Kolonel Artur Meçollari është kthyer në qendër të debatit dhe akuzave nga opozita, pasi emri i tij është në listën e negociatorëve të Shqipërisë për kufirin detar me palën greke.

Berisha e akuzoi si spiun, por ministria e Mbrojtjes reagoi duke deklaruar se koloneli ka certifikatë sigurie. Artur Meçollari është larguar nga detyra në 2012 nga Arben Imami, pas përplasjeve asokohe me ish-ministrin e Mbrojtjes, ndërsa është rikthyer në detyrë me vendim gjykate në 2013.

Por kush ishte shkaku i largimit të tij nga detyra?
Artur Meçollari së bashku me Admiral Kudret Çelën u larguan nga detyra nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasi kundërshtuan privatizimin e bazës së Bisht Pallës. Meçollari është treguar i rezervuar lidhur me shkaqet e shkarkimit, ndërsa admiral Çela tha në atë kohë se “Ministria e Mbrojtjes i ka të qarta synimet, bazën do ta prekë komplet dhe do ta shkrijë fare. Janë 75 hektarë që do të kalojë nga administrimi i ministrisë si një bazë detare në pronësi të një privati”, shprehej admirali.

Kush është koloneli Artur Meçollari?
Report Tv ka zbardhur detaje të reja mbi kolonelin që u përfol sot pasi ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi si spiun. Meçollari është Kapiten i Rangut të parë me çertifikatë nga NATO. Burime të Report Tv bëjnë me dije se koloneli ka çertifikatën e NATO ‘Cosmic Top Secret’. Kjo çertifikatë është niveli i pestë i sekretit.

Gjithashtu, Meçollari është dekoruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg për kontributin e veçantë në misionet ushtarake. Artur Meçollari është cilësuar si një ndër oficerët shqiptarë më të besuar nga SHBA, pasi amerikanët i besuan atij një mision delikat në Afganistan. Meçollari ka marrë falënderime të veçanta nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mattis. 

d.c./shqiptarja.com