TIRANE, 20 Dhjetor/ATSH/-Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Ervin Bushati reagoi sot ndaj qëndrimit të opozitës dhe akuzave "për shpërblimet sipas preferencave dhe interesave elektorale".
Në deklaratën për mediat nga selia rozë, deputeti Bushati tha se "filozofia e shpërblimeve që dha Qeveria dhe Kryeministri është e thjeshtë dhe e ndershme: shpërblejmë ata që janë më në nevojë dhe pamundësi dhe promovojmë ata që janë më të suksesshmit në arsim, shëndetësi, polici etj".
"Është i pabesueshëm niveli i mohimit të opozitës shqiptare për çdo gjë të mirë që bën qeveria, tha deputeti i pozitës duke shtuar se "sigurisht; pas tetë vitesh qeverisje të papërgjegjshme të Partisë Demokratike që e zhyti vendin në papunësi, varfëri e borxhe, shpërblimi i fundvitit do i vinte përmbarë çdo familje shqiptare".
"Por e vërteta është se jo çdo dëshirë është e mundur: ndaj në kushtet që na lanë pas tetë vjetësh PD e Saliut, qeveria e re po bën më të mirën e mundshme. Ende ka shumë për të bërë; pasi lista e dështimeve të partisë demokratike pas tetë vjet qeverisje ishte tejet e gjatë", përfundoi deklaratën për mediat deputeti Bushati në reagim të deklaratës të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku./a.g/