Pse Kosova po i ikën liberalizimit të tregut të energjisë?

Pse Kosova po i ikën liberalizimit të tregut të energjisë?

Foto ilustruese

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë, si një nga kërkesat e Bashkimit Evropian (BE), i nisur vite më parë, nuk ka arritur ende të finalizohet.

Shtyrja e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është duke u bërë që nga viti 2017.

Afati i fundit për liberalizim të tregut të energjisë ishte 31 marsi 2021, por edhe kjo datë është shtyrë me kërkesë edhe të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, (Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Këshilli i Investitorëve Evropianë si dhe Klubi i Prodhuesve) të cilët thonë se ky proces nuk duhet të ndodhë pa u krijuar kushtet e duhura.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane tha për Radion Evropa e Lirë se derisa në rrethana ideale, liberalizimi i tregut të energjisë do të sillte përfitime për konsumatorët, në rastin e Kosovës kjo nuk mund të ndodhë, pasi që oferta në treg për energji është e kufizuar.

“Pavarësisht që në Kosovë janë të licencuar disa operatorë për furnizim me energji elektrike, vetëm njëri prej tyre ka kapacitet të funksionojë në praktikë si furnizues dhe në rrethana të tilla (treg i liberalizuar energjetik). Kur oferta në treg është e kufizuar, kjo bën që konsumatorët të ballafaqohen me ofertë të kufizuar dhe rrjedhimisht edhe me fuqi më të kufizuar të negocimit të tarifave të energjisë elektrike”, thotë Zeka.

Pa kushte për liberalizim të tregut të energjisë elektrike

Aktualisht Operatori për Furnizim me Energji (KESCO) është furnizues që ka licencë për furnizim me energji elektrike, duke përfshirë obligimin e shërbimit publik të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), për të furnizuar konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal.

Po ashtu, sipas ZRRE-së në Kosovë janë të licencuar edhe shtatë operatorë për furnizim me energji elektrike.

Por, sipas përfaqësuesve të bizneseve, operatorët e licencuar nuk arrijnë të funksionojnë si furnizues të rregullt në treg.

Në Zyrën e Rregullatorit për Energji thonë se përderisa ato kompani që janë licencuar për të kryer aktivitetin e furnizimit, që të gjithë do të duhej të mund të kryenin këtë funksion.

Adelina Murtezaj-Bajrami zyrtare, për marrëdhënie me publikun në ZRRE, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë indikacion se ata nuk mund të përmbushin funksionin e tyre.

“Ankesat e tyre për të realizuar këtë funksion kanë të bëjnë vetëm me mungesë të kërkesës, pasi që konsumatorët po vazhdojnë të insistojnë të mbesin te furnizuesi i shërbimit universal, me çmime të rregulluara. Po ashtu mungesa e energjisë vendore, mund t’i bëjë jokonkurrentë në treg këta furnizues, për shkak të kostove të tjera që mund të ju shkaktohen nga energjia të cilën do të duhej ta kontraktojnë nga prodhuesit e vendeve të tjera”, thotë Murtezaj-Bajrami.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Liberalizmi i tregut mund të rrisë çmimet e energjisë

ZRRE-ja vlerëson se situata e pandemisë në vend e cila ka prekur shumë biznese në aspektin ekonomik si dhe koncentrimi i tregut në masë të madhe te një furnizues i vetëm, ka shpërfaqur hezitimin e konsumatorëve për t’iu nënshtruar kushteve të tregut (liberalizimit) , të cilat domosdoshmërish, shton ZRRE-ja, rrisin kostot e blerjes së energjisë.

Arian Zeka nga OEAK tregon se ndërmarrjet në Kosovë kanë raportuar që ofertat që i kanë marrë nga furnitorët, parashohin ngritje të tarifave të energjisë elektrike për 30 deri në 40 për qind.

“Për një kompani që shpenzon energji elektrike një milion euro brenda një viti, po flasim për ndërmarrje prodhuese pasi që ato janë shpenzuese më të mëdha të energjisë elektrike, i bie që brenda një viti duhet do të kenë shpenzime shtesë për energji 300 deri në 400 mijë euro”, thotë Zeka.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike rrezikon që një pjesë e madhe e këtyre ndërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese, të largohen nga Kosova, thotë Zeka, e që sipas tij, kjo do të ishte në kundërshtim me përpjekjet e Kosovës për nxitje të investime të brendshme e të jashtme, përmirësimin e bazës industriale dhe bilancit tregtar në përgjithësi.

Kosova, sipas Zekës, duhet të angazhohet në sigurimin e kapacitete të reja energjetike.

“Qeveria e Kosovës, të gjitha qeveritë, deri më tani nuk kanë pasur ndonjë plan se si t’i qaset kësaj çështjeje dhe çfarë të bëjë pas dështimit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’”, thotë Zeka.

Në mars të vitit të kaluar, kompania amerikane ContourGlobal, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, pati njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, për arsye se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Liberalizimi i tregut energjetik nuk ka alternativë

Liberalizimi i tregut nënkupton krijimin e kushteve për konsumatorët që të kenë mundësi të zgjedhin furnizuesin e tyre me energji elektrike sipas ofertave që ju përshtaten atyre.

Ky është një proces që duhet të ndodhë, pavarësisht shtyrjeve që janë bërë deri më tani.

Adelina Murtezaj Bajrami nga ZRRE-ja thotë se një pjesë e afateve për procesin e liberalizimit të tregut është arritur, por faza e tanishme ka kaluar afatet e parapara në udhëzuesin për liberalizimin e tregut.

Ajo thotë se janë në pritje që të funksionalizohet bordi i ZRRE-se në mënyrë që të ndërmerren masat e duhura për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

“Procesi nuk është shtyrë tërësisht sepse e gjithë baza rregullative e kërkuar me ligj ekziston tashmë”, thotë Muretzaj.

ZRRE-ja udhëhiqet nga bordi, që përbëhet prej pesë anëtarësh dhe njëri prej tyre zgjidhet si kryesues. Kryesuesi dhe anëtarët e tjerë të bordit emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Mandati i secilit anëtarë të bordit të ZRRE-së është pesëvjeçarë dhe ata mund të zgjidhen edhe për një mandat të dytë.

Që nga muaji dhjetor i vitit 2020, bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është jofunksional pasi tre nga pesë anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati.

Ndryshe, liberalizmi i tregut të energjisë elektrike përfshin konsumatorët e mëdhenj, komercialë si dhe konsumatorët shtëpiakë./ REL 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe pse administrata ‘Trump’ nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe pse administrata ‘Trump’ nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës