Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për BBC, ku ka sqaruar arsyet pse Kosova është bërë pjesë e Bordit të Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump që synon të ndihmojë vendet e përfshira nga konfliktet të arrijnë paqen.

Sipas Osmanit, përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm lidhet drejtpërdrejt me përvojën e saj historike. Ajo kujtoi se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe se ndaj popullit të saj po kryhej gjenocid, ndërsa ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, shpëtoi jetë dhe i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë.

“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botën, jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen,” tha Osmani.

Ajo theksoi se kjo përvojë e ka mësuar Kosovën se paqja nuk arrihet vetëm me deklarata apo dokumente ndërkombëtare.

“Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, duke u rritur nën granata dhe, si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por thelbi është ky: ajo që po dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre, ishin fjalë, por nuk kishte asnjë veprim, derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë,” u shpreh ajo.

Duke folur për rolin e Bordit të Paqes, Osmani bëri dallimin mes krijimit të paqes dhe ruajtjes së saj, duke theksuar se kjo nismë fokusohet te veprimi.

“Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që merret me krijimin e paqes dhe arritjen e saj. Pastaj, natyrisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes,” tha Osmani.

E pyetur nëse kjo nismë synon të zëvendësojë Organizata e Kombeve të Bashkuara, ajo u përgjigj prerazi:

“Jo. Jo. Krejt e kundërta. Këto organizata mund të punojnë dorë për dore, njëra duke u përfshirë në krijimin e paqes dhe arritjen e saj.”

Presidentja theksoi se një nga elementët kyç të Bordit të Paqes është mungesa e vetos, ndryshe nga OKB-ja.

“Kemi parë se si vende si Rusia dhe Kina e kanë përdorur fuqinë e vetos. Për ne, rreshtimi me Shtetet e Bashkuara historikisht ka qenë vendimi i duhur, por është e rëndësishme që Kosova të jetë pjesë e një organizate ndërkombëtare sepse kjo forcon sovranitetin dhe pozitën tonë ndërkombëtare,” tha ajo.

Kur u pyet si do të ndihej të ulej pranë Rusisë, e cila njihet për qëndrimin e saj ndaj Kosovës, Osmani shtoi se vendi është ftuar si anëtar themelues dhe i barabartë në këtë bord.

“Në Bordin e Paqes, Rusia nuk ka veto. Kosova është ftuar si anëtare themeluese, si shtet i barabartë.  Të gjitha vendet që po kritikojnë Bordin, ulen pranë Putinit në OKB, ulen pranë Rusisw që është vend anëtar i pwrhershëm në Këshillin e Sigurisë. Edhe Mbretwria e Bashkuar ulet krah Rusisw. Ndaj, do të thoja që wshtë më mirë të jesh pjesë e një organizate ndërkombëtare ku Rusia nuk ka të drejtën e vetos dhe nuk mund ta bllokojë paqen në botë", u shpreh Osmani.

Gjatë intervistës, Osmani u pyet edhe për detyrimet financiare që sjell anëtarësimi në Bordin e Paqes, nëse ka të tilla. 

“Nuk na është kërkuar kurrë asnjë kontribut financiar, përkundrazi. Karta e Bordit të Paqes e bën të qartë se anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk nënkupton asnjë detyrim financiar për vendet dhe asnjë delegim të sovranitetit. Nuk na është kërkuar të paguajmë as në këtë fazë dhe as pas tre vitesh, përveç rasteve kur vendet dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht. Bazuar në përvojën tonë 20-vjeçare se si ndërtohet dhe ruhet paqja, ne ofrojmë praktikat më të mira që i duhen Bordit të Paqes, jo vetëm për Gazën, por edhe për vende të tjera. Është koha jonë për t’i dhënë diçka botës dhe për t’u siguruar që paqja që kemi të ecë përpara,” tha Osmani.

Osmani dhe Trump nënshkruan marrëveshjen e anwtarwsimit tw Kosovws me 22 janar gjatë një ceremonie në Davos. 

Veç Kosovës, në Bordin e Paqes është përfshirë edhe Shqipëria, marrëveshja e anëtarësimit të së cilës u miratua në parlament pak ditë më parë me votat e të dy kaheve politike në vend.