Mungesë sigurie në vendin e punës, sindikata që ekzistojnë vetëm në letër dhe institucione që nuk kanë kapacitet të kontrollojnë bizneset. Këto ishin disa nga shqetësimet kryesore që ngriti Gertjana Hasalla nga Qendra për të Drejtat në Punë, ndërsa 1 Maji në Shqipëri vazhdon të trajtohet më shumë si ditë feste sesa si ditë proteste për të drejtat e punëtorëve.

Sipas  kjo nuk është rastësi, por një trashëgimi e drejtpërdrejtë nga e kaluara komuniste.

“Kjo traditë ka mbetur nga regjimi i shkuar, ku festoheshin përpjekjet e punëtorëve gjatë gjithë vitit. Ishte propagandë dhe ka mbetur ndër vite. Të rinjtë nuk e shohin shumë”, u shpreh ajo në emisionin “Sot Live” në Report TV.

Sipas Hasallës, edhe mënyra si kanë funksionuar deri më sot sindikatat lidhet pikërisht me këtë trashëgimi, e cila është e gabuar sepse mbështetet tek privilegjet  për një grusht njerëzish dhe jo tek punëtorët. 

“Më parë, në kohën e komunizmit ekzistonin Bashkimet Profesionale dhe nga ato u krijuan dy konfederatat e mëdha që kanë të njëjtën frymë dhe më shumë kujdesen për interesat e tyre dhe jo të punëtorëve. Shtëpitë e pushimit të punëtorëve iu dhanë këtyre konfederatave… nuk ishte nevoja. Fuqia e tyre duhet të jetë tek punëtori, përndryshe jo prona që u është dhënë në mënyrë arbitrare të përbëjë fuqinë. Nëse një sindikatë nuk ka besimin e punëtorit, nuk ka fuqi të bëjë gjëra të tjera përpara”, u shpreh Hasalla.

Gjatë intërvistës ajo shprehu shqetësim edhe për shifrat e aksidenteve në punë. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 212 raste dhe 48 viktima, një bilanc që, sipas saj, ngre shqetësime serioze.

“Janë shumë në këtë Shqipërinë tonë të vogël. Këtu nuk ka siguri për punëtorët në vendin e punës. Shumica e këtyre 48 jetëve të humbura janë në sektorin e minierave, ndërtimit dhe shërbimeve, elektriçistët gjithashtu. Sektori i ndërtimit nuk ofron siguri punëtorëve të vet. 48 është numër i madh për SHqipërinë tonë të vogël” tha ajo

Sipas saj, përveç sigurisë, problem në Shqipëri mbetet edhe nëndeklarimi i pagave dhe i aksidenteve.

“Kur flitet për aksidente në vendin e punës përgjegjësinë kryesore e ka Inspektorati i Punës por ky institut nuk ka inspektorë të mjaftueshëm pra burime njerëzore që të monitorojë bizneset në Shqipëri. Kjo është problematikë e shtetit, pra që ti nuk ke mjaftueshëm njerëz që të bëjë monitorimin e bizneseve, ose ta bëjë në mënyrë periodike. ” tha ajo.

Hasalla argumenton se dhe nëse në Shqipëri nuk ka asnjë sindikatë, në vendin tonë ka kod pune, që e përcakton qartë si duhet trajtuar punonjës dhe pranon faktin që ndonjëherë sindikatat në vendin tonë janë të kota si partitë politike që regjistrohen në zgjedhje. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka shembuj të mirë. 

“Ndonjëherë janë edhe ashtu. Realiteti ndonjëherë është i hidhur, por ka sindikata që punojnë. I tillë është rasti i Sindikatës së Hidrokarbureve që punon në Kuçovë, e cila sapo ka lidhur me kompaninë private një marrëveshje kolektive që mbulon punonjësit e sektorit dhe u ofron kushte më të mira” deklaroi ajo.