TIRANË- Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka dhënë një argument të ri se përse nuk lejohet muzika në kafene. I ftuar në studion e Report Tv, Klosi tha se valët përhapin virusin, një argument i ri ky, që nuk  ishte dëgjuar më parë, por që ministri e tha me siguri, sipas së cilit është e vërtetuar shkencërisht. 

"Nuk duhet t'ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, se për politikat e turizmit do ishte shumë mirë që të ishin të hapura, por kjo pyetje duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar  janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin, në distancat që jemi ne të dy mund të mos ketë përçim, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe. Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pika alkoolike, njerëzit duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë", tha Klosi në Report Tv.

Për ministri tërmeti dhe COVID-i  "sfidoi" turizmin në vendin tonë. "Tërmeti me gjithë të këqijat që pati, po të flasim për turizmin, ishte një bonus pozitiv se tregoi qe kemi kapacitete akomoduese. Pandemia na bëri të vinim me qindra dilema, plotësuam kërkesat e biznesit, mbase jo të gjitha, por të paktën të gjitha i diskutuam dhe ajo që ndodhi me verën, përsëri them që nëse ka një gjë shumë pozitive në këtë periudhë ishte se ato nuk e ulën cilësinë e shërbimit dhe as qepenin", tha Klosi.  

Ministri ka dhënë mendimin e tij sa i përket një nga çështjeve më "të nxehta" të ditëve të sotme që është hapja e listave. Ai e ka gjykuar si më të drejtë që qytetari të votojë programin e partisë dhe jo vetëm individin. "Unë i kam kaluar mandatet dhe mazhoritar dhe propocional, dhe në atë që do vendoset të hënën në parlament, do jetë vendimmarrje forumeve, nga eksperienca modeste që kam asgjë nuk është në dëshirën e individët, forcat politike bëjnë strategjitë e tyre, vendosin në fushatë njerëzit që grumbullojnë më shumë vota. Unë jam partizan i fortë i ndryshimeve të 2009 se ato bën ë të mundur që më shumë se individi të votohet programi, unë jam dakord që të votohet programi i forcës politike se individi, lidershipi. Natyrisht është   rëndësishme që njerëzit të dinë se për kë votojnë, se kush janë deputetët, por është më e rëndësishme të votojnë për taksë të sheshtë apo progresive,  nëse do jetë e njëjtë si për të pasurit dhe të varfrit, po siç kemi ne parimin, pra të mos votojnë për njeriun e lagjes por për programin më të mirë. Brenda kësaj padyshim në listën e partisë do përcaktojnë edhe njerëzit se kë vlerësojnë më shumë, pra kemi të dyja në harmoni me njëra-tjetrën", përfundoi Klosi.

VIDEO/Intervista e plotë