Deputeti i PS, Erion Braçe zhvilloi në Kuvend një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla lidhur me grabitjen dhe tjetërsimin e tokave në lumenjtë Seman e Shkumbin, si në Lushnje, edhe në Divjakë.

Në pyetjen e parë, ai iu referua tokës së lumit Seman pranë fshatit Imshtë në Bubullimë të Lushnjes duke thënë se ka persona që përpiqen të marrin sipërfaqe nga toka e lumit për ta kthyer në pronë private. Braçe tha se nga nëntori e deri më tani, Semani ka dalë të paktën 5 herë nga shtrati dhe jo vetëm prej reshjeve. Deputeti bëri thirrje për mbrojtjen e lumit dhe tokës në të dy krahët e tij.

“Ka pretendime kohë pas kohe për të marrë sipërfaqe toke nga toka e lumit për ta kthyer në pronë private në funksion të disa individëve, duke përjashtuar jo vetëm institucionet publike, por edhe banorët e zonës. Historia është e gjatë, ka gati dy vite e ca që konsumohet në të dyja anët, edhe në lumin Shkumbin, edhe në Seman, me njerëz që kohë pas kohe ndërrojnë njëri-tjetrin, por që paraqiten atje për të pronësuar tokë. Ndërkohë situata është bërë e vështirë, kur të paktën nga nëntori që shkoi e deri më tani lumi Seman ka dalë nga shtrati të paktën 5 herë, jo vetëm për shkak të kushteve atmosferike, por edhe për shkak të hidrocentralit të Banjës që ka Semani dhe flukset. Thelbi është: mbrojtja është jo vetëm e asaj sipërfaqeje toke, por të tokave në të dyja krahët e lumit”, tha Braçe.

Salla tha se Ministria ka identifikuar dokumentacionin dhe në vëmendje të saj është toka bujqësore, ndërsa rezulton se 79 hektarë u janë kthyer dy subjekteve. Sa për pyetjen e dytë nëse janë identifikuar raste të tjera zaptimi ose tjetërsimi, tha se nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë e tillë.

“Për pyetjen e dytë, tokat bujqësore përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë zënë një sipërfaqe prej rreth 230  hektarë, të ndara në  13 parcela. Këto toka janë në pronësi private, me vendndodhje në fshatrat Ngurrëz e Vogël, Çermë Shkumbin, Çermë e Vogël, Çermë Proshk, Çermë e Sipërme janë me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore dhe janë të ndara me Ligjin nr. 7501/1991 “Për tokën”.  Pranë MBZHR-së, si dhe në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë, nga asnjë subjekt privat apo shtetëror/njësitë e pushtetit vendor, për zaptim apo tjetërsim toke, në ngastrat tokë bujqësore që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumenjve Seman dhe Shkumbin, në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë”, përfundoi ministri.

Braçe, i cili e mori sërish fjalën, reagoi i habitur duke thënë se “Nuk e mendoja që do të bënit edhe ju pas për këtë çështje!” Më tej, citoi ligjet për burimet ujore, sipas të cilave toka në fjalë është publike, ndërsa tha se duhet të hetohen pronësimet me tokë shtetërore.

“Toka nga bregu i lumit deri në argjinaturë që është një infrastrukturë mbrojtëse, është tokë publike e patjetërsueshme. Ju referoj në VKM që ka dalë në funksion të këtij ligji që bëhet e qartë sa është sipërfaqja. Kjo tokë është publike, e shtetit, e lumit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme. Hetoni në thellësi çdo zyrtar të vitit 1995-1998 e kur janë pronësuar njerëz me tokën që i përket lumit dhe shtetit. Ky është problem shumë i madh. Gjithmonë del një individ që merr pronësinë e asaj toke dhe e tregton te të tjerët”, tha Braçe.