Sipas raportit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2025, ky vit shënoi një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në drejtim të integrimit në tregun energjitik europian. Ky avancim nuk ishte rezultat i një faktori të vetëm, por i një kombinimi reformash, investimesh dhe zhvillimesh gjeopolitike që e shtynë vendin më pranë standardeve dhe mekanizmave të Bashkimit Europian për energjinë.

Raporti theksoi se vendi ynë eci në liberalizimin e tregut energjitik, duke i ndarë më qartë funksionet e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes. Po ashtu, u rrit roli i operatorëve të pavarur dhe u zgjerua tregu i lirë për konsumatorët e mëdhenj. Sipas Komunitetit të Energjisë, këto reforma janë në përputhje me paketat energjetike të Bashkimit Evropian dhe me vetë kërkesat e Komunitetit të Energjisë.

Futja në funksion të plotë e bursës së energjisë ALPEX

Një zhvillim kyç në energjinë tonë për vitin e kaluar ishte konsolidimi i bursës së përbashkët të energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë ALPEX. Kjo bursë po na mundëson tregtimin transparent të energjisë, përcaktimin e çmimeve sipas kërkesë-ofertës dhe gradualisht integrimin në tregun rajonal dhe europian. Ajo rriti ndjeshëm me 1.8 herë vëllimin e transaksioneve shitje-blerje nga viti 2024 në vitin 2025, duke kapur shifrën e 370 milionë eurove vitin e kaluar.

Vëllimi tregtar i ALPEX 2024-2025
2024 - 205.3 milionë euro
2025 - 369.5 milionë euro
 

Zhvillimet kryesore për ALPEX gjatë vitit 2025 kanë qenë disa. Së pari, bursa shtoi volumin e tregtimit. U rrit ndjeshëm numri i transaksioneve në tregun “day-ahead”(shitjet një ditë përpara), ndërsa nisi aktivitetin dhe tregu “intra-day” (shitjet brenda ditës). Pjesëmarrja e operatorëve privatë nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe disa kompani rajonale sollën zgjerimin e tregut dhe përmirësuan likuiditetin e tij. Kjo e bëri bursën më funksionale dhe më të besueshme.

Së dyti, bursa realizoi zgjerimin e pjesëmarrësve në treg. Përherë e më shumë furnizues, tregtarë dhe prodhues nga Shqipëria dhe Kosova hynë në bursë. Kjo solli interes në rritje nga kompani rajonale  dhe ndihmoi në formimin e çmimeve më reale. Çmimet filluan të reflektojnë më mirë kushtet reale të tregut dhe pati ulje e ndikimit të marrëveshjeve bilaterale jo-transparente. ALPEX realisht kontribuoi në rritjen e transparencës dhe besimit.

Së treti, bursa po realizon integrimin gradual me tregjet rajonale. Autoritetet shqiptare dhe kosovare në bursë po përgatiten “market coupling”(depërtimi në treg) me vendet fqinje dhe po përafrojnë rregullat e funksionimit me standardet e Bashkimit Evropian.

Së katërti, ALPEX është një nga projektet më konkrete të integrimit ekonomik mes dy vendeve tona, duke realizuar koordinim të mirë të operatorëve të transmetimit OST në Shqipëri dhe KOSTT në Kosovë dhe duke optimizuar përdorimin e burimeve energjetike, pasi Shqipëria me energji kryesisht hidro dhe Kosova me energji termo nga termocentralet, krijojnë një përputhshmëri natyrore.

Me çmimet e shitjes të publikuara dhe të verifikueshme, ALPEX po realizon uljen e ndjeshme të informalitetit në treg, duke e alokuar më mirë energjinë dhe duke pakësuar kostot e panevojshme

Së pesti, bursa e përbashkët e energjisë Shqipëri-Kosovë jep siguri më të madhe energjetike, me mundësi më të mira për balancim të sistemeve të të dyja vendeve dhe me reagim më i shpejtë ndaj krizave të mundshme.

Sfidat e ALPEX 2026-2028
likuiditet ende i kufizuar krahasuar me bursat europiane
dominim i prodhimit nga hidrocentralet (Shqipëria) dhe termocentrale (Kosova)
nevoja për më shumë pjesëmarrës ndërkombëtarë
zhvillimi i mëtejshëm i tregut “intra-day”

Pas konsolidimit në vitin 2025, hapat e radhës për ALPEX janë lidhja me bursat e rajonit (Greqi, Itali, Ballkan), rritja e mëtejshme e volumit të tregtimit, integrimi i energjisë së rinovueshme dhe avancimi drejt tregut të përbashkët të BE-së.

ALPEX është një hap konkret drejt integrimit me tregun e përbashkët europian të energjisë.

Rritja e ndërlidhjes rajonale dhe fokus i shtuar në energjinë e rinovueshme

Gjatë vititi 2025, Shqipëria përmirësoi ndjeshëm infrastrukturën e interkoneksionit, përmes linjave ekzistuese me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Malin e Zi, si dhe projekteve të reja për zgjerim dhe modernizim të rrjetit dhe shtim të kapaciteteve për shkëmbim energjie.

Kjo po e bën gradualisht vendin tonë pjesë aktive të tregut rajonal dhe më të integruar me BE-në.

Nga ana tjetër, Shqipëria avancoi në projekte të reja fotovoltaike dhe eolike(Parku eolik i Tropojës), në ankande për energji të pastër dhe në diversifikim përtej hidroenergjisë. Këto veprime, sipas Raportit të Komunitetit të Energjisë, përputhen plotësisht me Agjendën e Gjelbër.

Kriza energjetike e viteve të fundit 2022–2025 nxiti nevojën për tregje më të integruara dhe rriti rëndësinë e sigurisë energjetike, duke përshpejtuar bashkëpunimin rajonal. Vendi ynë eci në të tre këta përbërës.

Me rritjen e rolit strategjik në rajon, falë pozicionit gjeografik, burimeve hidrike dhe potencialit për energji të rinovueshme, Shqipëria po shihet gjithnjë e më tepër si një vatër energjitike rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, vendi po përgatitet të hyjë në skemën evropiane të tregtimit të emetimeve të karbonit (ETS), përmes ngritjes së sistemit të monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRVA), në përputhje me acquis communautaire të BE-së. Ky hap konsiderohet thelbësor për afrimin me standardet klimatike evropiane.