Të dielën, më 25 janar, një ditë pas ekzekutimit të Alex Prettit në një rrugë të Minneapolisit nga dy agjentë të Agjencisë federale për kontrollin e emigracionit dhe kufijve (famëkeqja ICE), Shtëpia e Bardhë publikoi një postim të gjatë në Instagram për të thënë se infermieri i ri “ishte i armatosur” (me një telefon inteligjent!), se “ishte i rrezikshëm” (po i filmonte, në fakt) dhe se, me pak fjalë, ishte faji i tij që e kishin qëlluar me dhjetë plumba pas shpine ndërsa ishte shtrirë përdhe, me fytyrë nga toka.
Kjo mënyrë e pacipë për të përmbysur faktet nga ana e Donald Trumpit nuk është risi. Në fund të fundit, ishte një këshilltare e rëndësishme e presidencës së tij të parë, Kellyanne Conëay, ajo që na prezantoi konceptin e “të vërtetave alternative” për të maskuar ato që pothuajse gjithmonë janë thjesht gënjeshtra të mëdha. Ndodhi në një ditë të saktë dhe simbolike. Ishte 22 janari 2017, menjëherë pas betimit të Donald Trumpit. Fotografitë e ceremonisë në Uashington kundërshtonin në mënyrë të pakundërshtueshme atë që kishte deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i cili pohonte se bëhej fjalë për “inaugurimin me pjesëmarrjen më të madhe në historinë e inaugurimeve”. E intervistuar në televizion, Kellyanne Conëay e minimizoi gënjeshtrën galaktike të kolegut: “Mos e dramatizoni kaq shumë, Sean Spicer nuk ka gënjyer, thjesht ka marrë parasysh fakte alternative”.
Pas nëntë vitesh “të vërtetash alternative” jemi mësuar tashmë. Ndonjëherë madje na bëjnë edhe të buzëqeshim. Por fyerja ndaj të ndjerit Alex Pretti në rrjetet sociale më ishte dukur e papranueshme dhe kështu, nga impulsi, atë ditë bëra diçka që prej kohësh nuk e bëj më: komentova postimin e “White House”. Shkrova: “Janë të gjitha gënjeshtra”. Një gjë e thjeshtë, nuk ofendova askënd. Vetëm: “Janë të gjitha gënjeshtra”. Në rrjetet sociale thuhet shumë më keq se kaq; edhe nën postimet më të pafajshme ka gjithmonë dikush që fyen, është normë. Të gjithë e dinë këtë. E megjithatë, brenda një sekonde ose një fraksioni të saj, algoritmi i Metas e identifikoi komentin, e bllokoi dhe në ekranin tim u shfaq një njoftim që thoshte tri gjëra: gjuha fyese shkelte rregullat e platformës; nëse do të vendosja ta publikoja tekstin ashtu siç ishte, me shumë gjasë nuk do të ishte i dukshëm për të tjerët; dhe së fundi, nëse do të këmbëngulja me komente të këtij lloji, llogaria ime do të çaktivizohej.
Do të më nxirrnin jashtë.
Për faktin se kisha thënë: “Janë të gjitha gënjeshtra”.
Ky është klima tani në rrjetet sociale.
Në fund të fundit, “trumpizimi” i Instagramit tashmë është i plotë. Vetëm pak ditë më parë, më 12 janar, kishte ndodhur emërimi si presidente dhe nënkryetare e bordit i Dina Poëell McCormick. Duke dhënë lajmin, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg kishte lavdëruar përvojën e saj “në nivelet më të larta të financës botërore” (veçanërisht në Goldman Sachs) dhe “marrëdhëniet e saj të thella në mbarë globin”. Marrëdhënia më e rëndësishme e presidentes së re të Metas është padyshim ajo me presidentin e Shteteve të Bashkuara, për të cilin në të kaluarën ka punuar si Zëvendës Këshilltare për Sigurinë Kombëtare. Trumpi, në fakt, e lavdëroi menjëherë emërimin duke e quajtur “një zgjedhje fantastike”, me shumë shkronja të mëdha dhe me shumë pikëçuditëse, si gjithmonë. Para saj, Zuckerbergu kishte punësuar nga Microsofti, Curtis Joseph Mahoneyn si shef të çështjeve ligjore. Ai ka qenë ish-zëvendës përfaqësues tregtar i Shteteve të Bashkuara gjatë presidencës së parë Trump.
Transformimi politik i Metas kishte nisur një vit më parë, menjëherë para betimit të presidentit të ri, me hyrjen në bordin drejtues të Dana Ëhite, kreut të “Ultimate Fighting Championship”. Të gjjithë e dinë se Dana Ëhite ka një lidhje personale miqësie me Trumpin, të lindur njëzet e pesë vjet më parë, kur ai ishte sipërmarrës i pasurive të paluajtshme dhe organizonte ndeshje në kazinonë e tij në Atlantic City. Madje Dana e adhuron Donaldin dhe nuk humbet asnjë rast për t’ia bërë të ditur botës.
Me pak fjalë, nuk mund të thuhet se gjatë trembëdhjetë muajve të fundit Mark Zuckerberg nuk ka bërë gjithçka për t’u futur në hatër presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara dhe për ta bërë të harrojë kërcënimin e përsëritur për “ta futur në burg” sapo të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Nuk mund të mohohet, por me gjasë tani nuk mund të postosh më në Instagram, sidomos nëse jeton në Shtetet e Bashkuara, përveçse nëse dëshiron të rrezikosh fshirjen e profilit.
Në të njëjtat orë, në TikTok, por vetëm në Shtetet e Bashkuara, po ndodhte diçka interesante. Nëse provoje të shkruaje fjalën “Epstein” në një mesazh drejtuar një përdoruesi tjetër, platforma të paralajmëronte se kishe shkelur rregullat dhe se mesazhi ishte bllokuar. Pamjet e ekranit të këtyre njoftimeve u shumëfishuan me shpejtësi; shumëkush bërtiti për skandal, ose më saktë për censurë: në fund të fundit, lidhjet mes Donald Trumpit dhe financierit pedofil, i cili vdiq duke kryer vetëvrasje në burg në rrethana misterioze, janë të njohura; dhe pritshmëria për atë që mund të dalë nga arkivi i vetë Epsteinit, të cilin Departamenti i Drejtësisë po e publikon me racione dhe me shumë hezitime, është shumë e lartë.
Nuk ishte vetëm kjo që shqetësonte përdoruesit. Senatori kalifornian Scott Ëiener kishte publikuar një video për të denoncuar një tjetër fakt të çuditshëm: postimet e tij, në të cilat fliste për mundësinë që qytetarët t’i padisnin agjentët e ICE-s, kishin grumbulluar “zero shikime”. Zero. Si ishte e mundur? Teknikisht, ai ishte “shadow-banned” (pezulluar në hije), pra i ndaluar pa dijeninë e tij: postonte rregullisht, por askush nuk i shihte postimet. Çfarë po ndodhte? Një zëdhënës i TikTokut shpjegoi se “për shkak të një defekti elektrik” kishte pasur një mosfunksionim të një qendre të dhënash dhe se vetëm për këtë arsye disa përdorues po regjistronin ngadalësim të platformës; sa i përket termit “Epstein”, nuk ishte bllokuar – larg qoftë! – dhe vërtet, në Culver City, në zonën metropolitane të Los Angeles-it ku ndodhet selia e kompanisë, nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur.
Në realitet, kishte një arsye për të menduar se këto mosfunksionime nuk ishin rastësore. Dhe edhe një arsye mjaft e rëndësishme. Më 22 janar, një datë që në këtë histori përsëritet disa herë, siç do ta shohim, kompania kineze Bytedance kishte shitur shumicën e degës amerikane të TikTok-ut te një entitet i ri i kontrolluar nga një grup investitorësh të lidhur me Donald Trumpin. Lajmi është nënvlerësuar shumë. Jo vetëm dhe jo aq për incidentet banale, por simbolike, të regjistruara në orët e para të aktivitetit, por për atë që mund të nënkuptojë për rreth 200 milionë përdorues amerikanë, në pjesën më të madhe nën 30 vjeç, në një vit që do të përfundojë me zgjedhjet e nëntorit për rinovimin e të gjithë Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretës së Senatit.
Për Trumpin dhe për ata që i kundërvihen kësaj presidencë, ai votim është një kalim kyç.
Ç’lidhje ka TikTok-u me zgjedhjet e ardhshme? Shumë, por aty do të arrijmë.
Duhet sqaruar se Donald Trump është i fiksuar pas fuqisë së TikTok-ut për t’i folur drejtpërdrejt popullit. Ka një episod të fundit që e dëshmon këtë. Madje një fotografi. Është bërë në Zyrën Ovale pak para Krishtlindjeve, kur Trump priti katër gazetarë të Neë York Times për një intervistë dy-orëshe (ajo në të cilën tha se nuk ka nevojë për të drejtën ndërkombëtare dhe se kufiri i vetëm që pranon është morali i tij). Në foto shihet i përqendruar duke parë një lloj flete gazete që asistentja e tij, Natalie Harp, e quajtur “AI” për aftësinë e saj për të gjetur përgjigje në internet, sapo ia ka dhënë. Titulli i gazetës është: “Trump on TikTok” dhe titulli kryesor është: “339 MILIARDË, shikime totale të #rump në TikTok”.
TikTok ka qenë në njëfarë mënyre në shënjestër të Shtëpisë së Bardhë që nga viti 2017, vetëm se atëherë presidenti u përpoq ta bllokonte platformën në Shtetet e Bashkuara duke thirrur arsye të sigurisë kombëtare (një arsyetim i tipit: kinezët kanë të dhënat tona, nuk mund ta tolerojmë).
Gjatë presidencës së Joe Bidenit tema mbeti e nxehtë dhe u bë bipartizane, duke çuar në miratimin e një ligji që do ta nxirrte TikTok-un jashtë ligjit në Shtetet e Bashkuara, përveç rastit kur aktivitetet e tij të transferoheshin te një kompani e kontrolluar nga investitorë amerikanë.
Afati maksimal i caktuar për këtë kalim ishte 22 janari i vitit 2025. Pikërisht dy ditë pas betimit të dytë të Donald Trump-it. i cili, në atë pikë, luajti me finesë: në vend që ta zbatonte ligjin dhe të hynte në histori si ai që kishte fikur rrjetin social të preferuar të miliona të rinjve amerikanë, zgjodhi të hynte në histori si “ai që e shpëtoi TikTokun”. Në muajt e fundit e ka thënë këtë shumë herë: “Unë jam shpëtimtari i TikTokut, besoj se përdoruesit duhet të më jenë mirënjohës”. Dhe kështu, sapo mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, firmosi një urdhër ekzekutiv që e shtynte ndalimin me një vit dhe nisi një negociatë të gjatë me Kinën.
Natyrisht nuk e dimë se si kanë shkuar negociatat, por nga mënyra se si përfunduan gjërat mund ta deduktojmë me një siguri të arsyeshme. Arsyetimi, pak a shumë, duhet të ketë qenë ky: në Kinë TikToku (që atje quhet Douyin) u tregon përdoruesve atë që dëshiron qeveria; në mënyrë analoge, në Shtetet e Bashkuara këtë do ta vendosë presidenti i Shteteve të Bashkuara, madje vetë Donald Trump, edhe kur të mos jetë më president; ndërsa fitimet e kompanisë do të ndahen përgjysmë. E arsyeshme. Edhe nga këndvështrimi i kinezëve. Në fund të fundit, nëse TikToku deri tani ka qenë edhe një mjet për të cenuar shëndetin mendor dhe vlerat e të rinjve perëndimorë – siç pretendojnë disa teoricienë komploti – nëse kjo është e vërtetë, çfarë ka më mirë sesa t’u shfaqësh vetëm përmbajtje hapur trumpiane?
Me pak fjalë, nëntë muajt e parë të vitit 2025 shërbyen për të ndërtuar kornizën e marrëveshjes, të cilën më pas Donald Trump dhe presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, e miratuan në një bisedë telefonike më 19 shtator të kaluar, për të cilën vetë Trump njoftoi menjëherë publikun për t’u akredituar si “shpëtimtari i TikTok-ut”. Marrëveshja, në thelb, është kjo: dega amerikane e TikTokut kaloi nën kontrollin e një shoqërie amerikane në këmbim të 14 miliardë dollarëve, një shumë që të gjithë analistët e konsideruan qesharake krahasuar me vlerën reale të platformës (llogaritet se vetëm për përdoruesit amerikanë çmimi duhej të ishte të paktën 40 miliardë dollarë, pa përfshirë licencën e algoritmit të famshëm që vendos se çfarë sheh secili përdorues kur hap aplikacionin). Në shoqërinë e re, ByteDance mbetet ortak me 19,9 % Shumica, 45 % , ndahet në pjesë të barabarta mes Oracle, Silver Lake dhe MGX; ndërsa 35 për qind e mbetur shpërndahet mes investitorëve të vegjël dhe zyrave si ajo e Michael Dellit, themeluesit të kompanisë së njohur të kompjuterëve. Askënd nuk e habit fakti që të gjithë investitorët amerikanë të shoqërisë së re kanë bindje të fortë trumpiane. E tillë është Oracle, kompania teknologjike e Larry Ellisonit, pionier i Silicon Valley, një nga njerëzit më të pasur në botë dhe mbështetës historik i Donald Trumpit. E tillë është Silver Lake, një nga fondet më të rëndësishme amerikane të private equity, drejtuesit e të cilit janë donatorë dhe partnerë tregtarë të shumë nismave të lidhura me Trump-in. Dhe e tillë është edhe MGX, fondi sovran i Abu Dhabit për inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e avancuara, që ka marrë pjesë në disa operacione me Trumpin dhe familjarët e tij.
Në krye të bordit drejtues u promovua Adam Presser, i cili hyri në TikTok në vitin 2022 si zëvendëspresident dhe më pas drejtor i operacioneve dhe i sigurisë. Për të dihet shumë pak: i rritur në Los Angeles, studime në Harvard dhe Yale, më pas një periudhë e gjatë në Kinë përpara se të kthehej në SHBA. Kaq. Por kur u emërua drejtor ekzekutiv i TikTok US, në internet u publikuan disa klipe. Ai ishte regjistruar në Kongresin e 17-të Botëror Hebraik, që u mbajt në Jerusalem në javën e tretë të majit të vitit të kaluar. Ishin ditët dhe javët dramatike të pushtimit të Gazës dhe Presser ishte ftuar për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi rritjen e antisemitizmit online. Në klipet e rishpërndara në fund të janarit dëgjohet teksa thotë se në TikTok kishin vendosur sapo ta konsideronin termin “zionist” si një shfaqje të urrejtjes online. Në ç’kuptim? Këtu nevojitet një shpjegim i shkurtër: zionist është një term që rrjedh nga Zioni, një kodër e Jerusalemit; me kalimin e kohës u bë simbol i dëshirës së hebrenjve për t’u kthyer në tokën e tyre; dhe që nga fundi i shekullit XIX identifikon idenë e sovranitetit hebraik mbi Palestinën. Të gjithë territorin. Nga lumi në det. Jo dy shtete. Por më së fundmi është bërë edhe një mënyrë për të sulmuar politikën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj palestinezëve të Gazës dhe Bregut Perëndimor, ndonjëherë edhe me tone fyese. Antisemite.
E veçantë zgjedhja e Adam Presser: nëse në TikTok dikush shkruan “jam zionist” është në rregull; nëse shkruan “janë zionistë”, atëherë po shfaq urrejtje dhe duhet të bllokohet. (Provoni të bëni të njëjtin ushtrim me fjalë të tjera dhe shikoni çfarë ndjesie ju krijon. Mbyllim kllapën).
Fakti është se në rrjete sociale shumëkush ka frikë se me menaxhimin e ri TikToku mund të censurojë kauzën palestineze, e cila deri tani ka pasur një mbështetje shumë të fortë. Ky shqetësim mbështetet nga një episod i njohur dhe i padiskutueshëm. Më 26 shtator 2025, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në një moment jashtëzakonisht të vështirë për Izraelin, ndërsa po rritej vala e vendeve që njoftonin njohjen e shtetit palestinez, kryeministri Netanyahu u takua me një grup influencerësh të rinj amerikanë pranë Izraelit. Të cilët, natyrisht, postuan më pas momentet kryesore. Mes tyre binte në sy një moment: kur kryeministri i siguroi të rinjtë se me kalimin e TikTok-ut nën kontrollin e Trump-it askush në Amerikë nuk do të dëgjonte më për Gazën (“Rrjetet sociale janë mjeti më i rëndësishëm për të kontrolluar konsensusin tonë në Shtetet e Bashkuara… kontrolli i TikTok-ut dhe i X-it do të jetë thelbësor për të fituar luftën informative mbi Gazën”).
Tani, kjo gjë mund të arkivohej edhe si një mburrje apo një shpresë e kryeministrit izraelit, por pikërisht ditën e kalimit të TikTok-ut te një shoqëri amerikane, u fshi papritur profili i gazetares palestineze me bazë në Gaza, Bisan Owda (një milion e gjysmë ndjekës). Ajo vetë e bëri të ditur lajmin me një video në X që tronditi shumëkënd. A ishte kjo prova e kthesës pro-Izrael të platformës? Brenda pak orësh profili u rikthye, me shpjegimin se ishte nën hetim të brendshëm prej kohësh dhe se ishte fshirë gabimisht. Por ndjesia mbeti, siç dëshmohet nga kulmi i regjistrimeve të atyre ditëve në një alternativë të mundshme ndaj TikTokut: quhet UpScrolled, e ka zhvilluar një i ri palestinez me banim në Australi, Issam Hijazj, i cili pasi kishte punuar për disa kompani teknologjike amerikane, dha dorëheqjen për t’iu kushtuar kauzës së popullit të tij “si përgjigje ndaj censurës së përmbajtjeve pro-Palestinë në Meta dhe në TikTok”. Dhe në fakt, në UpScrolled profilet për momentin janë pothuajse të gjitha palestineze. Jo vetëm për këtë arsye është praktikisht e pamundur që UpScrolled të ketë sukses. Këtë e dëshmojnë edhe eksodet e shpallura nga Facebook, Instagram dhe Twitter/X në të kaluarën e afërt: historia tregon se, pavarësisht skandaleve, nga platformat sociale largohen shumë pak, dhe të tjerët qëndrojnë. Është më komode.
Të gjithë ata që kanë mbetur në TikTok, ndërkohë, ditët e fundit në Shtetet e Bashkuara kanë pranuar, me shumë gjasa pa u menduar, termat e reja të përdorimit të platformës. Janë kushtet e shërbimit që zakonisht i klikojmë me sipërfaqësi kur na kërkohet ta bëjmë këtë. Në këtë rast, megjithatë, kanë ndryshuar disa gjëra jo të parëndësishme.
E para është se platforma tani i rezervon vetes të drejtën të nxjerrë, nga sjelljet tona, një sërë të dhënash personale si preferencat fetare, seksuale dhe shtetësinë tonë, me qëllim përmirësimin e përvojës së përdorimit (domethënë të na shfaqë video të përshtatshme për profilin tonë, thonë ata).
E dyta është se në Shtetet e Bashkuara, TikTok tani shton të drejtën për të lokalizuar çdo përdorues të vetëm edhe kur bën një postim të vetëm. Duhet thënë se pozicioni mund të nxirret përafërsisht edhe nga adresa me të cilën lidhemi në rrjet, por tani në SHBA TikTok e di saktësisht se ku je. “Saktësisht” do të thotë se nuk dinë vetëm rrugën ku banon, por edhe katin ku ndodhet apartamenti yt. Ky konfigurim ekziston edhe te Facebook dhe Instagram, por në TikTok u adoptua vetëm me ndryshimin e pronësisë. Ja pse disa në rrjet thonë: më mirë ishim kur komandonin kinezët. Më parë kjo nuk ekzistonte.
Duke parë drejtimin që po merr demokracia amerikane, kjo çështje mund të jetë vërtet delikate. Mendoni për përplasjet e ditëve të fundit në Minneapolis. Ose edhe thjesht për një emigrant pa dokumente. A do të mund të përdorin ende rrjetet sociale?
Duke pasur parasysh se të dhënat e përdoruesve amerikanë tani ndodhen në qendrat e të dhënave të Oracle, pra të njëjtat që strehojnë softuerët e inteligjencës artificiale të Palantirit, kompanisë së Peter Thielit që për njëzet vjet ka ndërtuar dhe menaxhon infrastrukturën teknologjike të agjencive federale të spiunazhit, kontrollit të rendit publik dhe represionit. Ndër këta softuerë është, për shembull, Palantir Foundry, një mjet i aftë të bashkojë të dhëna nga burime shumë të ndryshme dhe të krijojë profile të sakta të individëve të veçantë.
ICE në Minneapolis ka përdorur gjerësisht këtë softuer dhe të të tjerëve të ngjashëm, të zhvilluar nga startup-e që, duke u nisur nga të dhënat e mbledhura në rrjetet sociale, janë në gjendje të zbulojnë, pa dijeninë tonë, informacione të ndjeshme. Duke parafrazuar një thënie të disa viteve më parë: “Gjëja e madhe e radhës në autokraci është teknologjia”.
Nëse vërtet të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTokut do të shërbejnë për të ndërtuar një sistem survejimi masiv si ai që ekziston në Kinë, do ta shohim. Nuk përjashtohet, por as nuk është e sigurt. Ose edhe: nuk është e sigurt, por nuk përjashtohet. Ajo që është e sigurt, përkundrazi, është se njerëzit e afërt të presidentit do të mund të vendosin çfarë t’u tregojnë dyqind milionë përdoruesve, në pjesën më të madhe votues ,dhe çfarë jo përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Çështja nuk është t’u shfaqësh përmbajtje pro-Trump atyre që janë hapur kundër: kjo do të ishte një zgjedhje dritëshkurtër dhe kundërproduktive.
Çështja është, përkundrazi, të ulësh pak volumin e kundërshtarëve (pak, pa rënë në sy) dhe të synosh të bindësh ata që janë në mes, të pavendosurit, të zhgënjyerit. Ata janë objektivi që gjithmonë i fiton zgjedhjet. Ata që përmbysin fatin e një qarku. E njëjta gjë ndodhi në vitin 2016, kur analistët e Cambridge Analytica, për shembull, synuan të zhgënjyerit e Hillary Clinton për t’i bindur të mos votonin; dhe edhe fitorja e dytë presidenciale e Obamës u arrit duke bindur të pavendosurit, por me mjete shumë më artizanale. Sot përdoruesit e TikTokut dhe Instagramit profilizohen nga inteligjenca artificiale dhe mundësia për të manipuluar votën e tyre nuk duhet nënvlerësuar.
Nëse kjo do të ndodhë, do ta zbulojmë në fund të vitit. Për një përkim kurioz, në atë periudhë pritet të dalë më në fund vëllimi i fundit i trilogjisë së re të William Gibson, “Jackpot”. Vëllimi i dytë, “Agency”, ishte shtyrë disa herë pas fitores elektorale të Trumpit në vitin 2016.
Në një intervistë për New Yorker-in, shkrimtari legjendar i fantastikës shkencore kishte treguar se realiteti, ajo që po ndodhte, kishte tejkaluar vizionet e tij (“Në një moment Trump-i filloi të bënte marrëzi dhe i thashë vetes: sa i frikshëm mund të jetë skenari im? Më është dashur t’i kërkoj një shtyrje botuesit”). “Jackpot” për të cilin flet trilogjia e William Gibsonit nuk është një fitore në bingo, por “një apokalips në ngadalësim”, me të cilin mësohesh ditë pas dite derisa të jetë tepër vonë. A ju duket e njohur? Sipas njeriut që shpiku konceptin e kiberhapësirës dhe frymëzoi Matrixin, “gjërat mund të ndryshojnë kaq papritur, kaq dhunshëm, kaq thellë, saqë të ardhmet kanë një ‘tani’ të pamjaftueshëm mbi të cilin të bazohen. Nuk kemi të ardhme sepse e tashmja jonë është shumë e paqëndrueshme. Kemi vetëm mundësinë e menaxhimit të rrezikut./Përshtatur nga CorrieredellaSera
Komente








