“Çmimi i naftës po rritet nga taksat dhe paniku i tregut, jo vetëm nga lufta.” Kështu u shpreh eksperti i ekonomisë Enriko Ceko në një intervistë me emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, duke komentuar rritjen e fortë të karburanteve në vend.
Sipas tij, rritja ka ardhur fillimisht nga reagimi i menjëhershëm i tregut, ku radhët në pikat e karburantit shtynë tregtarët të rrisnin çmimet sipas kërkesës. Më pas, në pah ka dalë problemi i brendshëm i sektorit, që sipas Cekos është i dobët dhe i varur nga importi.
“Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri ka arsye. Në ditët e para, ishte aspekti psikologjik dhe emocional. Shqiptarët janë njerëz me probleme psikologjike dhe kanë ngarkesë emocionale. Nuk e kuptoj se si 24 orë pas luftimeve, sepse ajo nuk është luftë, luftë është kur shkon me bajoneta në terren. Që të nesërmen, u bë rradha tek pikat e karburantit në periferi me 200 makina, a thua sikur çfarë kishte ndodhur? Ai që ka karburantin dhe shikon rradhë të gjata e rrit çmimin aq sa mbajnë konsumatorët. Kjo punë është kërkesë-ofertë. Çështja është pasi kaloi 1-2 javë nga fillimi i luftës. Kjo periudhë tregoi brishtësinë që ka sektori i hidrokarbureve në Shqipëri” tha ai.
Ai thekson se Shqipëria nuk ka më rafineri dhe është shumë e varur nga karburanti i importuar, ndërsa çmimi rëndohet ndjeshëm nga taksat, veçanërisht akciza nga e cila qeveria përfiton rreth 20 milionë euro në muaj
“Në vitet 80’ kishin një sektor të mirë të hidrokarbureve, kishim rafineri nafte, kishim prodhim nafte në vend. Tani nuk kemi rafineri, kemi 1 milionë makina individuale, kemi një sistem rrugor që nuk është I përshtatshëm, kemi probleme me transportin urban dhe interurban dhe nafta që importojmë ka një akcizë e cila e shton çmimin e naftës. Nëse ne e blejmë naftën me 65-80 lekë, akciza e çon çmimin në 100 lekë. Mbi akcizën ka 20% TVSH, pastaj futet në magazinë dhe nga magazina shkon e çohet tek pikat e karburantit aty ku e blejmë. Deri këtu çmimi do të rritet sepse janë edhe 6-7 taksa të tjera” tha ai
Eksperti paralajmëroi se rritja e naftës ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar direkt te inflacioni dhe çmimet e produkteve bazë. Ai thotë se vetëm në 19 ditë, çmimi i karburantit është rritur me rreth 9%, duke sjellë rreth 2% inflacion. Ai propozoi që të hiqet akciza dhe TVSH-ja, të paktën përkohësisht, si mënyra e vetme për të ulur çmimin.
"Kryeminstri mund të heqë akcizën, qeveria merr 20 milionë euro në muaj nga akciza e karburantit. Nafta shqiptare që prodhohet del jashtë shtetit, nuk e dimë ku shkon. Nëse ne eksportojmë 300 mijë fuçi nafte, 300 mijë fuçi të tjera nafte që ne importojmë duhet të jetë pa aksizë dhe pa TVSH. Ne importojmë 750.000 ton naftë dhe eksportojmë 300.000. Transporti është gjaku i ekonomisë. Çmimi i karburantit është rritur deri në 9% vetëm për 19 ditë dhe kjo reflekton 2% inflacion, vetëm për 19 ditë. Lëvizja e qytetarëve, fuqisë punëtore, kapitalit, produkteve dhe shërbimeve bëhet me karburant. Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit është e madhe. Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk kanë akcizë” tha ai.
Sipas tij, krijimi i bordeve apo strukturave të tjera nuk është zgjidhje reale.
“Ska nevojë për borde. Në çdo bashki ka zyrë për mbrojtjen e konsumatorit. Kemi 10 shoqata që mbrojnë konsumatorin dhe kemi edhe agjensinë për mbrojtjen e konsumatorit. S’ka përse bën bord. Qeveria të marrë vendim për heqjen e akcizës dhe të TVSH-së. Nuk ka nevojë për asgjë tjetër. Kjo është njësoj sic thotë shprehja “u prish kusia dhe ti bën kanaçe”. Të bëjmë një bord, që ai bordi të marrë vendime dhe të na i japë ne në qeveri, që qeveria të mblidhet e të bëjë një VKM nëse është dakord me bordin. Qeveria duhet të vendosë heqjen e akcizës deri në stabilizimin e çmimeve të karburantit" tha Ceko.
Sipas tij, Shqipëria është më e goditur se vendet e rajonit, pasi Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk aplikojnë akcizë mbi karburantin.
Ceko ngriti shqetësim edhe për bujqësinë, duke theksuar se vendi importon rreth 80% të ushqimeve, çka e bën edhe më të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve të transportit.
“Nëse ke një bujqësi që nuk prodhon, normalisht që do të mbetesh i varur nga produktet e importit. Çmimet e tyre rriten për shkak të transportit dhe naftës. Ne importojmë 80% të ushqimeve, por edhe lëndët e para për prodhimin e ushqimeve i importojmë. Kriza godet edhe sektorin e turizmit në botë por jo në Shqipëri. Po të jemi të zgjuar mund t'i marrim edhe turistët që do të bënin pushime në zonën e konfliktit” tha ai.
Ndërkohë, në treg, çmimi i naftës ka arritur deri në 202 lekë për litër nga rreth 173-175 lekë që ishte para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme. Qeveria ka ngritur një task-forcë për monitorimin e çmimeve dhe ka paralajmëruar rikthimin e Bordit të Transparencës në rast abuzimesh, por për momentin nuk parashikon ndryshim të taksave.
Komente







Fatkeqesi QE ne shqiperi biznesi ka mmendjen vetem per te perfituar ne kurriz te qytetarit Harroje QE shqiptaret Jane Jo vetem te keqpaguar por dhe te vjedhur Ne shqiperi Nik degjohen ekspertet por behet propagande ne kurriz te taksapagueseve pa ju dhene ne kembim ate QE gjithseicili merito ne forme invesimti dhe sherbimi dhekur vjen puna QE autoritetet apo biznesi te japin llogari justifikohen pa' matte asnje mase konkrete Duke ulhr besimin che fikur shpresen se gjerat do permiresohen
Përgjigju