PS shpërndan listat zgjedhore
nis evidentimin e votuesve

PS shpërndan listat zgjedhore<br />nis evidentimin e votuesve
Partia Socialiste ka nisur praktikisht fushatën intensive dhe konkrete në terren për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mëngjesin e djeshëm, kryetari i PS-së, Edi Rama e nisi me një mbledhje mes 61 kryetarëve të degëve, 12 koordinatorët e qarqeve dhe sekretarët.

Për secilën nga degët, zyrat qendrore të PS-së kishin printuar listat zgjedhore të rifreskuara e të grupuara sipas Zonave të Administrimit Zgjedhor. Çdo kryetar dege mori dosjen e vetë me emrat e votuesve dhe të dhënat e tyre, me qëllim fillimin e evidentimit të votuesve shtëpi më shtëpi.

Ky proces që në gjuhën partiake quhet “krehje e zonës” parashikon evidentimin e të gjithë votuesve potencialë të partisë, lidhjet e tyre familjare, kategorizimin sipas personave të strukturës së partisë që mund të garantojë kontaktimin me ta, evidentimin e votuesve të lëkundur dhe gjetjen e rrugëve të marrjes së votës së tyre. Mësohet se me porosi të Ramës kjo punë do të fillojë menjëherë në të gjithë vendin.

Në takimin me 61 kryetarët e degëve, ishin të pranishëm edhe 12 koordinatorët e caktuar të hënën nga mbledhja e kryesisë së PS-së për çdo qark. Ky takim më selinë e PS-së shërbeu si takim mes të deleguarve të qarqeve dhe kryetarëve të degëve përbërëse të atij qarku. Rama dhe Ruçi mësohet se i kanë kërkuar kryetarëve të degëve të mirëpresin të deleguarit, të bashkëpunojnë me ta dhe të fillojnë me një herë punën sipas një programi të qartë veprimi.

Pjesë e porosive të ditës së djeshme ka qenë dhe urdhri i selisë qendrore të PS-së që për çdo bashki, të hapen dhe të shtohen zyrat e partisë, të mbahen hapur dhe të ketë në to njerëz në çdo kohë për të pritur qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. “Mëngjesin e sotëm Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një mbledhje me të deleguarit e Kryesisë në 12 qarqet e vendit, kryetarët e bashkisë së 61 degëve sipas ndarjes së re territoriale dhe sekretarët.

Mbledhja kishte në fokus plotësimin e detyrave në proces, të lëna nga Asambleja Kombëtare. Gjithashtu, një pikë e rëndësishme ishte njohja e 61 kryetarëve me të deleguarit nga Kryesia e partisë, për të nisur fillimin e punës normale të funksionimit të strukturave të partisë dhe asambleve të rretheve”,-tha Hasan Pasha, kryetar i PS-së për Burrelin.

Por cilat janë këto porosi të dhëna nga Asambleja e fundit? Shqiptarja.com zbardhi në mbledhjen e fundit porositë e dhëna nga Gramoz Ruçi. “Gramoz Ruçi: Duke filluar nga kjo mbledhje e Asamblesë, nën udhëzimet e Kryesisë së Partisë, do të bëhen zgjedhjet e sekretarëve organizativë. Do të bëhet shumë kujdes që të mos ketë bashki që të ngelet pa sekretar për organizimin dhe administrimin e partisë. Bazuar në numrin e ZAZ që ka bashkia, do të caktohet dhe numri i sekretarëve që do të ketë bashkia.

Në numrin e sekretarëve që do të ketë PS në bashki, do të mbahen parasysh veçanërisht: përbërja intelektuale, shoqërore dhe qytetare. Ajo që duhet të them, është se zgjedhja e sekretarëve duhet parapërgatitur së bashku me delegatët e bashkisë që janë pjesë e kësaj asambleje, deputetët, të deleguarit e kryesisë e po keni nevojë edhe tek ne më lart. Ky është problemi i parë.

Problemi i dytë, kryetarët e 61 degëve, do të jenë në detyrë funksionale me rrogë nga partia dhe do të ndjekin të gjithë problematikat që ka partia. Do të kemi koordinator elektoral për çdo bashki, pastaj koordinator për çdo ZAZ (zonë e administrimit zgjedhor) atje ku bashkia ka më shumë se një ZAZ, koordinator elektoral për çdo njësi administrative, dhe koordinator elektoral për çdo qendër votimi.

Thashë që caktimi i sekretarëve është shumë i rëndësishëm, por kjo është akoma edhe më e rëndësishme. I gjithë ky proces që do të kryet nga anëtarët e asamblesë, deputetët dhe të deleguarit e kryesisë, do të udhëhiqet nga Sekretarja e Koordinimit Elektoral. Problemi tjetër është problemi i dokumentacionit në parti.

Një pjesë është duke punuar, një pjesë e ka përfunduar dokumenti i anëtarësisë së partisë, i cili duhet t’i vendoset në dispozicion të kryetarit të partisë. Kjo do të shërbejë në radhë të parë për të plotësuar regjistrin elektronik të procesit. Me pak fjalë, për t’i dhënë fund çdo lloj efektiviteti në parti. Kjo, edhe për të vazhduar aksionin për pranimet e reja në parti. Po ashtu, për të miratuar dhe grumbulluar kuotizacionin e anëtarësisë, sipas kësaj tabele që miratuam”,-pati thënë Gramoz Ruçi.
 
Të deleguarit sipas qarqeve:
Saimir Tahiri  Tiranë
Vangjush Dako Durrës
Taulant Balla Elbasan
Niko Peleshi Korçë
Damian Gjiknuri Vlorë
Bledi Çuçi Gjirokastër
Gramoz Ruçi Fier
Blendi Klosi Berat
Lindita Nikolla Lezhë
Ditmir Bushati Shkodër
Mimi Kodheli Dibër
Ilir Beqja Kukës
 
Struktura
Kryetari i Partisë
Kryesia e PS-së
6 drejtuesit e rajoneve
12 drejtuesit e qarqeve
61 drejtuesit e bashkive
90 drejtuesit e ZAZ-ve
396 drejtuesit e njësive administrative
5301 drejtuesit e Qendrave të Votimit 
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Punimet për transformimin e Qendrës së Kinostudios, Veliaj: Do t’i sjellë një super-vlerë zonës

Punimet për transformimin e Qendrës së Kinostudios, Veliaj: Do t’i sjellë një super-vlerë zonës