Pse kati i parë i Muzeut Kombëtar
është veshur me gurë të zinj?

Pse kati i parë i Muzeut Kombëtar<br />është veshur me gurë të zinj?
Më ka qëlluar të lexoj në gazeta, ndonjë  shkrim, koment, apo analizë, të specialistëve të fushave të artit, por kryesisht të atyre që rradhiten ndër hulumtuesit e shpirtit njerëzor, ku mundohet të zberthehet enigma e pa shpallur e veshjes së katit të parë të Muzeut Historik Kombëtar me gurë të zij. Analiza është bazuar në modën liberale të kohës së sotme për të komentuar gjithshka të bërë në periudhën e socializmit me optikën herë nihiliste dhe herë aluçinante. E natyrisht ka qenë hamendësimi ai që ka udhëhequr thellësinë e mendimit, siç veprohet për të panjohurat, të cilave kërkohet t’u ipet një shpjegim. Dhe shpjegimi në këtë rast ka qenë një filiz i fantazisë së përkëdhekur nga politika: kati i parë është veshur me një material të zi për të treguar që e kaluara e Shqipërisë ka qenë e zezë dhe se e sotmja, periudha e socilaizmit, e ndritur, e prandaj e bardhë.

     Kurrë më parë nuk i kam kushtuar vëmendje këtyre shpjegimeve fantaziste, për të cilat kam menduar se do t’i veniste koha. Aq më tepër që për mua nuk paraqisnin interes dhe si pjesmarrës në përgatitjen e muzeut, e dija se si u ideua e zeza e katit të parë të atij muzeu. Dhe vetëm kur pashë se fantazija po citohej si e vërtetë mendova të shkruaj atë që dija për këtë temë.
     Po, vërtet, përse është i zi kati i parë i Muzeut Historik Kombëtar? Mendimi fillestar ishte që të vishej me gurë rozë, me te ashtuquajturin mermer të butë  të Muhurrit të Peshkopisë. Kjo do të ishte në harmoni edhe me fasadën brenda kollonave të Pallatit të Kulturës, por edhe me rozën që kishte pushtuar thuajse të gjithë qytetin. Në mbledhjen e grupit të punës u paraqit nga arkitetktët edhe kjo ide. Dhe aty reagoi menjëherë i irrituar njëri nga personazhet  më kryesorë të përgatitjes së Muzeut Historik Kombëtar, profesor Stefanaq Pollo, pak a shumë kështu: “Amani ore, a nuk ka ndonjë ngjyrë tjetër?  Na mbiu në sy kjo ngjyra rozë! Tërë qyteti rozë!” Dhe menjeherë mbas kësaj u ideua e zeza.

     Guri më i përshtatshëm u gjet në zonën e Librazhdit, diku përgjatë Shkumbinit. Gabro e quajn gjeollogët. Ka dy nuance në vetvete, njëra më e zezë dhe tjetra më e shkëlqyer, si rrjedhojë e përzjerjes së epokave gjeologjike. Ai  u pre në feta dhe pastaj në formën e katër këndëshit këndëdrejtë, në Fabrikën e mermerit pranë Kombinatit të materialeve të ndërtimit “Josif Pashko”. Prova, ndonja dhjetë metra katror, u demonstrua në faqen e murit të muzeut përballë Hotelit “Tirana”. Njerzit rrinin, shikonin dhe pyesnin. Miratimi ishte unanim, po shpëtohej nga ngjyra rozë! Doli që shkëmbi të ishte i fortë dhe disqet ekzistuese mezi i a dolën. Por shpejt erdhën nga importi disqet e duhur dhe gjithshka shkoi shumë mirë.
     Edhe sot, mbas tridhjetë e pesë vjetëve ai vazhdon të qëndrojë i pandryshueshëm në shkëlqimin e tij, duke sfiduar monotoninë e shëmtuar të qytetit, pa patur fare lidhje me politikën.
    
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë