kryetarët aktualë të bashkive që drejtohen nga PD, nëse strukturat do të japing dakordësinë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani është shprehur për “Shqiptarja.com” se kandidimi nuk mund t’i mohohet askujt, pavarësisht numrit të mandateve që ata kanë. “Kryetarët aktualë provën e tyre duhet ta kalojnë përpara strukturave të PD-së, pasi ato do të jenë vlerësuese të punës së bërë së bashku me ndryshimet që ata kanë sjellë në qytetet që kanë marrë këto mandate. Kodi nuk e ndalon, ndaj pavarësisht numrit të mandateve, kushdo do të jetë i lirë të kandidoj”, deklaron Ristani.
Kryebashkiakët
Kryetarët e Bashkive të Gjirokastrës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Shkodrës e Sarandës të kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, deklaruan dy ditë më parë se do të pranonin të merrnin pjesë në zgjedhjet e vitit 2015 për një tjetër mandate nëse forcat e tyre politike do t’i jepnin besimin.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 janar 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)