TIRANE- Pas deklaratave të deputetëve të Partisë Socialiste për vendime të padrejta të qeverisë ën ikje lidhur me rritjen e pagave, ka reaguar kryeministri Sali Berisha. Në një koment të bërë në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë ka ironizuar deputet e opozitës dhe protestën e tyre ndaj vendimeve që po merr për rritjen e pagave. Berisha i ka quajtur rrogëlartë deputetët socialistë, të cilët sipas kryeministrit kanë protestuar kundër rritjes së rrogave të ulëta me 11.3%.
 
“Të dashur miq, protesta e rrogëlartëve në krye të PS-së për rritjen nga qeveria të rrogave të ulëta 11.3% është fytyra e "dhimbsur" e mazhorancës së re!!! Fali Zot se nuk dinë ç'thonë! Sb”, shkruan Berisha.
 
Partia Socialiste e ka quajtur një gjest të paprecedentë vendimin e qeverisë Berisha për të rritur rrogat, pasi sipas deputetëve të kësaj force politike, në kushtet ekonomike të vendit ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)