Përgatitja e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE pritet të nisë në vitin 2027, tha kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. I pyetur pse vendi ende nuk është anëtarësuar pas 13 vitesh qeverisjeje, Rama tha se Shqipëria është “më afër se asnjëherë” pranë BE.
"Anëtarësimi në BE nuk është si shkollimi, ku ke një datë të përcaktuar. Ti shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, pastaj futesh në universitet dhe merr diplomën, gjithmonë në rast se i bën siç duhet detyrat. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë dhe nuk ka pasur asnjëherë për askënd. Shqipëria ka pasur ato tri vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian certifikonte se ne i kishim bërë detyrat dhe një shtet thoshte jo. Ky është një proces që, për sa na takon, duhet parë si një mundësi unike për ne dhe për çdo vend që ka perspektivë europiane, për të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe për të ndërtuar shtetin për të cilin kanë nevojë qytetarët dhe që ne nuk e ndërtuam dot për 500 vjet. Sot po e bëjmë falë këtij procesi.
Anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera, por ndërkohë alternativa jonë e vetme është të vazhdojmë të punojmë dhe, duke kryer detyrat, të përmirësojmë gjithçka që lidhet me shtetin. Është një proces dinamik. Të kërkosh një datë do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi. Datat mund të vendosen si objektiva, por mund të lëvizin, sepse janë 27 vende që duhet të bien dakord për çdo hap. Nëse ne kemi bërë diçka unike, duke hapur të gjithë kapitujt në një kohë rekord në historinë e integrimit në BE, kjo ka ardhur si rezultat i faktit që ne kemi bërë detyrën. Por edhe të 27 vendet kanë qenë gati të thonë se detyra është kryer. Për herë të parë në gjithë këto vite, në progresraport është shfaqur një togfjalësh për fillimin e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit vitin e ardhshëm. Jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë duhet të punojmë sikur të jemi më larg se asnjëherë", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Plani i Rritjes/ Shqipëria do të marrë 185,6 mln € të tjera për reformat! Kos: Anëtarë të BE-së deri në 2030! Rama: Jemi më afër se kurrë






