Një plan fluturimi ushtarak, i futur në sistemin informatik me të dhëna të gabuara në Swanwick, ku ndodhet qendra kryesore e kontrollit ajror të Mbretërisë së Bashkuar, dyshohet se ka shkaktuar bllokimin e sistemit që menaxhon trafikun ajror në të gjithë hapësirën ajrore britanike dhe kaosin që vazhdon prej 24 orësh.

Këtë mëson Corriere della Sera nga burime europiane, të njohura me rezultatet e para të verifikimeve të kryera në impiantet e Nats, kompania që menaxhon kontrollin e trafikut ajror në Mbretërinë e Bashkuar. Në orët në vijim priten më shumë detaje, por incidenti i së martës, 8 shtator, është pothuajse identik me atë të vitit 2023, me ndryshimin se atëherë ishte një plan fluturimi civil që nxori sistemin jashtë funksionit.

Deri tani janë anuluar të paktën 2 mijë fluturime dhe janë prekur rreth 300 mijë pasagjerë. Problemet janë përqendruar kryesisht në aeroportet e Londrës, më të ngarkuarit në vend. Kompanitë ajrore me kosto të ulët Ryanair, Wizz Air dhe easyJet kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të Nats. Për fatin e tij pritet të vendosë qeveria britanike, ndoshta që gjatë ditës së sotme.

Kjo edhe sepse është hera e tretë në tre vjet që sistemi përballet me probleme të rëndësishme. Rasti më i rëndë, në fund të gushtit 2023, ndodhi kur sistemi i planifikimit të fluturimeve të Nats ndaloi së funksionuari pasi një kompani ajrore futi një plan fluturimi të gabuar. Si pasojë, Mbretëria e Bashkuar nuk mundi të ndërvepronte me Eurocontrol, organizatën që koordinon trafikun ajror në Europë. Dëmet u vlerësuan në 82 milionë euro dhe u prekën 700 mijë pasagjerë.

E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe më 8 shtator. Por këtë herë me një plan fluturimi ushtarak, pra përmes një ndërfaqeje tjetër, e cila gjithsesi duhet të komunikojë me pjesën tjetër të sistemit që ai të funksionojë, shpjegojnë burimet, duke theksuar se bëhet fjalë për gjetje ende paraprake. Nëse kjo dinamikë konfirmohet, do të thotë se ekziston një tjetër dobësi në sistem, e cila nuk ishte identifikuar gjatë hetimit të mëparshëm.

Burimet europiane lënë mënjanë çdo diplomaci dhe kritikojnë ashpër Nats. “Sistemi i tyre është aq i vjetër dhe kompleks, sa edhe vetë specialistët brenda kompanisë britanike e kanë të vështirë ta kuptojnë dhe ta menaxhojnë.” Kjo, sipas tyre, shpjegon pse edhe një problem i vogël shkakton pasoja shumë më të mëdha.

Jo vetëm kaq. Situata rëndohet edhe nga fakti se sistemi funksionon në kufijtë maksimalë të kapacitetit për të përballuar numrin më të madh të mundshëm të avionëve. Kur ai del jashtë funksionit, pasojat janë të konsiderueshme./CorrieredellaSera