KORÇË- Një detektive private është vënë nën hetim nga policia, pasi dyshohet se ka tentuar që të heqë një përgjues në banesën e familjarëve të Erjon Llapushit në Pogradec, i cili është dënuar në mungesë me 17 vite burg për vrasjen e kamerierit Gazment Kurmaku.
Përveç detektives, Policia ka vënë në hetim edhe një të afërm të Erjon Llapushit, i cili është personi që ka kontaktuar detektiven me qëllim që të gjendej një përgjues që Policia dyshohet se kishte vënë në banesën e tij.
Pasi është kontaktuar nga i afërmi i Llapushit, detektivja ka shkuar në banesën e tij në Pogradec dhe ka kryer kontrolle me detektorë për të gjetur përgjuesin. Ajo është vënë nën hetim për veprën penale “Kryerje e veprimeve që zbulojnë zbardhjen e të vërtetës”, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës.
Raportohet se detektivja nuk ka arritur të gjejë përgjuesin që mendohet se është vendosur në banesën e Llapusjit, një person me precedentë të theksuar kriminalë dhe në kërkim për vrasjen e kamerierit Kurmaku më 2 tetor 2021. Një vit më parë, RENEA ushtroi kontroll në banesën e tij në Pogradec, por nuk gjeti asnjë gjurmë të tij.
Komente











