6 kartëmonedhat që janë pjesë e serisë së re kanë si portret figura të rëndësishme historike dhe që kanë dhënë kontribut për Shqipërinë. Por në asnjë prej kartëmonedhave nuk është pasqyruar figura e gruas shqiptar. Guvernatori Sejko shpjegon arsyet e kësaj përzgjedhjeje, dhe sqaron se nuk ka të bëjë me diferencime, por me etapa kyçe të historisë së vendit.
“Në serinë e kartëmonedhave, Banka Qendrore është përpjekur që të reflektojë të gjithë historinë e kombit dhe figurat më të ndritura të kombit shqiptar. Sigurisht që në lashtësi, pavarësisht që mbretëresha Teuta është një nga figurat dhe ne kemi një femër që në lashtësi, por në momente kyçe të historisë është gjykuar dhe vlerësuar nga historianët dhe nga komiteti, jo vetëm nga Banka, që të ishin këto figura, të cilat lidheshin me disa momente kyçe historike që dihen dhe që janë në kartëmonedha, duke filluar pastaj që nga mbreti Gent. Skënderbeu ishte prerja më e lartë. Sipas epokave të historisë kemi edhe figurat që kanë bërë histori për kombin shqiptar. Komisioni, komiteti i ekspertëve, i historianëve, i albanologëve, i numizmatëve dhe i punonjësve tanë të Bankës së Shqipërisë, vlerësoi dhe miratoi Himnin e Flamurit për kartëmonedhën me prerjen më të lartë dhe figura e lidhur me Himnin e Flamurit ishte poeti kombëtar Asdreni, pasi ai ka bërë tekstin e Himnit të Flamurit. Kjo është edhe arsyeja pse Asdreni është në kartëmonedhë, pasi tematika kryesore e kësaj kartëmonedhe është Himni i Flamurit. Nëse Himni do të kishte një poete grua, do të ishte edhe një grua. Është edhe një nga vargjet e Himnit të Flamurit”, sqaron guvernatori.
Sa i takon mundësisë për të pasur portretin e ‘Nënë Terezës’ në një nga kartëmonedhat, Sejko e përjashton si mundësi pasi ajo është në proces shenjtërimi.
“Në monedhën me kurs ligjor 100 lekë kemi mbretëreshën Teuta, pra nuk janë vetëm kartëmonedhat por edhe monedhat. Do të dëshironim ndoshta të kishim Nënë Terezën, por Nënë Tereza është një shenjtore tashmë dhe do të ishte e pamundur që të ishte në kartëmonedhë. Është një monedhë numizmatike që ka shumë vlerë, një monedhë floriri shumë e bukur, ku kemi Nënë Terezën. Por këta janë vlerësuar dhe gjykuar sipas historisë së kombit shqiptar, që të jenë personalitetet që të prezantojnë kartëmonedhën tonë.
Lajmi kryesor: