Pse janë kaq të rrepta rregullat e Kinës për koronavirus?

Pse janë kaq të rrepta rregullat e Kinës për koronavirus?

Punonjësit shëndetësorë me pajisje mbrojtëse kundër COVID-19 në Pekin

Me shpërthimin e pandemisë COVID-19, Kina vendosi masa kufizuese "zero-COVID" që ishin të ashpra, por jo larg atyre që po bënin shumë vende të tjera për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ndonëse shumica e shteteve të tjera i panë këto masa si të përkohshme, derisa vaksinat të ishin gjerësisht të disponueshme, megjithatë, Kina ka qëndruar me vendosmëri në strategjinë e saj.

Të lodhur nga politika që ka mbyllur miliona njerëz në shtëpitë e tyre në përpjekjen e Kinës për të izoluar çdo infektim dhe duke parë masat që janë liruar në gjithë botën, ditët e fundit protestat kanë shpërthyer në mbarë vendin.

Megjithëse kufizimet kundër koronavirusit janë lehtësuar në disa vende, Partia Komuniste kineze, e cila është në pushtet, ka pohuar strategjinë e saj "zero-COVID".

Këtu janë disa nga kufizimet:

Testet dhe karantina

Pasagjerët që udhëtojnë drejt Kinës duhet të bëjnë një test PCR para nisjes dhe me të mbërritur duhet të karantinohen në hotel për pesë ditë dhe në shtëpi për tri ditë.

Kjo mund të duket masë e rreptë, por para se të përditësoheshin rregullat kundër koronavirusit, në fillim të këtij muaji, udhëtarët duhej të bënin dy teste PCR përpara se të fluturonin dhe të karantinoheshin për shtatë ditë në hotel dhe tri ditë në shtëpi. Më herët periudha e karantinës ishte 14 ditë.

Kina, gjithashtu, i dha fund politikës së saj për ndalimin e fluturimit për një ose dy javë, nëse një përqindje e caktuar e pasagjerëve në bord ishte pozitiv.

Izolimi

Qytetarët që udhëtojnë brenda Kinës, me aeroplan, tren ose autobus, dhe kanë pasur kontakt të ngushtë me dikë që është i infektuar me koronavirus, duhet të karantinohen për pesë ditë në qytete të caktuara, plus tri ditë në shtëpi.

 

Para ndryshimeve të nëntorit, koha e karantinës ishte më e gjatë. Njerëzit që vizitojnë zonat që konsiderohen "me rrezik të lartë" në Kinë, gjithashtu duhet të karantinohen për shtatë ditë në shtëpi.

Kodi i gjelbër

Brenda Kinës, individët duhet të tregojnë kodin e tyre personal, i quajtur "kodi i gjelbër", i cili tregon nëse janë negativë ndaj COVID-19. Ky kod duhet të tregohet në vende publike, si qendra tregtare dhe restorante, ose edhe kur përdorin transportin publik.

Të qëndrosh "e gjelbër" do të thotë të mos kontaktosh me persona që janë të infektuar dhe të mos vizitosh zona që konsiderohen me rrezik për shpërndarjen e virusit.

Nëse ka një shpërthim të virusit në një zonë të caktuar, autoritetet lokale mund të kërkojnë testime të rregullta për ta mbajtur këtë kod. Për shembull, në Pekin aktualisht, banorët duhet t'i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID të paktën çdo 48 orë.

Si vjen deri te mbyllja e zonave të caktuara?

Kina ka reaguar shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo identifikimi me koronavirus dhe ka bllokuar pjesë ose qytete të tëra. Aktualisht, zona qendrore urbane e Chongqingut, me rreth 10.3 milionë njerëz, është e mbyllur.

Vendimi se cilat zona duhet të mbyllen varet nga shkalla e shpërthimit. Mbylljet më të vogla, që janë mbylljet e ndërtesave, komplekseve banesore ose lagjeve brenda qyteteve, janë të zakonshme.

Të gjitha banesat brenda një ndërtese mund të mbyllen nëse vetëm një banor zbulohet se është i infektuar. Banorët e tjerë nuk lejohen të largohen nga ajo ndërtesë për të paktën pesë ditë, ndërsa gjërat ushqimore dhe furnizimet elementare mund t’i porosisin online.

Në mënyrë të ngjashme, ndërtesat e zyrave mbyllen nëse dikush në ndërtesë rezulton pozitiv, derisa ndërtesa të mund të dezinfektohet plotësisht, një proces që zakonisht zgjat disa ditë.

Kufizimet e tjera

Kina ka në fuqi shumë rregullore të tjera që janë të njohura për shumicën që nga muajt e parë të pandemisë. Distancimi social inkurajohet dhe njerëzit duhet të mbajnë maska në ambiente publike.

Në zonat ku besohet se ekziston rreziku i transmetimit të COVID-19, ka kufizime në tubime të mëdha, restorantet mbyllen për ngrënie në ambiente të mbyllura dhe kërkohen masa të forta dezinfektimi në ambientet publike.

Ashtu si masat fluskë të vendosura për Olimpiadën Dimërore 2022 në Pekin, objektet ku njerëzit konsiderohen më të rrezikuar, si shtëpitë e të moshuarve, kanë të ashtuquajturat plane të "menaxhimit të qarqeve të mbyllura"./REL

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël