TIRANË, 29 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/-Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, në një deklaratë për shtyp ditën e hënë, u shpreh se "është për të ardhur keq se ku është katandisur Partia Demokratike".
Xhaçka tha se "Partia Demokratike ka probleme me shifrat, kjo dihej që në kohën kur ishin në qeveri. Por, që shkalla e mashtrimit publik të arrinte në nivelin e këtyre ditëve të fundit, kjo është vërtetë për të ardhur keq". Ajo shtoi se "sot opozita arriti kulmin kur tha se çmimi i bukës do të rritet si pasojë e rritjes se çmimit të energjisë. Por, e vërteta është se çmimi i energjisë për furrat e bukës nuk ka ndryshuar. Është i njëjti çmim që ka qenë edhe më parë. Pra qytetarët duhet të jenë të qetë për këtë gjë".
"Dua t'i tregoj shqiptarëve diferencën mes nesh, që sot po qeverisim Shqipërinë, dhe atyre që ishin në pushtet për plotë tetë vjet. Ne themi se çmimi i energjisë u mesatarizua. Më parë deri në 300 kilovat paguhej 7,7 lekë, mbi 300 kilovat paguhej 13,5 lekë. Ndaj, tani që çmimi është njehsuar 9,5 lekë, kjo do të thotë mesatarizim", theksoi ajo.
Sa i përket qeverisjes së kaluar, Xhaçka nënvizoi se "për fashën 300 kilovat e gjeti çmimin 4,5 lekë, e rriti njëherë në 7 lekë dhe në fund e rriti në 7,7 lekë. Për fashën mbi 300 kilovat e gjeti çmimin 9 lekë, e rriti njëherë 12 lekë dhe në fund e rriti në 13,5 lekë. Për çmimin e konsumit të ambienteve të përbashkëta, e gjeti çmimin 4,5 lekë, e rriti njëherë në 7 lekë dhe në fund e rriti në 8 lekë". /a.ke/












