Kur Robert Mueller drejtonte FBI-në, siç tregojnë shkrimtarët që shkruan biografinë e tij, ekzistonte një kod veshjeje pothuajse i pashkruar: kostum i errët, kravatë e thjeshtë dhe mbi të gjitha këmishë e bardhë. Shumë agjentë përpiqeshin të dukeshin njësoj si drejtori i tyre. Thuhet madje se disa blinin këmishë të re një natë para një takimi, vetëm për të mos dalë nga “uniforma” e tij.
President Donald Trump, sipas një shkrimi të “Wall Street Journal”, e ka çuar këtë zakon edhe më tej. Në stilin e tij të zakonshëm, kostum blu, këmishë e bardhë dhe kravatë me ngjyra të forta, ai ka shtuar edhe një detaj tjetër: një palë këpucë të zeza klasike që i pëlqejnë aq shumë, sa ka nisur t’ua dhurojë pothuajse të gjithë njerëzve që takon.
Bëhet fjalë për një model këpucësh të markës amerikane Florsheim, që kushtojnë rreth 145 dollarë dhe prodhohen nga një kompani e themeluar në Çikago në vitin 1892. Sipas gazetës amerikane, president Donald Trump ua dhuron shpesh këto këpucë ministrave, kongresmenëve, drejtuesve të kompanive dhe personave të tjerë që takon.
Procedura është pothuajse gjithmonë e njëjtë. I ftuari pritet në Zyrën Ovale, president Donald Trump pyet për numrin e këmbës dhe një nga ndihmësit e tij bën porosinë. Në një dhomë pranë zyrës ruhen edhe kutitë me këpucët që janë gati për t’u dhuruar, shpesh të shoqëruara me një shënim ose autograf nga vetë presidenti.
Në javët e fundit, të njëjtat këpucë janë parë në këmbët e disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij: zëvendëspresidentit JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio, sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe sekretarit të Tregtisë Hoëard Lutnick, si edhe te disa figura të mediave konservatore.
Vetë Vance ka treguar se si nisi kjo histori. Gjatë një takimi në Zyrën Ovale, presidenti Donald Trump vuri re këpucët e tij dhe të Marco Rubios dhe komentoi se nuk i pëlqenin aspak. Më pas mori një katalog të Florsheim dhe u kërkoi të pranishmëve të zgjidhnin modelin dhe numrin që preferonin.
Por sipas rrëfimit të Vance, president Donald Trump bëri edhe një koment tjetër, duke thënë me shaka se nga numri i këpucëve mund të kuptosh shumë për një burrë. Kjo ka bërë që disa prej bashkëpunëtorëve të tij të zgjedhin numra më të mëdhenj nga sa mbajnë zakonisht.
Marco Rubio, për shembull, ka porositur numrin 45 e gjysmë edhe pse është rreth 1 metër e 78 centimetra i gjatë. Disa ditë më vonë ai u fotografua në korridoret e Kongresit me këpucë që dukeshin dukshëm më të mëdha se këmba e tij.
Fotoja u rikthye në vëmendje në rrjetet sociale nga Derek Guy, një komentues i njohur i modës klasike mashkullore në internet, dhe shkaktoi shumë reagime. Shumë përdorues pyetën nëse Rubio është i gatshëm të mbajë këpucë të pakëndshme vetëm për të mos zhgënjyer presidentin.
Ndërkohë, marrëdhënia mes Donald Trump dhe kompanisë që prodhon këpucët është më pak e afërt nga sa mund të duket. Pronari i Florsheim, Thomas Florsheim Jr., ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të porosive nga presidenti.
Madje kompania ka qenë ndër kritiket ndaj tarifave doganore të vendosura nga administrata Trump. Këpucët e saj prodhohen kryesisht në Kinë dhe tarifat amerikane, që në disa raste kanë arritur deri në 145 për qind, kanë rritur ndjeshëm kostot e saj.
Florsheim madje ka paditur qeverinë federale për këto tarifa, duke llogaritur se i kanë shkaktuar një dëm prej rreth 16 milionë dollarësh. Në shkurt, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi kundër këtyre tarifave, duke i dhënë të drejtë kompanisë./CorrieredellaSera
Komente








