Pohimi “Emri im është Askush” iu tha Ciklopit Polifem, djalit të Poseidonit, nga Odiseu dhe kjo shkruhet tek “Odisea” e Homerit. Nuk ia tha drejtpërdrejt Poseidonit, kujt do ia mbante vallë, por Odiseja e përdori këtë marifet të zgjuar që t’i shpëtonte nga shpella përbindëshit Ciklop. Po Uliksi është i paimagjinueshëm për mençuri dhe përmendja e emrit të tij lidhet me të gjithë mjeshtëritë që ndryshuan dhe narrativën e mitit.

Shumë larg në kohë, në një vend jashtëzakonisht të vogël, bashkë nga ato që në indekset e hartave nuk mjafton dhe numri, janë politikanët që tallen dhe kanë vënë në lojë një vend të vogël vazhdimisht të varfër. Tashmë “historia” shqiptare ka lënë dy syresh në fushë, respektivisht kryeministrin fuqiplotë të vendit, Edi Rama; dhe përballë tij kundërshtarin dhe protagonistin më të madh të jetës politike të vendit (post ’90), Sali Berisha, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i vendit dhe kryetari i pakthyeshëm i PD-së qysh prej ditëve të para të Demokracisë. E themi të tillë sepse nuk ka asnjë fuqi askush prej 35vitesh në këtë formacion, ku u varën aq shumë shpresa. Ata që kanë guxuar e kanë pësuar me përzënie, fyerje, nëpërkëmbje ose më keq akoma.

Në këtë vazhdë, në ditët e fundit, duke iu referuar figurës së Fatos Nanos, kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si atin e tij politik, ndërsa pranoi se ende nuk e ka një bir politik që ta zëvendësojë. Nuk ka nevojë të kuptosh bindjen e vërtetë të Ramës për këtë sepse shikon mënyrën sesi e trajton partinë dhe koreografinë politike të gjithë veprimtarisë së Partisë Socialiste nën drejtimin e tij. Flet, analizon, kritikon dhe kuptohet që inincon gjithçka vetëm ai. Në këtë hapësirë është e vështirë për dikënd për të mos thënë e pamundur të shpresoj të rritet. Veliaj me ambiciet e tij të mëdha ka nisur një udhë të gjatë me Drejtësinë, kur emra të tjerë mungojnë krejtësisht në skakierën e PS-së. E para se nuk duan t’i futen një beteje absurde, kurse e dyta sepse Rama mban spektrin e fituesit të zgjedhjeve dhe kjo është vulë.

Për Berishën ky argument as nuk ka sens. Partia Demokratike është e krijuar nga ai, i ka dhënë frymën e vet dhe cili ka guxuar ta sfidojë e ka parë se ku ka përfunduar. Më fatlumët janë rikthyer dhe janë shpërfytyruar në bindje dhe sidomos në mënyrën sesi kanë vazhduar karrierën (veço përfitimet që kanë pasur). Në biseda private, pas kuintave të emisioneve dikush mund të dëgjojë lloj-lloj epitetesh, krahasimesh dhe figurash për  Rama-Berishën, por në aktivitete partie askush nuk mundet (Tashmë po artikulojnë diçka më shumë për Berishën). Ndaj si për Berishën dhe Ramën puna e zëvendësuesit quhet e mbyllur njëherë e mirë, vetëm ata mund të drejtojnë, vetëm ata të dy kanë tagër për çdo gjë në formacionet e tyre dhe jetën e vendit. Ndaj monologët e tyre janë të pafundmë dhe ata që i mbështesin janë më së shumti ata që presin në çdo moment që të dy të rrëshqasin, jo prej rregullave të lojës politike, rotacionit në rast humbje, apo dorëheqjes, po prej ndonjë Deus ex machina.

Nga ana e tyre, Rama e Berisha vazhdojnë ta bëjnë shumë mirë këtë rol me batutat, veshët e taposur dhe sidomos cinizmin që shpesh i bën më grotesk sesa pushteti i tyre i lodhshëm. Por, njerëzit mjaftohen me ta dhe sidomos besimin se nuk ka: Më të ndershëm dhe më të mirë sesa ata. Kush i zëvendëson dot Ramën dhe Berishën?!-përsërisin të gjithë. Hë, kush,-të çirren militantët, sepse e dinë dhe përgjigjen.

Mund t’i kthjellonte një filozof që e njihte mirë politikën dhe mund t’i shkundte po të mos ishin kaq të verbër: “Demokracitë tona të mëdha ende kanë tendencë të mendojnë se një njeri budalla ka më shumë gjasa të jetë i ndershëm sesa një njeri i zgjuar, dhe politikanët tanë përfitojnë nga ky paragjykim duke u shtirur se janë edhe më budallenj nga sa i ka bërë natyra”.  Bertrand Russell tek “Shpresa të Reja për një Botë në Ndryshim” ka thënë atë që Odiseja dhjetëra shekuj para tij e bëri thjeshtë, kur nuk donte t’i përgjigjej sfidës së birit të njërit prej zotave me shprehjen gjoja të tuhafit: “Unë jam Askushi”: Jemi askushë para këtyre. Askush nuk i ndryshon dot njerëzit që i janë ngulur pushtetit në vendin tonë, sepse e dinë që asnjë “tuhaf” si Odiseja nuk mund t’i ndryshojë dot, Zotat e vërtetë të vendit./Javanews