Pse ne shqiptarët i vlerësojmë pak të zgjedhurit tanë dhe një kompilim nga Ivan Krastev

Pse ne shqiptarët i vlerësojmë pak të zgjedhurit tanë dhe një kompilim nga Ivan Krastev

Foto ilustruese

Pse demokracia liberale po ç’flluskon në kohën tonë? A nuk e deshëm vallë vetë ne dhe në vitin 1990 të gjithë thërrisnim me një zë “Liri, Demokraci”? Pse shuhen aq shpejt premtimet e të zgjedhurve tanë të pushtetit lokal dhe atij qendror dhe ne sërish i votojmë? Pse bëhen ata aq të pasur, pas vetëm pak kohësh në pushtet? Pse nuk gjenden pas hekurave? Pse një shqiptar i thjeshtë, kapur me pak gramë drogë, është në burg?

Të marrim sa të marrim nga kjo demokraci, duket sikur po reduktohet perceptimi i demokracisë liberale në vendin dhe në kohën tonë. Kurse politologu Ivan Krastev e shkruante ndryshe në një ese të tij të thukët të titulluar: “Ajo ç’ka shkoi mirë, është edhe ajo që ka shkuar mirë”. Dhe, abstragimi i tij në shkrim lidhej me faktin nëse do arrijë ndonjëherë besimi i publikut tek demokracia të shtohej apo jo; nëse do të kishte më shumë transparencë dhe hapje, elementë që do ta përballnin publikun me institucionet e tij dhe tek demokracia e rrëfyer? Dhe “e konfuzonte” sërish, kur thoshte pak rreshta më pas po: Po a ja vlen vallë transparenca?…Pyetje të bukura që na vinë në këto momente, kur Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e pjesshme lokale. Pse shqiptarët e zakonshëm nuk u besojnë më administratorëve lokalë dhe të zgjedhurve të tyre të pushtetit qendror? Le të flasim me statistika për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale: 26 korrik 1992-1,988,795 të rregjistruar-70.7% e votuesve;1 dhe 15 tetor 2000-2,329,639 të regjistruar 50.7 % votuan;12 tetor 2003-2,703,608 të rregjistruar-45.7% votuan; 18 shkurt 2007-2,929,293 të rregjistruar-46.3% votuan;8 maj 2011-3,166,279 të rregjistruar-50.9 % votuan; 21 qershor 2015-3,372,471 të rregjistruar-47.3% votuan; 30 qershor 2019-812,249 të regjistruar-vetëm 22.9 % votuan…Pse ka rënë kaq shumë numri i votuesve dhe pse votojnë më pak se gjysma e shqiptarëve? Pse më pak se gjysma e popullsisë vendos për të tërën?

Duket se njerëzit nuk i besojnë më administratorëve të tyre (kryetarë bashkie dhe komunash) sepse tek e fundit edhe ata rezultojnë që në fund mbeten thjesht disa politikanë. Por në letra dhe në retorikën e prezantimit ata të flasin për liberalizmin dhe artikulojnë si pakkush për demokracinë, të hutojnë për zgjedhjet e ndershme që në fakt bëjnë shumë sens sepse individi jo thjesht ka të drejta por edhe mundohet t’i kërkojë ato përmes votës. Shteti i administruar nga të zgjedhurit tanë të gjithë niveleve ka detyrim të madh përballë qytetarit të vet, teksa trumbetohet më të madhe barazia e ligjit dhe shanse të barabarta për ata që duan të nisin diçka, por a i përmbush vallë ato?! Në terren ka treguar se jo. Ç’është e vërteta: Liberalizimi me idetë e vet ka qenë përherë i adhuruar dhe i propozuar sepse mbart një sens drejtësie që e përshkon teorikisht shoqërinë në të gjitha akset e veta, por koha po tregon se po shfryhet shumë.

Të mjafton të bësh një revistim të demokracisë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore me nivele shumë më të arrira se Shqipëria dhe të kuptosh se demokracia liberale pothuaj nuk ekziston më me kanonet e saj në kohën tonë. Ligjvënësit dhe kryetarët e bashkive dhe komunave kthehen për vetëm pak kohë të pasur dhe kjo është pabarazia më e madhe. Qoftë morale por dhe etike. Paskësaj, janë ata që arrijnë të krijojnë kastën e tyre, e cila e bën diferencën me kamjen ekonomike dhe arsimin. Kjo e fundit do të thotë se: Fëmijët e tyre janë në shkollat më të mira dhe gati për t’u integruar në shoqëri në stade shumë më të larta e në kushte të pabarabarta me shqiptarët e tjerë që mbarojnë në Shqipëri në universitetet fare të zakonshme….me pak fjalë, ka një sens hileje që e përshkon të gjithë artikulimin social të demokracisë dhe që e ndjejmë të gjithë në kurriz. Në të gjitha programet partiake ke kapitullin përkatës dhe fragmente të tëra për struktura sociale për barazinë por njeriu shpejt kupton se njerëzit e zgjedhur në pushtetin lokal e krijojnë vetë pabarazinë, njësoj si kolegët e tyre ligjvënës…Paradoksi nuk ndalet madje edhe këtu: Në shumë programe të së Djathtës ke shumë më tepër shikime sociale që afrojnë tek e Majta. Të mjafton politika e PPP-ve të së Majtës që ti kupton këtë diferencë të madhe, por mbi të gjitha ajo që lidhet me transparencën dhe mbi të gjitha shkarjen tek e Djathta. Ne sot jetojmë në një botë kibernetike por që publikut i bëhen pak gjera transparente: “Veçse, sot, ka shumë njerëz sot që janë pesimistë rreth atyre që e shohin me dyshim aftësinë çudibërëse e transparencës”, shpjegonte Krastev.

Dhe, çfarë ka bërë sot demokracia liberale dhe pse nuk përkthehet ajo dot me mirëqenie, ti e kupton nga migrimi masiv i shqiptarëve dhe i gjithë ballkanasve, shtuar madje deri edhe me vendet Balltike dhe sidomos vendet e Evropës Qendrore të tilla si: Hungaria, Sllovakia, Polonia etj., ku veç të rinjve tashmë po largohet dhe krahu i punës…Rasti i Shqipërisë është i dukshëm. Ata punëtorë që mbesin në vende si tek ne janë të paaftë që ti përgjigjen investimeve të huaja dhe kjo ndikon direkt në uljen e investimeve të huaja në vend, kurse vende të tjera po i thithin me zgjuarsi ato për të plotësuar gropat demografike, krijuar prej dekadash. Një analist i shquar politik i së Majtës, Servet Pëllumbi në librin e tij “Fundi i Filozofisë Politike” do e trajtonte në një sens tjetër: “Brukseli vërtet u jep vendeve të tilla të integruara  fonde, por ato shkojnë kryesisht për rrugë dhe objekte të tjera të infrastrukturës  që në thelb më tepër janë në interes të korporatave transnacionale (TNJK) që stimulojnë ndërtimin e supermarketeve gjigande për konsumatorët”

Alegoria e Krastev për temën tonë nis nga letërsia: “Është një ditë zgjedhjesh me shi, në një vend të vogël, i cili mund të ishte vendi im, apo vendi juaj. Për shkak të shiut, deri në ora 4 pasdite, askush nuk shkoi të votonte. Papritur shiu pushoi, njerëzit dolën nga shtëpia dhe shkuan të votojnë. Kur votat u numëruan, u pa se tre të katërtat e votuesve kishin hedhur në kuti fletë të bardha. Pra s’kishin votuar për askënd. Qeveria dhe opozita u paralizuan. Ti mund të marrësh masa kundër një proteste, di kë të arrestosh, me cilin të negociosh, por si duhet vepruar ndaj njerëzve që votojnë nul?!

Më në fund qeveria vendosi t’i përsërisë zgjedhjet. Këtë radhë, një masë edhe me e madhe votuesish, 83% e tyre, hodhën fletë të bardha në kutitë e votimit. Ata shkuan në qendrat e votimit, për t’i treguar gjithë botës se nuk kishin për cilin të votonin.

Ky në fakt është fillimi i një romani interesant të Xhozef Saramagos, por që kap shumë mirë një aspekt të rëndësishëm të problemit që kemi sot në Evropë me demokracinë. Nga njëra anë, askush nuk e ve në dyshim se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes. Demokracia është e vetmja “lojë” e vlefshme që kemi mes nesh. Problemi fillon kur njerëzit nisin të mendojnë se demokracia nuk është më një lojë që ja vlen ta luash.

Në 30 vjetët e fundit politologët kanë vërejtur një rënie konstante në procedurën demokratike, para së gjithash tek zgjedhjet. Sipas këtij vrojtimi, njerëzit më pak të interesuar të votojnë, janë ata që normalisht duhet të jenë më të interesuarit për proceset elektorale”.

Tregu nuk po vetërregullohet dhe këtë e kupton nga rasti shqiptar, ku monopolet gjithnjë e më shumë po i zënë frymën ekonomisë dhe sidomos ato që janë të lidhur me politikën, kurse teknologjia që u premtua se do të sillte ndryshimin, nuk po bën ndonjë diferencë aq të madhe. Kriza e pak viteve më parë, që e preku dhe Shqipërinë, kur Krastev përgatiti këtë artikull, tregonte se nga Komisioni Evropian, 89% e të anketuarve doli se ka një hendek të madh mes qëndrimit të politik-bërësve dhe dëshirave të zgjedhësve. Jo më kot, sot shqiptarët, kosovarët, serbët, maqedonasit e veriut, malazezët, boshnjakët votojnë gjithnjë e më pak. Dhe këtë e shikon në zgjedhjet e fundit, si edhe nga numrat, por mbi të gjitha nga demokracia, e cila ka sjellë një pabarazi të frikshme ngado. “Unë e konsideroj këtë shumë të rëndësishme e njëherësh dëshpëruese, kur diskutojmë defektet dhe avantazhet e demokracisë në botën e sotme”, shprehet Krastev.

Si mund të ndryshojë e gjitha? Duket se tashmë më shumë konstatohet sesa mund të sugjerohet, por duke perifrazuar sërish Krastev: një transparencë më e madhe, një kombinim mes qytetarit aktiv, teknologjive të reja dhe një legjislacioni që lejon gjithnjë e më shumë transparencë dhe kontroll nga publiku, do të rindërtojnë besimin tek politika dhe institucionet.

Fjalë të bukura që nuk shkojnë kurrsesi me informalitetin por edhe me të zgjedhurit tanë, që në asnjë moment të vetëm nuk e kuptojnë se duhet të jenë shërbestarë të votuesve. Ata shndërrohen që kur vota e publikut kthehet në pushtet për ta. Ndaj, shqiptarët, shkojnë gjithnjë e më pak në votime dhe po më pak do të shkojnë edhe në të ardhmen. Zgjedhjet e 6 Marsit ka të ngjarë të japin sërish një shifër tjetër argument për idenë tonë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë