Pse s’ka ligji për Referendumet?

Pse s’ka ligji për Referendumet?
Kodi zgjedhor u miratua në 8 Maj 2000, domethënë afro 1 vit e gysëm mbas miratimit të Kushtetutës. Në Qershor 2003, u shfuqizua Kodi i vitit 2000 dhe u miratua Kodi i ri nr.9087, datë 19.06.2003. Në 23 Prill 2004, në Strasburg/Varshavë, lidhur me Kodin tonë Zgjedhor u përgatit një dokument i rëndësishëm i Komisionit të Venecias dhe i OSBE/ODIHR-it. Në të  paraqiten rekomandime të përbashkëta për rishikimin e mjaft dispozitave të këtij Kodi, midis tyre edhe të ...disa neneve të pjesës së 9-të, ku bëhej fjalë për referendumet (shih dokumentin: botim shqip, viti 2004, paragrafet 61 – 65, faqe 18-19).
Mbas vitit 2004 deri në Nëntor të vitit 2008, siç dihet, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, Kodi Zgjedhor ndryshoi disa herë, por asnjëherë nuk janë rishikuar apo diskutuar rekomandimet mjaft të rëndësishme që ishin bërë për referendumet nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i, në vitin 2004. Tërheq vëmendjen fakti, se gjatë kësaj periudhe, zyrtarisht, nuk është thënë asgjë nga asnjë nga përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it, domethënë nuk u kërkua zbatimi i tyre, siç është vepruar me rekomandimet për përmirësimet në Kodin Zgjedhor.

Politika, siç duket, e nënvlerësoi ose e anashkaloi këtë problem. Krejt predispozicioni i saj kanë qenë zgjedhjet parlamentare dhe ato të qeverisjes vendore.

Në 29 Dhjetor 2008, me konsensus të gjerë, Parlamenti miratoi Kodin e ri Zgjedhor. Në këtë Kod nuk u përfshi pjesa e 9-të, Referendumet, por në nenin 185 të tij u theksua se:: “Referendumet e ligjit nr.9087, datë 19.06.2003” të Kodit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar, si dhe çdo pjesë e dispozitave të tij që ka lidhje me të mbetet në fuqi, deri në miratimin e ligjit “Për referendumet e përgjithshme dhe vendore”.

Kjo do të thotë se duhej miratuar ligji i ri vetëm për referendumet e përgjithshme dhe ato vendore dhe jo referendumet kushtetuese, të cilat trajtohen dhe zbatohen në përputhje me nenin 177 të Kushtetutës (pikat 4, 5, 6 dhe 8 të saj).
Tërheq gjithashtu vëmendjen fakti se qysh prej Dhjetorit 2008 dhe deri më sot (tre vjet e tetë muaj) nuk është thënë asgjë, as për rekomandimet e vitit 2004 dhe as për ligjin e ri për referendumet.

Tani, domethënë këto ditët e fundit, meqë nuk u arrit konsensusi për të votuar projekt-amendamentet për kufizimin e imunitetit, bëhen deklarata të vazhdueshme për këtë çështje, ndërsa media është e angazhuar gjithashtu: bën detyrën e vetë, informon publikun.

Mbështetur në pikën 2 të nenit 2 të Kushtetutës, ku thuhet se “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejt”, kërkohet që për këtë problem të shprehet populli me referendum. Synohen të gjenden rrugë jashtë nenit 177 të Kushtetutës, jo në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2009 dhe as me vendimin nr.25, datë 24.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese (shih vendime të Gj.K, vëllimi i vitit 2009, faqe 303), ndërsa për mendimin tim, e vetmja rrugë e drejtë dhe kushtetuese do të ishte zbatimi me konsensus të gjerë, bazuar në nenin 177 të Kushtetutës. Kuptohet, nëse ekziston i njëjti konsensus mund të ndryshohet edhe neni 177 ose ndonjë nen tjetër.

Është e vërtetë se në nenin 150, pika 2 e Kushtetutës, thuhet se: “Kuvendi, me propozim të jo më pak se 1/5 të deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projekt-ligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum”, por ky referendum nuk është kushtetues dhe si rrjedhim nuk ka të bëjë me nenin 177 të Kushtetutës (rishikim i Kushtetutës).
Në vitin 2008 (21 prill), mbështetur në nenin 177 të Kushtetutës, u bënë disa ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë. Siç dihet, qysh atëherë kishte vërejtje jo të pakta për këto ndryshime, madje pjesërisht ato ishin jo serioze. Vërejtje të tilla vazhdojnë edhe sot. A nuk do të ishte mirë që qysh atëherë, ata që miratuan këto ndryshime (mbi 2/3 e deputetëve) të vendosnin që për këto çështje të thoshte fjalën e vetë edhe populli me referendum? Kështu do të zbatohej jo vetëm pika 4 e nenit 177 të Kushtetutës, por edhe parimi themelor kushtetues ku thuhet se, populli e ushtron sovranitetin e tij edhe drejtpërsëdrejti (neni 2, pika 2 e Kushtetutës). Aq më tepër mendoj se kjo mund dhe duhej bërë edhe për faktin se Kushtetuta jonë është miratuar me referendumin e 22 Nëntorit 1998.

Në përfundim, mendoj se ne duhet të miratojmë ligjin e ri për referendumet, jo vetëm sepse për këtë ka vendosur vetë Kuvendi në vitin 2008, por siç dihet edhe ndonjë nismë që është ndërmarrë për organizim të ndonjë referendumi të përgjithshëm ose lokal, për arsye të ndryshme por edhe për interpretime nga më të ndryshmet të kësaj apo asaj dispozite ligjore, ka dështuar ose mund të jetë drejt dështimit.

Zhvillimet e referendumeve, siç dihet janë tregues emancipimi demokratik të një shoqërie. Duke patur parasysh kushtet e vendit tonë, si dhe përvojën shumë të pasur të disa vendeve të tjera, ne mund të hartonim dhe të miratonim një ligj bashkëkohor dhe demokratik për referendumet.

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve

Kreshnik Spahiu në Report TV: “Paketa e maleve” pozitive, por jo të gjithë emigrantët mund bëjnë bujtina apo hotele! Duhen oferta për kthimin e profesionistëve