I pari Shefqet Peçi qe komandanti i brigadës V, njeri i hekurt, i ashpër, gjithmonë kundër elementit femër në luftë. I dyti, Hysni Kapo, komisari i brigadës, është ai që ka marrë një prej letrave denoncuese për “skandalin” Ramize-Zaho, letër ku bëhet plani për gjyqin që në 16 mars.
I treti Manush Myftiu, po ashtu ka marrë një tjetër letër me denoncime mbushur me detaje perverse për dashurinë e Zahos dhe Ramizesë. Ndërsa në fund të listës shfaqet Xhaka, (Ramadan Xhangolli), edhe ai një prej emrave që del që në krye të denoncimeve, njeriu që e ndjek hap pas hapi Interesantin (Ramizenë).
Ky qe vendimi pas gjyqit një ditor (siç e dëshmonin procesverbalet ku shënohet data 4 mars 1944. Por më shumë se sa një vendim gjyqësor, ky dokument me firmat e shtatë burrave që vendosën të pushkatojnë 21-vjeçaren Ramize Gjebrea, është një raport drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, raport ku jepet me hollësi gjithë ngjarja, zhvillimi i gjyqit dhe portretizimi sipas tyre i Ramizesë dhe i Zahos, ku Ramizeja cilësohet tradhtare e Partisë dhe e pasinqertë, ndërsa Zaho i sinqertë, por i paformuar dhe si rrjedhojë është manipuluar prej saj. Pas kësaj vjen vendimi, pushkatim për Ramizenë “që mendon të kënaqë epshet e saj, influencon tek Zahua dhe bashkërisht dëfrejnë...” dhe për Zahon shkarkim nga përgjegjësia, përjashtim nga Partia dhe të dërgohet në një qark tjetër...”.
Më shumë se maskilist, në pamje të parë, ku gjithë egërsia e akuzat, sikurse edhe shpagimi, rënduan mbi një vajzë 21-vjeçare, aktiviste e flaktë e Luftës Nacionalçlirimtare, ky vendim duket se fsheh një skenar të paramenduar. Nëse Zaho Koka do të mbante qëndrim tjetër në gjyq, ndaj tyre s’mund të vërtetoheshin akuzat për tradhti dhe sabotim të Ushtrisë. Teza të hedhura vite më vonë nga bashkëkohës të Ramizesë e Zahos, pretendojnë se Zaho s’mund të pushkatohej në ato rrethana, se ai qe “mbret” në jug dhe se emri i tij gëzonte respekt të madh. Kjo do ta minonte punën e Partisë në jug të vendit.
Por Zaho Koka u vra, a mbet i vrarë, vetëm pak muaj më vonë. Dhe jo rastësisht, në një letër të Nako Spiros për Enver Hoxhën, nënvizohet fakti “e vranë apo u vra, mos ka lidhje kjo me çështjen e Interesantit (Gjerbesë)?”. Gazeta sjell sot vendimin apo raportin e plotë të firmosur nga shtatë anëtarët e gjyqit partizan që vendosën të pushkatojnë Ramize Gjebrenë, ndërsa në vijim, javën që vjen do të sjellim atmosferën se si u perceptua pushkatimi i Interesantit (Ramize Gjebrea), atmosferë që jepet në letërkëmbimet mes Nako Spiros, Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit.
Dokumenti i plotë
Komitetit Qendror të P. Komuniste Shqipëtare
RAPORT
Në kohën kur Partija jonë me themele të çelnikta e çimentuar prej gjakut shokëvet t’anë që kanë derdhur është më e fortë se kurrë, në kohën kur ushtrija Nacional Çlirimtare po shtonë dhe forcohet dita ditës duke u dhënë grushte të forta okupatorit dhe trathëtarëvet, pikërisht në këto kohë kur armiku po bën ofensiva të vazhdueshme kondra forcave t’ona liridashëse, kur antarët e Partisë Komuniste duhet të jenë shëmbëll në luftë, sakrifica, sjellje dhe të mendojnë vetëm për një gjë, realizimin e qëllimit t’onë, konstatohet me hidhërimin më të madh se midis dy drejtuesëvet të Ushtrisë N.C. të Brigadës së V të neglizhohet puna dhe të mbrijë të cënojnë moralin proletar, pikën më dobët ku armiku na ka luftuar dhe po na lufton.
Kur armiku me forca të shumta në gjitha anët goditi qarkun t’onë, Komanda e Brigadës vendosi që të pesë batalionet të shpërndaheshin në pesë sektorë për t’a pritur armikun me luftë në çdo anë.
Batalioni i III u dërgua në krahinën e Himarës për shkatërrimin e komunikasionit dhe të ndalonte lëvizjet armike ku e kreu detyrën plotësisht. Për çdo batalion përveç drejtuesvet të batalionevet u ndanë dhe shokët që përbëjnë Shtabin si dhe ata që bëjnë Seksionin Politik, me qëllim që puna të shkonte më mirë. Batalioni i III që komandohet prej shokut Mehmet Ali Shehu, prej Komisarit Zenel Hamiti, prej Zv. Komisarit Zaho Koka dhe prej Zv. Kom. Hysen Dino, shkoi për të vazhduar punën politike dhe organizative shoqja Ramize Gjebre, antare e Seksionit Politik në Brigadë dhe si drejtuese e rinisë Brigadës dhe e Agit-Propit.
Gjat kohës së qëndrimit të shoqes në fjalë në krahinën e Himarës, konstatohet se Ramizeja bije në relacione dashurije me Zv. Komisarin e bat. Zaho Kokën siç do t’a shifni dhe nga raportet e bashkangjitura të bëra prej komisarit Bat. Shokut Zenel Hamit, prej partizanit Tanush Shyti, prej antarit të Komitetit Rajonit, shokut Lefter Kasneci si dhe raportet e shokut Xhake që i ka raportuar aty dhe këtu na i raporton verbalisht.
Shtabi i Brigadës porsa mori raportet e sipërme mori masat e duhura për arrestimin e tyre dhe formoi gjyqin për t’i dhënë fund sa më parë këtij skandali që mbriti të kuptohet haptazi dhe prej disa partizanëvet që ndodheshin përqark.
Duke marë parasysh se çështja ishte mjaft serioze dhe duhesh para se të meresh vendimi i duhur të rriheshin të gjitha problemet që do të na paraqiteshin në këtë rast dhe duke patur pamundësinë të mereshim vesh me Komitetin Qendror mbasi të dy të dashuruarit e kuptuan se shokët drejtues të Ushtrisë ishin në dijeni dhe për të evituar çdo gjë (trathëtin e tyre) e pamë të arësyshme që gjyqi të formohet më i gjërë dhe jo vetëm prej atij të Brigadës, kështu që muarën pjesë në gjyq këta shokë:
Komandanti i Brigadës, Komisari, Zv. Komisari, Sek. Organizativ i seksionit politik, kulturo arsimori, Sek. Politik i Qarkorit Vlorë dhe i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqipëtare Shoku Xhake.
Gjyqi mori në pyetje shoqen Ramize duke ju kërkuar të shpjegojë ngjarjen përsa u përket relacioneve dashurore me Zaho Kokën.
Deklaratat e para të saj përshkruhen në procesin No. 1 (Shifni procesin). U muar në pyetje Zaho Koka, Dekllaratat shifen në procesin No-2; me që dekllarata ishin në kundërshtim, u thirr përsëri Ramizeja e cila dekllaroi simbas procesit No 3, u pa i nevojshëm ballafaqimi dhe mbasi u ballafaquan u firmos procesi No. 4.
Siç do t’a shifni dhe nga proceset në fjalë, procesi i mbajtur herën e parë mohohet çdo gjë prej Ramizes, mohoi gjithashtu dhe thënien e shokut Xhake që ja çfaqi në prezencën e saj para gjyqit. Gjithashtu edhe në procesin e dytë të Ramizes shihet se mundohet të mbulojë të vërtetën, vetëm kurëse u bë ballafaqimi, duke parë se Zahua ja faktonte të gjitha u shtërngua të pranojë duke u munduar me çdo mënyrë që të justifikohet. Mbas i firmosën që të procesin e fundit.
Gjyqi i formuar posaçërisht, duke marë parasysh shvillimin e ngjarjes duke marë parasysh realitetin e raportevet të shokëvet që i kishin paraqitur me shkrim dhe verbalisht si dhe nga sa u konstatua në dekllaratat e Zahos e Ramizesë, gjyqi studioi:
Ramizeja. – Shoqe me përgjegjësi, edukatore e Rinisë së Brigadës, e shvilluar nga çdo pikëpamje dhe mjaft e zgjuar, zotëron vijën e Partisë fare bukur e fejuar legalisht para partisë, udhëheqëse në terren dhe Ushtri, në një kohë kur Ushtrija jonë ndodhesh në vuajtjet më të mëdha, në këtë kohë ku shokët komunista të tregohen më të fortë se kurrë, të mbajnë lart moralin e ushtrisë, të jenë shëmbëll në vuajtje dhe sakrifica, Ramizeja mbrin që të mohojë që të gjitha vetes për të kënaqur epshet e saja, influencon tek Zahua dhe bashkarisht dëfrejnë
Para gjyqit nuk është treguar aspak e sinqertë, bindemi pra se e përmendura është trathëtare e Partisë, shkelëse e moralit proletar dhe trathëtare e shokut të cilit i ka premtuar fejesën, nuk ka asnjë fije komunismi mbasi ka mohuar çdo gjë. Me zë të përbashkët faqet mendimi që e përmendura të pushkatohet para forcavet partizane.
Zaho Koka. – Njeri i vendosur për partinë, i pa shvilluar siç duhet, di vijën e partisë, influencohet prej shokëvet me përgjegjësi, i pa fejuar, deklaron se e donte me qëllim martese tue mos ditur fejesën e saja, i ngarkuar me përgjegjësi jo pse ishte në gjendje porse pse ishte besnik i Partisë dhe gjat detyrës me ndihmën e shokëvet do të shvillohesh. Është shkelës i moralit proletar më shumë se ka influencuar tek ai Ramizea që ishte në një pozitë më të lart, dhe më von këtë dashuri e ka vazhduar me koshiencë.
Para gjyqit është treguar deri diku i sinqertë ku tregohet diçka si komunist me gjithë se duhesh të ishte raportuar më para. Duke marë parasysh fajet e njërit dhe të tjetrit nuk janë të një llojshme dhe duke patur para sysh që elementat që japin shpresë të mundohemi t’i ngremë lart me gjithë se janë fajtorë mbas shumë diskutimesh, u vendos që Zaho Koka të mirte këtë shënim: Shkarkim nga përgjegjësija, përjashtim nga Partia dhe të dërgohet në një qark tjetër.
Vdekja Fashizmit
Liri Popullit
Zon e Lirë, 7/III/44
Komandant i Brigadës (Shefqet Peçi)
Komisari i Brigadës (Hysni Kapo)
Zv. Komisari (Manush Mifti)
Organizativi i Sek. Politik (Hito Çaju) Qenani
Kulturo Arsimori (Bilbil Klosi)
Sek. Politik i K. Qarkor (Pajo Islamaj)
I Deleguari i K. Qendror të Rinisë K.SH. (Xhaka)
( Në foto: Ramize Gjebrea në vjeshtë 1943 (në rreth), në Institutin ''Nëna Mbretëreshë'')
Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
LEXONI ME SHUME
EKSKLUZIVE/ Si e shiti Zaho Koka Ramize Gjebrenë
Letra që e spiunoi tek Nexhmije Hoxha
Letrat e spiunëve që çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)